Në Ministrinë e Shëndetësisë sot zëvendësministrja, Dafina Gexha-Bunjaku dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Prof. Naser Ramadani kanë njoftuar publikun rreth dyshimit të helmimeve në Deçan.
Pas ankesave të qytetarëve, është rekomanduar që të mos konsumojnë ujin nga sistemi rajonal i ujësjellësit – KRU “Hidroregjioni”, dega në Deçan deri në njoftimin e radhës. Në të njejtën kohë, QKMF e Deçanit dhe Spitali i Përgjithshëm Rajonal i Pejës janë në dispozicionin e plotë të shërbimit të qytetarëve dhe janë siguruar parametrat mjekësor në mbështetje të autoriteteve lokale.
Zëvendësministrja Gexha theksoi se “Lajmi i mirë është se të gjithë qytetarët e trajtuar ditën e djeshme janë liruar në gjendje të përmirësuar shëndetësore, pa asnje referim per hospitalizim”.
Në anën tjetër,Ramadani informoi se “Mostrat e dërguara në laborator dhe rezultatet nga analizat fiziko-kimike rezultojnë në kufinjtë e lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuara.
Brenda 24 orëve të para, në fshatrat Gramaqel, Prilep, Baballoq dhe Gllogjan janë shfaqur disa koloni të dyshimta të baktereve koliforme për të cilat nevojitet një hulumtim laboratorik, për të parë mos ka ndonjë infektim gastroinstestinal eventual”.
Ministria e Shëndetësisë do ta përcjellë me vëmendje situatën dhe bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe institucionet tjera relevante për hulumtimin e mëtutjeshëm të rastit, thuhet në postimin në Facebook të MSh-së.