Komuna e Kamenicës në përgjithësi ka një rini të shëndoshë dhe mjaftë aktive. Nëpërmjet formave që të rinjtë zgjedhin si dhe aktivitetet, ata mundohen që të bëjnë të mundur dëgjimin e zërit të tyre si dhe adresimin e problemeve që i proekupojnë tek organet kompetente ndryshimbërëse.
Komuna e Kamenicës vuan nga dukuria e largimit të të rinjëve. E si shkaktar kryesor i kësaj janë mundësitë e pakta që ipen në këtë komunë dhe po ashtu hapësirat e kufizuara.
Në analizën hapësinore e cila i është bërë Kosovës më saktësisht komunës së Kamenicës si problem i tretë llogaritet të jetë depopulimi i vendbanimeve.
“Faktorët kryesor që kanë ndikuar në shkallën e lartë të depopullimit në këto vendbanime janë: Shkalla e lartë e papunësisë, varfëria, mungesa e shërbimeve, zhvillimi i pabarabartë ekonomik, niveli më i ulët i shërbimeve arsimore dhe shëndetësore etj.,” thotë analiza.
Një rini e shëndoshë dhe e paktë në numër siç ndodhë në rastin e Kamenicës ka nevojë për hapësira të reja dhe mundësi ku ata mund të tregohen kreativë dhe mund të jenë të angazhuar.
Një nga këto vende është edhe Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Kamenicë. KVRL-ja në Kamenicë vazhdon të funksionojë që nga viti 2005, por me intervale të cakuara e më të theksuara kur ka qenë më aktive.
Ky këshill mirëpret në organet e tij të gjithë të rinjtë që duan t’i bashkohen dhe të ndihmojnë në aktivitete në baza vullnetare. Aktivitetet e këtij këshilli konsistojnë në punën dhe sigurimin e mundësive të reja për të rinjtë e Kamenicës, sigurimin e praktikave, mbajtjen e eventeve dhe shënimin e datave me rëndësi, dhe aktivitete me karakter bamirës e edukativ.
Këshilli operon në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë, në mungesë të hapësirave të posaçme për të rinjtë.
Ardiana Zubaku, sekretare e KVRL-së në Kamenicë ka thënë se interesimi i të rinjëve për t’u bashkuar në KVRL ka qenë i dukshëm qysh nga fillimi i aktiviteteve të para pasi që më herët nuk ka pasur diqka të ngjashme.
“Me vetë faktin se rinia e Kamenicës më herët nuk ka pasur ndonjë plan B, përveç se të dalin në kafiteri që të takohen me shoqëri, tani kemi edhe një mundësi tjetër që të mblidhemi e të kontribuojmë së bashku, normalisht duke pasur gjithmonë edhe mbështetjen e komunës dhe akterëve të saj,’’ thotë Zubaku.
Ajo po ashtu thotë pasi që kemi hyrë në fazën e pandemisë, KVRL-ja nuk ka pasur edhe shumë aktivitete, por vullnetarët iu kanë ardhur në ndihmë me pako ushqimore dhe barna esenciale të prekurve nga Covid-19.
Një problem tjetër i KVRL-së, sipas Zubakut është zgjidhur. Renovimi i Shtëpisë së Kulturës, të rinjëve të Kamenicës do t’iu japë edhe hapësirë më të madhe por edhe më të mirë për zhvillim të aktiviteteve.
Elionita Rexhepaj, vullnetare në KVRL, që nga viti 2018 thotë se qëllimi kryesor i saj ka qenë puna vullnetare. Më pas asaj i kishin rënë në sy edhe disa nga aktivitetet që KVRL-ja kishte bërë dhe kjo e kishte shtyrë që të bëhej pjesë.
“Mundësia për të shprehur idetë dhe mendimet tona ka qenë gjithmonë e hapur. Kreativiteti dhe idetë tona, gjithmonë janë marrë parasysh dhe janë implementuar në aktivitete e projekte në KVRL,” thotë Rexhepaj.
Ajo po ashtu shton se KVRL jo vetëm që është një nga mënyrat që zëri vetanak të dëgjohet, por njëkohësisht është mënyra më e mirë për t’u dëgjuar zëri i të rinjëve të Kamenicës.
“Është një vend ku çdo i ri mund të anëtarësohet dhe të shpreh pakënaqësitë e tij dhe me idetë e tyre mund të arrijnë rezultatet që kërkojnë,” shton Rexhepaj.
Ajo thotë se do të vazhdojë të jetë anëtare edhe për një kohë të pacaktuar dhe gjithmonë me punë të pandalshme.
Ardita Agaj, studente e Fakultetit të Edukimit, e vlerëson si diçka shumë të rëndësishme angazhimin në komunitet. Ajo po ashtu thotë se në Kamenicë nuk ka as mungesë të mbështetjes prandaj, ajo po shikon mundësitë.
“Jam duke analizuar organizatat rinore në Kamenicë, ato po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, por për shkak edhe të angazhimit në fakultet do të mundohem që të angazhohem përkohësisht, në njërën prej tyre,” thotë Agaj.
Edhe Flamur Jusufi, student i Fakultetit Juridik, nga Komuna e Kamenicës, e cilëson të rëndësishëm angazhimin në punën për të mirën e përbashkët.
“Rinia në Kamenicë, përkundër mundësive të pakta, është shumë aktive në organizata rinore. Kam parë punën e KVRL-së në Kamenicë dhe mendoj se janë një grup shumë punëtorë të rinjësh që kanë nisur punën pa mbështetje kurse tani kanë një zë mjaftë të fuqishëm tek shumë akterë,” thotë Jusufi.
Në komunën e Kamenicës këtë vit ka filluar hapat e parë të punës edhe BONEVET Kamenica.
BONEVET si hapësirë krijuese ka treguar sukses në punën me fëmijët në tri qendra ku ka qenë prezente, në Prishtinë, në Gjakove dhe në Kaçanik. Duke marrë parasysh mungesën e koncepteve të tilla dhe hapësirat e pakta, vullneti i përbashkët i komunës së Kamenicës dhe BONEVET, ka bërë të mundur që BONEVET të jetë edhe në Kamenicë.
Lejla Leci, e cila është menaxhere e BONEVET në Kamenicë ka thënë se BONEVET është një institucion jofitimprurës dhe joformal i themeluar në vitin 2014 nga fondacioni privat UNË E DU KOSOVËN me seli në Prishtinë.
“BONEVET Kamenica do të ndihmojë të rinjët e Kamenicës, në të gjitha aspektet. Pa dyshim, do të jetë një vend mundësie për punësim, një vend mundësie për zgjerim të mundësive dhe një vend për të kontribuar e për të marrë nga ai,” thotë ajo.
Leci shton se BONEVET në Kamenicë targeton të gjithë entuziastët prej moshës 5 vjeçare dhe është i hapur pa kufizime të moshës apo prapavija të tjera. Klasat në fusha të ndryshme, kampet verore, trajnimet, sesionet informuese, mësimi i bazuar në projekte, garat e robotikës janë vetëm disa nga aktivitetet që do të realizohen.
Në komunën e Kamenicës ende nuk ka përfunduar renovimi i Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati”, që është njëra nga qendrat më të mëdha që gjithmonë mbledh të rinjtë e këtushëm në ambientet e saj.
Zyrtarja e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Azemine Maliqi thotë se renovimi është mundësuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.
“Rinia në Kamenicë është mjaftë aktive. Shqetësim i tyre ka qenë hapësirat e vogla por numri i madh i të interesuarve që të jenë vullnetarë në aktivitetet e rinisë. Këtë e kemi pasur për qëllim gjatë punës sonë dhe e arritëm. Po flasim për ndryshime mjaft të mëdha për të mirën e të rinjëve në këtë objekt,” thotë Maliqi.
Ajo shton se është renovuar edhe bibloteka e qytetit e cila është në kuadër të këtij objekti, dhe është rritur hapësira e sallave për lexim.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kamenicës, Arianit Ibrahimi thotë se po punohet edhe për funksionalizimin e Qendrës Rinore në Kamenicë. Qendra rinore do të ekzistojë përbrenda Shtëpisë së Kulturës dhe do të ketë kabinete të ndara për të rinjtë.
Rinia në Kamenicë vazhdon të jetë aktive, por pandemia ndikoi edhe tek kjo pjesë. Kalimi i kësaj situate, rininë e Kamenicës do ta gjejë me ide të reja, aktivitete e mundësi, si dhe hapësira të reja ku ata mund të jenë kreativë.
Lidiona Marovca
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.
Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.