Build Skills with our trainings

Sign up now!

Sportistët si ambasadorë indirekt të Kosovës

Pri 28, 2021

Jemi mësuar që prezentimi i shtetit zakonisht të bëhet nga figurat politike apo akterë shtetëror, por pa harruar edhe sportistët të cilët po ashtu ngjallin ndjenjat e patriotizmit dhe ngrisin epitetin e të qenit shqiptarë. Krahas kësaj, sporti ka arritur të dëshmojë ndër vite që marrëdhëniet e acaruara mes shteteve mund të përmirësohen në mënyrë indirekte nga po kjo sferë e jetës. Kjo mënyrë indirekte e një progresi të tillë korrelon edhe me krijimin e një ambienti bisedimesh sa më paqësorë, si dhe sa më jetëgjatë.

Edhe pse një shtet i vogël, me një numër të popullsisë jo edhe aq të madh sikurse shtetet e tjera, Kosova ka potencial të lartë me sportistë të zotë. Jo më larg se disa ditë më parë, xhudistët pejanë Akil Gjakova, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, sollën medalje dhe tituj nga Kampionati i Evropës i cili u mbajt në Lisbonë të Portugalisë.

Xhudisti Akil Gjakova rrëmbeu titullin “Kampion Evrope” në po këtë kampionat. I rradhitur në kategorinë e peshës 73 kg, Gjakova në xhiron e parë fitoi ndaj garuesit izraelit Ido Levin; në ndeshjen e dytë mposhti garuesin gjerman Anthony Zingg; në çerekfinale mposhti garuesin rus Musa Mogushkov; në gjysëmfinale mposhti garuesin zviceran Nils Stump; si dhe për medaljen e artë mposhti garuesin izraelit Tohar Butbul ku me këtë rast morri edhe titullin e Kampionit të Evropës.

Po të njejtin titull për kategorinë e vajzave, e rrëmbeu xhudistja Distria Krasniqi e rradhitur në peshat 48 kg. Krasniqi tanimë “Kampione Evrope”, mposhti në gjysmëfinale garuesen ruse Sabina Giliazova, kurse në finale ish-kampionja botërore për periudhën 2018-2019 nuk u paraqit fare në tatami ku në mënyrë automatike Krasniqi mori titullin e kampiones. Poashtu, në rradhët e xhudisteve edhe Nora Gjakova arriti të fitojë medaljen e bronztë duke mposhtur garuesen gjeorgjiane Eteri Liparteliani, kurse në gjysëmfinale u mposht nga garuesja ruse Daria Mezhetskaia për të mos vazhduar më tutje për titullin e Kampiones.

Një figurë tjetër që hapi shtigjet dhe dhuroi shembull të shkëlqyeshëm se si një vajzë mund të jetë xhudiste e fortë, është Majlinda Kelmendi dhe suksesi i saj i jashtëzakonshëm. Janë bërë disa vite që kur ajo përfaqëson Kosovën denjësisht në vende të ndryshme të botës, vende këto të cilat njohin Kosovën përmes Majlindës.

Kelmendi qysh nga viti 2009 e duke vazhduar deri më sot, triumfon në kampionate të xhudos. Ajo përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike të mbajtura në Rio de Janeiro; në Lojërat Evropiane; në Kampionatet Botërore të mbajtura në vitin 2013 dhe 2019, si dhe në Kampionatet Evropiane për katër vite. Pos përfaqësimit të Kosovës ajo përfaqësoi edhe Federatën Ndërkombëtare të Xhudos në Kampionatin Botëror dhe atë Evropian.

Pa dyshim që xhudistja Kelmendi, paraqet rastin më konkret që një sportist mund edhe të bëjë sport edhe të jetë “ambasadorë” i vendit të vet. Edhe pse nuk luan lojën e kartave politike, përsërin arrin që të mposhtë paragjykimet ndaj vendit dhe kulturës sonë.

Pos sportit të xhudos, përfaqësim i jashtëzakonshëm po bëhet edhe nga skitarët kosovarë. Ndonëse konsiderohet si një sport jo edhe shumë i lehtë për një numër të madh njerëzish, talentët nga Kosova kanë arritur të japin maksimumin e tyre për sportin e skijimit. Të rritur në male të thepisura e shtigje dinamike, Arbi dhe Arba Pupovci kanë marrë stafetën e përfaqësimit të vendit brenda dhe jashtë si skijatorë të super talentuar.

Arbi Pupovci, i cili u rrit bashkë me malet dhe skitë, tregon për KosovaLive mbi eksperiencat e tij gjër më tani. Atëherë kur ai ende nuk dinte të bënte mirë hapat e ecjes, filloi të lëshohej me ski. Adrenalina e shpejtësisë dhe dëshira për ta përfaqësuar Kosovën ndërkombëtarisht, ishin një ndër arsyet se pse Pupovci nuk ndaloi së ushtruari këtë sport. Krahas rezultateve të shkëlqyeshme të treguara në garat nacionale, ato nuk i mjaftonin për të përmbushur dëshirën e tij si një garues. Tani nga gjithë puna dhe stërvitjet e pandalshme, Pupovci ka arritur të plotësoj një nga synimet e tij. Ai ka arritur të sigurojë paraqitjen e tij në Lojërat Olimpike Dimërore të cilat do të mbahen në Pekin në vitin 2022, duke fituar normën e kërkuar Olimpike për disiplinën Sllallom.

“Si skitar i parë që përfaqësoj vendin tim në Lojrat Olimpike nga një klub kosovar, ndihem krenar dhe tejet i gëzuar. Kam filluar në Bogë të Rugovës e tani ja ku jam, gati për të ngritur flamurin e Kosoves në garat në Pekin me konkurrencë nga e gjithë bota. Nuk ka qenë e lehtë rruga deri këtu, por ja vlen mundi i dhënë për mua dhe për vendin tim”, tregon ai.

Pupovci tregon se nuk do ndalojë me kaq – ai është në përpjekje të vazhdueshme për të fitur normën olimpike edhe për një disiplinë tjetër.

“Normën për disiplinën sllallom e fitova, kurse tani jam drejt rrugës për të fituar normën edhe për një disiplinë tjetër e cila është ajo e sllallomit të madh. Duhet të jetë një përfaqësim sa më i mirë dhe i përmbushur për Kosovën”, shton ai.

Duke marrë ajkën e suksesit dhe motivin e tillë, edhe Arba Pupovci vendosi vetën në listat e garueseve më të suksesshme me punën e saj. Lëshimi me ski dhe të qenit pjesë e garave qysh si fëmijëria, nuk është aspak e lehtë dhe e zakonshme. Teksa tregon për përvojat dhe eksperiencat në gara, sukseset, medaljet dhe kupat e shumta te fituara ndër vite, ajo shpreh një ndjenjë entuziazmi dhe motiv për të mos u ndalur në të ardhmen.

“Lëshimin e parë me ski e bëra në moshën dy vjeçare, kurse në moshën pesë vjeçare u bërë pjesë e klubit Alpi dhe garave skitare. Kam korrur suksese në pistat e Kosovës si ato të Bogës, Brodit, Brezovicës e Belegut, si dhe në pistave e shteve fqinje me disiplinat sllallom dhe sllallom i madh. Kur kam qenë pjesë e ‘Kategorive të Reja’ arrita që të bëhem kampione e Kosovës qysh në atë moshë”, tregon ajo.

Por, sukseset për Arben nuk kishin të ndalur ashtu siç nuk kishte të ndalur as puna e palodhshme e saj. Me tërë këtë vullnet arriti të hyjë edhe në reprezentacionin për të rritur në garat e FIS, gjë që nënkupton se Kosovës i’u shtua një përfaqësuese e re për një sport kaq ekstrem. E gjithë kjo kohë e kaluar mbi ski, e gjithë puna dhe stërvitjet e pandalshme, ishin për të vetmin qëllim që të bëhej pjesë e atyre që përfaqësojnë Kosovën në listat botërore, e jo vetëm të qenit një garuese e rëndomtë.

“Nuk ka qenë e lehtë të arrija njërin nga synimet e mija për të qenë pjesë e reprezetacionit të Kosovës në garat e FIS. Tani më nuk jam thjeshtë një garuese e rëndomtë, por një garuese që përfaqësoj flamurin dhe kulturën e shtetit tim kudo në botë”, shton ajo.

Krahas Arbit dhe Arbes, përfaqësues tjerë nga Kosova të cilët kanë arritur të korrin po të njëjtin sukses në garat ndërkombëtarë të organizuara nga FIS, janë Drin Koka, Kiana Kryeziu, Albin Tahiri e shumë të tjerë. Ky i fundit tash e disa vite ka tërhequr vëmendjen e skitarëve dhe mediave nga mbarë bota. Në garën ndërkombëtare të FIS-it në Tarvisios të Italisë, Tahiri arriti normën olimpike për Pekin 2022 në disiplinat e Downhill, Kombinim Alpin, Sllallom i madh dhe Sllallom. Pika e vetme që mbetet për të është vetëm edhe një garë në disiplinën e Super G për të arritur të normën Olpimpike për të gjitha disiplinat e skijimit alpin.

Poashtu, Kiana Kryeziu për herë të parë në historinë e skijimit të Kosovës në kategorinë e vajzave arriti të fitojë medaljen e argjendtë në garën ndërkombëtare FIS-it në Kollashin të Malit të Zi.

Krahas talenteve si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Arba Pupovci dhe Kiana Kryeziut, edhe alpinistja Mrika Nikçi i ka dhënë fokus dhe zë vajzave nga Kosova që po promovojnë dhe prezantojnë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nuk është e lehtë të mendohet për majat më të larta në botë, e lërë më të ngjiten nga një vajzë kaq e re në moshë si Mrika. Në dhjetor të vitit 2018 ajo ngjiti majën më të lartë në Antartikë me 4,892 metra lartësi; në shkurt të vitit 2019 ngjiti malin Akonkagva me 6,962 metra lartësi, duke vazhduar pastaj me malet si Everest, Denali, si dhe Elbrus, duke u bërë kështu vajza më e rë në botë që të ngjisë shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve.

Talentë po të njëjtë ka nxjerrë edhe sporti i tenisit, ku ndonëse të ri në moshë ata kanë arritur suksese me sjellje shembullore sportive dhe stërvitje të vazhdueshme. Emrat si Melos Nallbani e Aja Broqi, mbajnë pozitat e kampionëve duke e përfaqësuar Kosovën mbrenda dhe jashtë.

Genis Nallbani, anëtar i komisionit mbikqyrës dhe refer i Federatës së Tenisit të Kosovës, tregon mbi eksperiencat e njërit nga kampionët e Kosovës për tenis, të riut Melos Nallbani. Melosi kishte filluar karrierën e tij në moshën 6 vjeçare në Klubin e Tenisit Peja, ku e zhvilloi karrierrën deri në moshën 13 vjeçare, ku përgjatë këtyre viteve është shpallur Kampion i Kosovës në kategoritë U-8, U-10, U-12, si dhe U-14. Për Melosin sukseset nuk kanë të ndalur pasi që ai është tre herë fitues i çmimit “Shpresat e vitit” në qytetin e Pejës, si dhe anëtar standard i Përfaqësueses së Kosovës.

 “Melosi ndonëse vetëm 14 vjeç, ka arritur të korrë suksese dhe të ketë një karrierë të bujshme. Për momentin ai është pjesë e Akademisë së njohur evropiane Good to Great në Stockholm. Po ashtu, trajneri i Melosit është ish-numri 2 i tenisit botërorë Magnus Norman, ndërsa djaloshi ynë i artë sivjet po përgatitet për turnet TE dhe ITF, turne këto të klasit botëror”, tregon Nallbani.

Tutje, Genis Nallbani tregon edhe për disa nga momentet më të mira të karriesrës së tenisierit të ri.

“Momenti më i mirë i karrierës ka qenë pjesëmarrja në olimiadën e të rinjëve në Baku, ku vetëm përfaqësimi i shtetit atje dhe parakalimi në hapjen kanë qenë ndjenja të papërshkrueshme”, shton Nallbani.

Krenare Lika

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

“C*kli m*nstrual”

“C*kli m*nstrual”

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës...

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM