Build Skills with our trainings

Sign up now!

Covid-19 u bë sfidë shtesë për punësimin e grave

Maj 10, 2021

Puna nuk konsiderohet veprimtari që ju takon grave ashtu siç nuk konsiderohet punë rritja e fëmijëve, punët e shtëpisë dhe jeta amvise. Kur flasim rreth çështjes së pozitës së gruas, kjo mbetet njëra nga temat më të rëndësishme. Siç thekson edhe Adichie në fjalimet e saj rreth feminizmit, tema mbi diskriminimin gjinor ndoshta nuk është njëra nga temat më të popullarizuara mirëpo duhet të jetë njëra nga temat më të rëndësishme. Gratë kanë qenë dhe janë viktima të llojeve të ndryshme të diskriminimit. Edhe pse në të gjitha vendet demokratike të botës po bëhet një ‘’luftë’’ për të drejtat e barabarta si për gra ashtu edhe për burra, diskriminimi i gruas prapë vazhdon të mbetet në një numër të madh të fushave të jetës. Kjo lloj dukurie sociale e cila i ka rrënjët nga paragjykimet që kanë të bëjnë me gjininë, ka bërë që gratë të jetë dukshëm më të diskriminuara se burrat pothuajse në të gjitha fushat e jetës, duke filluar nga shtëpia e deri tek shoqëria.

Ekziston një pikëpamje e rrënjosur se burrat kanë aftësi dhe dhunti për disa punë, që gratë nuk arrijnë t’i bëjnë aq mirë sa ata. Ka edhe një mendim të përhapur se gratë janë krijuar për punë të sferës private, në mënyrë të veçantë, për punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve. Për më tepër, ekziston një seri konceptesh mbi pasivitetin e grave dhe vartësinë nga burrat. Kjo ka sjellë si rezultat një mit social: pabarazia midis gjinive, i përket sistemit të natyrshëm të gjërave dhe inferioriteti i gruas është një gjendje normale.

Në një botë ku 52% e popullsisë janë gra një numër i konsideruar i pozitave të punës prestigjioze dhe të larta, janë të okupuara nga burrat.

Në Kosovë, meqenëse gratë përbëjnë pothuajse gjysmën e fuqisë punëtore dhe numri i grave të diplomuara është shumë më i lartë se numri i burrave të diplomuar, kjo nuk korrelon me numrin e grave që janë me vende pune. Gratë kosovare përballen me nivelin më të ulët të punësimit në Europë, vetëm 12.7 %. Edhe më shokues është fakti që vetëm 20 % e grave janë aktive në fuqinë punëtore, që do të thotë se 4/5 e grave në Kosovë nuk janë të punësuara. Këto shifra janë më të ulëta për ato gra të cilat janë më të reja dhe më pak të arsimuara të cilat jetojnë më shumë në zonat rurale. Vendi i punës shpesh është parë si një vend i paqëndrueshëm për gratë për shkak të formave të shumta të pabarazive gjinore të pranishme.

Disa shembuj se si diskriminimi në vendin e punës ndikon negativisht në të ardhurat dhe mundësitë e grave janë hendeku i pagës gjinore, mungesa e grave në udhëheqje, dhe koha më e gjatë që kërkohet për gratë sesa për burrat për t’u ngritur në detyrë dhe avancuar në karrierë.

Sa i përket çështjes së problemit të punësimit të grave ky problem është i përhapur në tërë botën e jo vetëm tek shoqëria kosovare.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) gratë përballen me sfida dhe duhet të kalojnë barriera në përpjekjet e tyre për qasjen në vende më cilësore të punës. Që një grua të punësohet dhe të gjejë një punë për të cilën është e përgatitur dhe adekuate është shumë e vështirë, nëse krahasohet me mundësinë që i ofrohet burrave. Në kohën bashkëkohore ku janë arritur edhe gjërat pothuajse të pamundshme, hendeku gjinor ende ekziston. Nuk është problemi që gratë nuk kanë ambicie që të punësohen dhe të punojnë, por shoqëria ka vendosur një perde të hekurt mes gjinive. Punët dhe pozitat më të larta janë të garantuara për burrat, kurse për gratë thuhet se ato duhet të merren me punët e shtëpisë dhe të koordinojnë jetën e të gjithë antarëve në shtëpi.

Përveç kësaj, prej shumë hulumtime të konstatuara nga Millennium Challenge Corporation Kosovo vijmë tek një përfundim se burrat kanë mesatarisht pagë më të lartë sesa gratë në Kosovë. Gratë pranojnë mesatarisht 289 euro në muaj krahasuar me burrat të cilët pranojnë 353 euro në muaj. Nënçmimi i aftësive të punëve tradicionale me të cilat merren gratë, ka bërë që ato të paguhen më pak. Punë që i’u rezervohen grave si punë pa pagesë apo me një shpërblim të vogël parash dhe gjithashtu konsiderohen si obligime që gratë duhet t’i përfundojnë.

Sipas një analize të fundit të regresionit dhënë nga Institute for Women’s Policy Reasearch, paga e barabartë do të ulë varfërinë midis grave që punojnë dhe familjeve të tyre dhe kështu do shtonin 513 miliardë dollarë në ekonominë kombëtare.

Arrihet qartë të kuptohet se punësimi i grave në kushte normale mbetet si diçka që ka hapësirë për përmirësime dhe tkurrje të hendekut gjinor, por dalja në skenë e një virusi i cili do trazonte ujërat përsëri nuk ishte e menduar.

Pandemia Covid-19 ka ndikuar edhe në aspektin e punësimit dhe përfaqësimit të grave në Kosovë. Një numër i madh i grave nuk kanë arritur të i’a dalin mbanë dhe ta gjejnë vetën në tregun e punës qysh nga shënimi i rasteve të para me Covid-19. Mbyllja e një numri të madh institucionesh e biznesesh dhe kalimi i punës së tyre nga fizik në online, vetëm sa ka shtuar disa problematika tjera në jetën e grave posaçërisht. Barra e punëve të shtëpisë, vijimi i mësimit online nga fëmijët, reduktimi i orarit të punës, janë disa nga pikat që përcjellën situatën e u transmetuan gjatë kësaj periudhe e cila ende po vazhdon.

Riola Morina, pjesë e organizatës joqeveritare “QIKA”, tregon për KosovaLive gjendjen parapandemike si dhe gjendjen e cila do përcjellë gratë edhe kur virusi do pushojë së ekzistuari.

Ajo sqaron se situata e punësimit të grave edhe para pandemisë nuk ka qenë edhe aq e mirë, dhe se shifrat përcaktuese të papunësisë së grave kanë qenë shumë shqetësusese dhe të larta.

Covid-19 ka qenë vetëm një sfidë shtesë, problem jo i këndshëm, si dhe barrierë për përmirësimin e përfaqësimit të grave në tregun e punës.

“Covid-19 është sigurisht një sfidë shtesë për punësimin e grave. Duke marrë parasysh se shumë kompani e punëdhënës kanë pasur rënie drastike, normalisht që stafi i tyre është reduktuar. Mirëpo mënyra se si janë bërë reduktime normalisht që ka goditur më së shumti gratë. Granë janë në një mënyrë të detyruara që të lënë karrierën pezull në mënyrë që të kujdesen për fëmijët e të moshuarit e shtëpisë. Kjo i bënë ato të jenë të parat që do të largohen nga puna kur ka reduktime të stafit”, tregon ajo.

Morina thotë se tejkalimi i një situate të tillë, që vetëm se po bëhet më agresive, do jetë tejet i vështirë, nëse jo i pamundshëm. Është një numër i madh i planeve, strategjive, hapave që duhet ndejkur për tejkalimin e një situate të tillë.

“Ka hapa të shumtë që do mund të ndihmonin në zbutjen e kësaj pabarazie në rritje që po merr hov nga Covid-19. Një ndër hapat do ishte përfshirja si dhe konsideromi i nevojave të grave në hartimin e politikave e programeve anti-Covid-19. Tjetër hap do ishte që strehimoret dhe shërbimet tjera të nevojshme për gratë e shëndetin e tyre qoftë fizik e qoftë mendor të konsiderohen si shërbime thelbësore dhe të ndahen fonde specifike dhe të qëndrueshme për këto të fundit”, shton ajo.

Lidhur me reduktimet e stafit në vendet e ndryshme të punës, zvogëlimin e orarit të punës dhesasinë e prodhimit të të mirave materiale, erdhi nevoja për tkurrje të stafit punonjës. Një numër i madh i grave rranë “kurban” duke shpëtuar në një farë forme pjesën tjetër të grupit punonjës.

Rrona Kelmendi, një vajzë e sapo diplomuar dhe njëherazi edhe e punësuar në sektorin e shërbimeve, tregon se si pandemia i ndërroi kahje ëndrrave dhe planeve të saj. Duke qenë e re në moshë dhe entuziaste për punë ajo filloi punën por për një kohë shumë të shkurt ra pre e reduktimit të stafit në vendin e saj të punës.

“Fillova punën me gjithë dëshirën më ta madhe për të arritur disa nga qëllimet e mija. Kur filloi pandemia isha unë ajo e cila u pa si më e favorshme për të lënë punën sepse duhej dikush tjetër të e bënte edhe atë. Jam më se e sigurt se kjo përzgjedhje ka pasur ndikime nga gjinia së cilës i përkas”, thotë Kelmendi.

Kelmendi ndjehet e zhgënjyer për frymën diskriminuese e cila mbizotëron në vendin tonë. Ajo me këmbëngulësi dëshiron të tregojë se është po aq e aftë se kolegët e saj, si dhe të qenit grua nuk e bën më pak adekuate dhe të duhur për një punë. Krahas kësaj ajo shton se përballimi i gjendjes pandemike nuk është kryer në mënyrë të mirëfilltë nga organet qendrore dhe ato lokale, sepse një numër i madh i grave kanë humbur punën.

“E di se nuk jam vetëm unë viktimë e virusit Covid-19 dhe pandemisë që solli me vete, jam e vetdijëshme se edhe një numër i madh i grave tjera kanë mbetur pa punë, pa shpresa për një karrierë të mirë, si dhe pa asnjë lloj shprese për të vazhdur tutje”, shton ajo.

Covid-19 nuk u bë vetëm sfidë shtesë për ato gra të cilat tanimë ishin në punë, por edhe për ato të cilat ishin gati të fillonin diçka të re por pasojat që solli situata pandemike nuk i la.

Majlinda Gashi, nënë e dy fëmijëve, tregon se si u shtuan telashet dhe punët qëkur pandemia filloi. Mbylljen e shkollave ajo e përjetoi ashtu si fëmijët e saj, ndoshta edhe më keq.

Gashi ishte gati të fillonte një punë të re, të hapte një biznes të saj të vogël, si dhe në të ardhmen të ishte një biznismene shumë e fortë. Gjërat morrën kahje ndryshe kur qeveria e Republikës së Kosovës vendosi të mbyllte shkollat, kopshtet e fëmijëve, etj.. Si nënë e re me fëmijë të vegjël ajo nuk ishte gati t’i lintë ata në dorë të fatit dhe të vazhdonte karrierën e saj.

“Kur filloi mësimi onlinë, sa ishte e vështirë për fëmijët ishte po aq e vështirë edhe për mua. Tani kisha marrë rolin e mësueses, nënës, amvises, dhe çdo gjëje tjetër për të cilën kisha kohë”, thotë ajo.

Gashi thotë se ishte gati të punojë por kujt do t’ia lënte fëmijët, “sepse këtu tek ne ata janë barrë vetëm e nënës dhe askujt më tjetër”.

“Duhet një përkrahje më e madhe nga shteti për ne si të papunësuara dhe të mbajtura peng nga punët e shtëpisë. Nuk mendoj se do ta kem të lehtë që pas pandemisë të vazhdojë planin për biznesin tim sepse do ketë shumë pengesa tjera të reja që do më dalin”, shton ajo.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

“C*kli m*nstrual”

“C*kli m*nstrual”

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës...

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM