Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pa mbështetje të mjaftueshme, të rinjtë kaçanikas përshihen në aktivitete

Kor 16, 2021

Të rinjtë paraqesin grup moshën më të madhe të popullsisë në Kosovë, me mbi 35% të moshës 15-24 vjeçare dhe mbi 65% nën moshën 30 vjeçare.

Me një  përqindje kaq të lartë të të rinjve, të cilët përmes organizatave, qendrave rinore mund ta ndihmojnë zhvillimin e vendit, të rinjtë me të drejtë konsiderohen ndër pasuritë kryesore që ka Kosova.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të rinjtë kosovarë janë të përfshirë në aktivitetet politike dhe kulturore ku çdo i pesti është anëtar i ndonjë partie politike, klubi kulturor, sportiv dhe pothuajse aq janë anëtarë të ndonjë organizate joqeveritare.

Në Kosovë aktualisht funksionojnë rreth 100–150 organizata rinore joqeveritare, e ky sektor ka përjetuar një zhvillim të madh  gjatë periudhës së pas luftës, duke u organizuar në OJQ rinore, qendra rinore, këshille shkollore rinore, asociacione të vëzhguesve, etj. Por, situata gradualisht ka ndryshuar me tërheqjen e OJQ-ve ndërkombëtare që ishin kryembështetës së tyre dhe me mungesën e donatorëve vendor. Ato tani zakonisht bëjnë punë vullnetare, punojnë me fonde të vogla dhe për realizimin e organizimeve të shumta u nevojitet përkrahje.

Koordinatori për Rini në Komunën e Kaçanikut, Fatmir Qaka tregon se aktivitetet në këtë qytet nuk mungojnë.

“Në komunën tonë është funksional Këshilli i Veprimit Rinor Lokal-KVRL i cili është ombrellë e gjitha grupeve formale dhe jo formale rinore dhe është urë lidhëse e të rinjve me institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror”, thotë ai.

Sipas tij, edhe pse me një buxhet të vogël, Komuna mbështetë OJQ-të përmes subvencioneve në kulturë, rini e sport por që nuk mjaftojnë në mbulimin e kërkesave për realizimin e aktiviteteve në këto fusha.

Në mesin e sfidave me të cilat përballen janë mungesa e infrastrukturës, kushtet jo të mira teknike, buxheti i pamjaftueshëm, mosinteresimi i institucioneve të nivelit qendror për atë lokal, mungesë e stafit adekuat, trajnime të mangëta sidomos për stafin e kulturës, mostrajtimi i duhur nga institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror të monumenteve kulturo-artistike.

Megjithatë, ai në fund të  këtij muajit korrik në këtë qytet do të organizohen aktivitete në kuadër të  “Ditëve të Diasporës”, në gusht “Dita e Dëshmorëve” dhe në shtator “Java e Rinisë”.

Drejtori për Arsim dhe Kulturë në Kaçanik, Zahir Doda, shprehet se të rinjtë zakonisht orientohen në këtë drejtori kur kanë nevojë për mbështetje dhe çdo herë ai është munduar t’iu ndihmojë aty ku ka mundësi dhe ku lejojnë ligjet. Ai pohon se çdo herë tenton të ofrojë mbështetjën e tij maksimale për projektet të cilat i sheh si të rëndësishme për rininë e Kaçanikut.

Në Kaçanik janë aktive disa organizata joqeveritare të cilat iu mundësojnë të rinjve të marrin njohuri, përvoja, e shumëçka me vlerë. Ardijana Tusha, kryetare e KVRL-së në Kaçanik thotë se kjo organizatë iu ka dhënë hapësirë të gjithë të rinjve që shprehin vullnet.

“KVRL-ja u ka dhënë mundësinë që të gjithë të rinjëve të cilët kanë vullnet për të punuar në të mirë të komunitetit, të shprehin talentin e tyre duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme dhe duke i mbështetur për idetë e tyre çfarëdo qofshin ato“, tha ajo.

Sipas saj, KVRL-ja është gjithmonë e hapur për bashkëpunime qoftë me individë apo edhe me organizata që kanë synim të mirën e përgjithshme shoqërore, përmes organizimit të eventeve të ndryshme dhe implementimin e projekteve.

Pjesëmarrja në organizime të trajnimeve, debateve, punëtori, tryeza, manifestime, festivale, lojëra, aktivitete me karakter të barazisë gjinore dhe sportive thotë se ka ndikuar pozitivisht edhe tek ajo.

Janë bërë afro dy vite, qëkur Shpat Bulica është i angazhuar në aktivitete jashtëshkollore e edukative që për qëllim kanë edukimin e të rinjve. Posaçërisht, i përkushtohet vullnetarizmit edukativ, luftimit të ekstremizmit të dhunshëm tek të rinjtë dhe fushatave avokuese për ta.

“Kishte ndikim shumë pozitiv duke filluar nga ajo që kam mësuar gjëra të reja e duke vazhduar me atë që kam njoftuar shumë njerëz të ndryshëm me kultura të ndryshme nga e gjithë Kosova”, tha Bulica.

BONEVET, si hapësirë krijuese ku anëtarët nxiten që të zbulojnë talentet dhe aftësitë e tyre dhe t’i zhvillojnë ato me pasion dhe dashuri, koncepti i të cilit bazohet në të mësuarit individual, në Kaçanik është hapur më 2018. Ky institucion angazhohet për edukimin dhe trajnimin e të rinjve, për t’iu mësuar atyre aftësitë e nevojshme akademike dhe emocionale, për t’i ndihmuar të punojnë në grupe, për të trajtuar dhe zgjidhur problemet, për të komunikuar dhe bashkëpunuar, dhe më e rëndësishmja të jenë mendimtarë kritikë.

“BONEVET është dizajnuar për të stimuluar kuriozitetin, imagjinatën dhe kreativitetin e fëmijëve. Fëmijët inkurajohen që të mësojnë përmes lojës dhe teknologjisë, të krijojnë lojërat e veta, të programojnë robotë, të bëjnë prototipa me 3D printer, të punojnë së bashku me fëmijët e tjerë, të zgjidhin gjëegjëza dhe mistere të ndryshme, të zhvillojnë shkathtësitë e komunikimit, të lexojnë libra dhe të mësojnë gjuhë të huaja. Klasat të cilat mbahen më së shumti janë: littleBits, Lego Robotics, Scratch & mBot, Matematika Inspiruese, Anglishtja Interaktive, Python, WordPress etj.”, tregojnë në BONEVET.

Valon Raka përfaqësues nga “Gjethi”, një organizatë tjetër që mbledh të rinjtë e që merret me përkujdesje ndaj ambientit, vetëdijësimin, si dhe organizimin e aktiviteteve të bjeshkatarisë, shprehet se punë të preferuar anëtarët i kanë projektet për ngritjen e vetëdijes dhe ato zhvillimore me fokus mjedisin.

Ai rrëfen për sfidat e ndryshme që i hasin gjatë aktiviteteve të tyre të ndryshme.

“Vështirësitë në gjetjen e mënyrës së bashkëpunimit me kompetent për mbrojtje/zhvillim të mjedisit. Kufizimi i aktivitetit të anëtarëve të OMMGJ-së vetëm në punën vullnetare do të mund të ndikonte në uljen e performancës së tyre. Trendi i lënies pas dore të mjedisit si pasojë e prioriteteve tjera: proceset politike, zhvillimi ekonomik, joprofesionaliteti, korrupsioni, etj”, shtoi Raka.

Si arritje më të madhe, “Gjethi” konsideron projektet për përmirësimin e shtegut për Luboten dhe kampanjën për ngritjen e vetëdijes mbi mbrojtjen dhe promovimin e mjedisit të trashëgimisë kulturore. Në planet e radhës është edhe shenjëzimi i shtegut deri tek “Guri i Shpum”.

Në këtë Komunë funksionojnë tri shoqëri kulturo-artistike dhe përveç bibliotekës së qytetit ekzistojnë tri nëndegë që janë në fshatra, të cilat frekuentohen nga mosha të ndryshme.

Vend i vetëm në zhvillimin e aktiviteteve kulturore është Shtëpia e Kulturës “ Xheladin Kurtaj“ dhe në hapësirat e saj aktivitetin e zhvillojnë OJQ-të dhe dy qendra rinore. Brenda këtij objekti është edhe salla historike e Kushtetutës së Kaçanikut e cila vizitohet nga njerëz të ndryshëm.

Aktivistja Elisa Dema, ka pasion letërsinë, sidomos poezinë. Që nga mosha 6 vjeçare është pjesëmarrëse në aktivitetet rinore në kuadër të organizatave joqeveritare.  Mirëpo ajo shprehet se nuk është e kënaqur me kushtet që i ofrohen nga komuna e saj.

 “Jo aspak nuk jam e kënaqur, bile kam shumë kritika dhe sigurisht edhe këshilla. Do të ndryshoja mënyrën e organizimit të aktiviteteve që i bënë Komuna jonë deri tek vlerësimi i personave që kanë dhënë mund për këtë vend“, tha ajo.

Një qendër kulturore e cila i ka sjellë shumë suksese këtij qyteti është “Kaçaniku“, e cila është themeluar më 2017.

“Organizata është themeluar me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira të të gjithë artistëve dhe artdashësve që dëshirojnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Komunën e Kaçanikut. Qëllimi tjetër është tubimi i të gjithë artdashësve në një vend, pra muzikantë, këngëtarë, valltarë, recitator, aktorë, piktorë etj.”,  tregon arsyet e hapjes së kësaj qendre ish-drejtoresha Remzie Dardhishta për KosovaLive.

Sahide Brati

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM