Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Luigi Di Maio.
Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën e re në krye të institucionit më të lartë përfaqësues dhe për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Njëherësh Di Maio rikonfirmoi gatishmërinë e shtetit italian për forcimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, si dhe mbështetjen ndaj Kosovës për liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke u shprehur se Italia është e bindur që Kosova do të jetë në Evropë dhe liberalizimi i vizave do të ndodhë sa më shpejt.
Krykuvendari Konjufca, pasi falënderoi shefin i diplomacisë italiane për ndihmën që Italia, si vend mik, ia ka ofruar Kosovës në periudhat më të vështira të saj, u shpreh se Italia kishte dhe vazhdon të ketë rol domethënës në rimëkëmbjen, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të vendit tonë. Duke veçuar integrimin evropian dhe në NATO si prioritete strategjike të Republikës së Kosovës, z.Konjufca tha se mbetemi të përkushtuar që marrëdhëniet bilaterale t’i thellojmë dhe avancojmë edhe më tej.
Në takim, ndër të tjera, u diskutua edhe për dialogun me Serbinë, me ç‘rast ministri italian theksoi se pjesë e këtij dialogu asnjëherë nuk mund të jetë pavarësia e Kosovës dhe se rezultat përfundimtar i këtij dialogu duhet të jetë njohja reciproke, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.