Build Skills with our trainings

Sign up now!

Turizmi në Pejë – shtyllë e fortë dhe frytëdhënëse e ekonomisë

Pri 23, 2021

Kontribues i një shume të konsiderueshme parash dhe përfaqësues i bukurive të rralla natyrore të një shteti kaq të vogël si Kosova, ka qenë dhe vazhdon të jetë turizmi. Me vetëm një sipërfaqe prej 10,900 km², Kosova ka tërhequr një numër të madh të vizitorëve nga anembanë bota e kjo për të vetmen arsye se posedon qysh nga njëri skaj e deri tek tjetri, bukuri të rralla natyrore të cilat nuk lejojnë që të zbehen perlat e trashëgimisë kulturore e historike. Këto bukuri të cilat sot e disa vite vazhdojnë të na paraqesin si një shtet unik jo vetëm në rajon,nga ana tjetjër kërkojnë një infrastrukturë adekuate turistike por edhe një orientim sa më të lehtë për vizitorë.

Falë historisë, kulturës, traditës, pasurive natyrore e shumë arsyeve të tjera të cilat e bëjnë të veçantë Peja është një nga qytetet më të zgjedhura në Kosovë nga turistët vendas dhe të huaj. Takimi qysh në shikim të parë me Grykën e Rugovës dhe rrjedhën e Drinit të Bardhë, përfshirë edhe plot atraksione tjera turistike, tërheqin vëmendjen dhe rrisin potencialin turistik të këtij qyteti.

Virtyt Morina, përgjegjës për “Qendrën për Informata Turistike” në Pejë, thekson se ky qytet ka çfarë t’i ofrojë vizitorëve me mundësitë dhe kapacitetin turistik të saj edhe pse rimëkëmbja turistike rifilloi nga viti 2000.

“Çfarë e bën këtë qytet edhe më të veçantë është fakti se ka një potencial të madh natyror dhe ekonomik, si dhe ka një mori zgjedhjesh për vizitorët. Këto zgjedhje përfshijnë aktivitetet sportive dhe rekreative, vizita në monumente të cilat përfaqësojnë vendin, shëtitje, lundërim, lëshim me parashutë dhe shumë të tjera. Resurset turistike të saj fillojnë që nga Bjeshkët e Nemuna me Rugovën plot me qafa të ulëta, ujëra si kristal dhe shtigje për ecje e ngjitje, duke vazhduar me shpellat e ndryshme ku shpella ‘Bukuroshja e Fjetur’ ngjall kureshtjen dhe tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve. Pos kësaj në kilometrin e tretë gjendet shtegu ‘Via- Ferata’ për ata të cilët duan adrenalinë nga natyra” – thotë ai. 

Investimi në shtigjet e ecjes ka qenë një investim shumë i duhur dhe adekuat për pozitën gjeografike dhe natyrën e Pejës. Këto shtigje kanë mundësuar jo vetëm lidhjen e hapsirave të ndryshme brenda qytetit, por edhe me qytetet dhe shtetet fqinje.

“Gjithsej janë tre kategori të shtigjeve të ecjes: njëra përfshinë nivelin lokal ku hyjnë të gjitha shtigjet e ecjes vetëm në qytet, tjetra përfshinë nivelin regjional ku hyjnë shtigjet e përbashkëta me Deçanin dhe Junikun, si dhe tjetra përfshinë shtigjet ndërkufitare të cilat lidhin Kosovën me Mal të Zi dhe Shqipëri”, shton ai.

Me planin “Zhvillimor Komunal” nga Komuna e Pejës të hartuar në vitin 2006 dhe i rifreskuar në vitin 2020, parashihet që shtylla e parë për zhvillim komunal të jetë turizmi të cilit i jepet prioritet. 

Komuna i ka bërë disa investime direkte tek sektori i turizmit, mes tjerash në zhvillimin e infrastrukturës, produkteve turistike, sikur dhe në informim dhe aktivitete promovuese.

“Komuna i ka bërë disa investime, investime këto që ndikojë në zhvillimin e infrastrukturës, produkteve turistike dhe informim. Ka hapur dy degë të ‘Qendrës Informative Turistike’ për informimi sa më i mirë për turista, një në qendër dhe një në hyrje të Rugovës. Përndryshe, komuna ndan buxhetin çdo vit për këto çështje që i përkasin sektorit të turizmit dhe zhvillimit të produkteve turistike”, potencon Morina.

Përveç bashkëpunimit dhe përkrahjes nga komuna, nuk mungon as bashkëpunimi dhe mbështetja nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare të cilat dhurojnë fonde për investime në projekte të ndryshme.

“Për momentin kryesore si ndihmë nga organizatat e huaja kemi fondet e IPA-s që ofrohen nga Bashkimi Evropian si fonde ndërkufitare, fonde të mëdha dhe orientohen në infrastrukturë. Ka edhe bashkëpunim me organizata tjera si ‘SwissContact’ nga Zvicra, “Giz” nga Gjermania, si dhe nga projektet e USAID”, shton ai.

Në kuadër të këtyre investimeve hyjnë edhe projektet për galerinë e Shpellës së Radavcit, shpellë kjo në sipërfaqen e Alpeve Shqiptare e pasur me galeri, skulptura e dekorime natyrael. Për të gjithë ata të cilët janë adhurues të eksplorimit të shpellave, kjo paraqet vendin ideal për një eksperiencë të paharruar dhe interesante.

Alpa Bojku, pjesë e ekipit “Outdoor Kosovo”, tregon për rëndësinë e madhe të Shpellës së Radavcit, e njohur ndryshe si Bukuroshja e Fjetur, për turizmin e gjithë Kosovës. Kjo shpellë vazhdon të mbetet një nga pikat turistike me fluksin më të madh të visitorëve pothuajse në çdo muaj të vitit për arsye të pesë galerive, formave të krijuara nga uji e shumë gjëra tjera. Numri i vizitorëve është shumë i madh e sidomos me përmirësimin e motit. Vizitorët nga vende të ndryshme mbeten të mahnitur nga ajo se çka ofron shpella.

“Shpella “Bukuroshja e Fjetur” ngjallë kureshtje për të gjithë vizitorët, arsye të asaj se çfarë galeritë ofrojnë për të parë. Kjo shpellë është e formuar nga burimet e ujit, si dhe nga madhësia mendohet të jetë njëra ndër shpellat më të mëdha në Kosovë. Ajo se çfarë ofron shpella për vizitorët janë pesë galeritë të cilat janë: galeria qendrore, galeria hyrëse, galeria e blloqeve, galeria e Vaskave, si dhe galeria e cila u hap në vitin që shkoi galeria e Meduzës. 

Bojku thotë se ajo çfarë e bën ndryshe prej shpellave tjera janë format brenda shpellës dhe mënyra e formimit të tyre që i bën ato të veçanta. 

“Vlen të përmendet galeria e vaskave e cila është fenomen shumë i bukur për t’u vizituar. Poashtu, është investuar shumë brenda shpellës që të bëhet edhe më atraktive dhe më lehtë e vizitueshmë nga turistët”, thotë Bojku.

Shtëpia Alpike Ranch dhe Parku i Aventurave janë vendi tjetër ku turistëve u ofrohet adrenalinë, rahati por edhe ushqime tradicionale shqiptare. E gjendur në pozitën më të favorshme gjeografike, në lagjen Zatra buzë maleve dhe vetëm 2,5 kilomtera larg qytetit, në një lartësi ku duket se gjithë qytetin e ke në pëllëmbë të dorës, kjo shtëpi alpike posedon produkte të vendeve perëndimore, si dhe njihet për luhatësen më të madhe në Ballkan.

Engji Goga, pjesë e stafit të Shtëpisë Alpike Ranch dhe Parkut të Aventurave, tregon për KosovaLive përshkruan pamjen e mahnitshme, restorantin dhe Parkun e Aventurave që u ofrohet vizitorëve.

“Ajo se çfarë ofrojmë ne për vizitorët vendas dhe të huaj, është një hapsirë me plot mundësi zgjedhjes për të kaluar kohën. Kemi restorantin i cili ofron ushqime bio dhe tradicionale si fli, leqenik, djath dhe kos dhie, si dhe njihemi për mishin e edhit që e përgatisim dhe servojmë. Përveç këtyre kemi edhe fermën e dhive, lopëve dhe kuajve”…

Ne kemi arritur të mundësojmë kurse për kalërimin, si për fëmijë ashtu dhe të rritur. Parku i Aventurave dhuron aktivitet plot adrenalinë për vizitorët. Ai posedon gjithsej 36 aktivitete të cilat ndahen në 3 nivele. Aktivitetet janë sfiduese dhe aty po ashtu hyjnë edhe Zip Line, si dhe hulaja më e madhe në Ballkan – Big Swing”, thotë Goga.

Krahas pasurisë me bukuri natyrore, Peja ka pasuri edhe me monumente historike. “Harta e shtegut kulturorë të monumenteve historike të Pejë” përfshinë: Qendrën e qytetit, Konakun e Tahir Beut, Çarshinë e vjetër, Bajrakli xhaminë, Hamamin e Haxhi Beut, Deftedar xhaminë, Kurshumli xhaminë, Kompleksin historik “Mullirin Haxhi Zeka”, Kullen e Kahraman Agës, Kullën e Gocka-jve, Kullën e Zenel Beut, Varrezat Austro- Hungareze, Kishën katolike “Shën Katarina”, si dhe Patrikanën e Pejës. Të gjitha këto objekte, të cilat i kanë qëndruar kohës qysh nga Epoka e Ilirëve, mbajnë në vete histori të papërsëritshme.

Një ikonë e vitit 1956 e njëkohësisht edhe ikonë e qytetit të Pejës, Hotel Dukagjini gjithmonë njihej si një nga Hotelet Elite në Kosovë. Hoteli është një kombinim mes origjinales me modernes.

Hoteli përfaqëson një arkitekturë unike që është tërheqëse nga pamja e të tjerëve dhe në të njëjtën kohë pikë referimi për banorët dhe vizitorët e Pejës.

Me një qëndrim përgjatë Lumbardhit, hoteli ndodhet vetëm disa hapa larg zyrave qendrore lokale, teatrit, zonës së biznesit dhe vendeve të tjera interesante.

Me gjithë këto resurse natyrore e turistike për vizitorët, qytetetarët e Pejës janë përkujdesur që turistët të gjejnë akomodim dhe ushqim sa më të mirë. Një ndër hotelet që ofron shërbim dhe përkujdesje për turistët, është edhe “Seraphine Plaza. I vendosur bukur në qendrën e qytetit të Pejës dhe i rrethuar me pamje mahnitëse të Bjeshkëve te Rugovës, ky hotel ofron ushqim autokton dhe origjinal për atë të cilët duan të njohin më afër kulturën shqiptare.

Vanesa Nitaj, pjesë e stafit të “Seraphine Plaza”, tregon se ky hotel përmbushë të gjitha kërkesat për shërbime të mirëfillta ndaj mysafirëve vendas dhe të huaj. Po ashtu, përkujdesen që të përfaqësojnë sa më denjësisht traditën dhe vlerat kosovare.

“Lidhja jonë me agjensione të ndryshme turistike, organizata dhe shoqata është pika tjetër thelbësore dhe karakteristikë e jona që na bën të veçantë. Turistët njëkohësisht mund ta shfrytëzojnë edhe hotelin por edhe ta vizitojnë ‘Hartën e Shtegut Kulturor’”, tregon ajo.

Nitaj shpreson se së shpejti do ndryshojnë masat e reja anti Covid dhe gjendja me pandeminë, sepse ka sjellë vetëm humbje dhe shkaktuar kaos për sektorin e turizmit.

“Numri i vizitorëve para pandemisë ka qenë mjaftë i madh, të gjitha dhomat dhe sallat kanë qenë të rezervuara nga turistët vendas por më shumë të huaj. Në përgjithësi në Pejë ka rrënie 40-50% të turistëve. Para pandeminsë numri i fjetjeve gjithsej për qytet ka qenë diku rreth 150.000 kurse gjatë kohës së pandemisë ka rënë në 60.000”, shton ajo.

Ashtu siç thekson edhe Nitaj, edhe “Raporti i tremujorit të katërt për statistikat e hotelerisë në Kosovë” për vitin 2020 tregon se numri i visitorëve vendas dhe të huaj në Kosovë ishte 51.885, prej tyre 43.33% ishin vendorë dhe ku 56.67% ishin të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 89.116, prej tyre 41.35% nga vendorët dhe 58.65% nga të huajt.

Krenare Lika

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM