Rëndësia e mbështetjes së mëtejme të projekteve zhvillimore, ishte tema kryesore e takimit virtual që kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Odile Renaud-Basso.
Kryeministri Kurti, bashkë meministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, biseduan me znj. Renaud-Basso, si dhe Drejtoreshën Menaxhuese të BERZh-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, dhe ekipin e BERZh, për vazhdimin e bashkëpunimit, me theks te rritja e dinamikës në zbatimin e projekteve.
Duke uruar për tridhjetë vjetorin e BERZh-it, kryeministri Kurti theksoi se gjatë tri dekadave, BERZh-i ka qenë një partner i çmuar për shumë vende në udhëtimin e vështirë të tranzicionit. Po ashtu, gjatë viteve të kaluara, BERZh ka qenë partner i pazëvendësueshëm për Kosovën, si për sektorin publik ashtu edhe atë privat, për çfarë kryeministri Kurti falënderoi menaxhmentin e BERZh-it, veçanërisht zyrën rajonale në Kosovë.
Në përgjigje të situatës me pandeminë COVID-19, përveç mbështetjes afatshkurtër emergjente, Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh BERZh-in si një partner të rëndësishëm edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë, u tha në takim.
Përfaqësuesit e BERZh-it, u shprehen të hapur për vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e mëtutjeshme për sektorin privat, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, sektorin e energjisë dhe integrimin rajonal, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.