Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka marrë vendim që të pezullohet deri më 30 gusht 2021, obligimi për riaplikim dhe reduktimi i procedurave për njohjen e së drejtës për ndihmë sociale për familjet të cilat duke filluar nga muaji prill 2021 kanë afatin për riaplikim.
Gjithashtu, lirohen nga paraqitja e rregullt për qëllime të evidentimit apo lajmërimit përfituesit e skemave pensionale dhe kategoritë e tjera të përfituesve që janë të obliguar të paraqiten në zyrat përkatëse.
Ky vendim është i vlefshëm deri më 30 gusht 2021, dhe i njëjti mund të rishikohet duke pasur parasysh rekomandimet dhe/ose vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.