Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kaçaniku: qyteti historik i harruar nga e tashmja

Kor 25, 2021

Trashëgimia kulturore na krijon një lidhje unike me të kaluarën dhe me këto vlera të ndryshme të cilat i posedojmë e që konsiderohen thesar i gjithë popullit të Kosovës. Këto gjurmë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara, duhet të ruhen në të tashmen për të kaluar tek brezi i ardhshëm.

Qyteti antik, Kaçaniku, karakterizohet nga ngjarje të shumta dhe elemente të trashëguara të rëndësisë së veçantë.

Ilaz Krasniqi, historian, tregon që Kaçaniku si vendbanim sipas burimeve arkeologjike daton që nga koha e lashtë pellazge, kurse si qytez që nga fundi i shekullit XVI.  Themelues i qytetit ishte Hoxha Sinan Pasha i cili ishte vezir i madh i Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare. Përveç kësaj, ai ka ndërtuar xhaminë, kalanë dhe hamamet në Kaçanik.

“Kaçaniku në burimet dhe arkivat osmane regjistrohet si Kaçanikllar sepse ekzistonin dy lokalitete me të njejtin emër Kaçaniku i Vjetër dhe i riu prandaj quhej kaçanikllar,” thotë Krasniqi.

Gryka e Kaçanikut, një fenomen natyror i këtij qyteti ka një rëndësi edhe në aspektin historik.

Sipas Krasniqit, kjo bukuri natyrore si pozitë strategjike ka luajtur rol të rëndësishëm, prej pushtimeve romake në Dardani, por sidomos në kohën e pushtimit osman. Në arkivat osmane Gryka e Kaçanikut spikatet si vend ku osmanët kishin probleme të mëdha nga kryengritësit shqiptar.

E veçantë e kësaj trashëgimie natyrore është edhe Guri i Shpum.

“Ka legjenda të ndryshme se pse quhet guri shpum por ato mbesin vetëm legjenda duke mos patur bazë argumentuese. Pra i shpuar nga rrufeja, pastaj nga ushtritë ndërluftuese e të tjera, por në aspektin shkencor nuk ka ndonjë të dhënë sa i përket asaj pse quhet guri i shpum“, tha njohësi I historisëm Krasniqi.

Në analizën hapësinore që i është bërë komunës së Kaçanikut si problem i pestë konsiderohet degradimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

“Komuna e Kaçanikut, pjesë e Dardanisë antike, është tejet e pasur me vlera materiale autoktone. Zbulime arkeologjike janë gjetur në Bob, Kaçanik, Kaçanik të Vjetër, Runjevë, Han të Elezit etj, që datojnë nga shekulli i II.të e.s.  Numri i monumenteve në këtë komunë është 61”, konstatohet në këtë analizë.

Zyrtarja për informim në Komunën e Kaçanikut, Fatlume Selimi, shpalos detaje interesante rreth trashëgimisë kulturore në Kaçanik., duke theksuar ndër objektet më me rëndësi Kalanë e Kaçanikut, me gjithsej 55 shtëpiza, e ndërtuar në mesjetë, nga Koxha Sinan Pasha.

Pjesë e pasurisë trashëgimore së qytetit konsiderohet edhe Xhamia e Sinan Pashës e ndërtuar në vitin 1594/95. Sipas zyrtares, kjo xhami vlerësohet për shkak të lashtësisë që ka dhe është ndërtuar nga i njëjti vezir. Ndërsa, restaurimi i xhamisë është bërë nga qyteti Bursa në Turqi në vitin 2013.

Ajo tutje tregon se në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik ndodhet Salla ku u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës më 7 Shtator 1990, por që nga ajo kohë kjo hapësirë mbetet njësoj pa ndonjë ndryshim.

“Qyteti i lashtë dhe legjendar Kaçaniku, mburret me trashëgiminë e pasur kulturore, natyrore e shpirtërore që ka. Duke parë këtë potencial kulturor, edhe fokusi ynë ka qenë se si të ruhen monumentet e vjetra kulturore e pasuritë natyrore, ndërsa rëndësi e veçantë i është kushtuar promovimit të trashëgimisë, sidomos të asaj shpirtërore,” tha ajo.

Në vitet 2013 dhe 2016 u bënë disa investime, në bashkëpunim me organizatën CHwB Kosova u realizuan disa projekte dhe filluan me ndërhyrje në disa kulla.

Sipas saj të gjitha këto punime janë bërë në një proces krejtësisht transparent, përmes debateve e diskutimeve publike që kanë zgjatur me muaj.

Selimi përmend disa punë me vlerë të cilat janë kryer në kuadër të veprimtarisë së përbashkët me investitorin CHwB-në, sikur është restaurimi i Kalasë, ku janë përfunduar punët të cilat kishin nevojë për trajtim të menjëhershëm.

“Pastrimi nga konalizimi biologjik, konservimi i strukturës së mureve të Kalasë, trajtimi i fugave me llaç gëlqeror, trajtimi i shtigjeve për këmbësorë, montimi i rrethojës mbrojtëse dhe derës kryesore, dizajnimi dhe montimi i tabelave interpretuese dhe të shenjëzimit si dhe trajtimi i ndriçimit brenda dhe jashtë lokalitetit arkeologjik “, potencoi ajo.

Për mirëmbajtjen e këtyre vlerave, zyrtarja tregoi se për kalanë nuk ka ndonjë person të caktuar, ndërsa për xhaminë, Këshilli i Bashkësisë Islame në Kaçanik tregon kujdes të vazhdueshëm. Po ashtu Salla e Kushtetutës mirëmbahet nga punëtorët e Shtëpisë së Kulturës.

Përmes projektit  “Ta njohim trashëgiminë kulturore dhe natyrore ” të rinjtë e qytetit kishin mundësinë të njihnin vende me vlera kulturore brenda dhe jashtë territorit të Kaçanikut. Përmes këtij projekti u realizuan edhe disa aktivitete të tjera dhe për herë të parë u publikua edhe katalogu që përmban monumentet kryesore të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

“Duke ruajtur e mbrojtur modelin krejtësisht origjinal që dikur kishte, në mbrojtje të vlerave dhe kujtimeve të luftës dhe dëshmorëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rimëkëmbëm sërish Kullën e Hasanit, objekt ku secili nga ne që ishim në mbrojtje të atdheut, ndajmë kujtime të krenarisë kombëtare”, thotë ajo duke paralajmëruara se këtë objekt do ta shndërrojnë në një shtëpi muze.

Trashëgimia kulturore pa kufij (CHwB), organizon ngjarje vjetore dhe tenton të zbulojë trashëgiminë e Kosovës. Kështu, më 2013 u organizua  aktivitetin kulturor, çiklistik jo-garues dhe rekreativ “Tour de Culture “, turistët ishin të kënaqur me mikpritjen, ndërkaq, Kaçaniku u vendos në hartën e vizitave turistike si një destinacion që vlen të vizitohet.

Por, sipas saj, mbështetja nga niveli qendror mungon, pavarësisht se këto monumente tashmë janë në listë të mbrojtjes së përkohshme të MKRS-së.

Sipas ekipit përgjegjës për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore kjo e fundit përfshin monumentet, lokalitetet, artifaktet dhe atributet jomateriale të krijuara nga të gjithë njerëzit që jetuan në Kosovë përgjatë shekujve.  Me ligj, vendi ynë siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Obligohet që të promovojë ruajtjen kësaj pasurie dhe të bëj sigurimin e mbrojtjes efektive të të gjitha objekteve dhe monumenteve të rëndësisë kulturore dhe fetare për komunitetet.

Zyber Shehu, ish-arsimtar i artit rikujton se  trashëgimia kulturore është pasuria e një kombi.

“Ky thesar mund të shihet në letërsi gojore dhe të shkruar, art popullor, veshje, mjete pune dhe objekte te ndryshme, shtëpi banimi, kështjella, ura etj. Nëpërmjet këtyre krijimeve përshkruhet trashëgimia e një populli në periudha historike dhe cilësohet një komb ku ka jetuar dhe çka ka krijuar. …. Trashëgimia kulturore është ruajtur me fanatizëm prej kohës ilire e gjeri më sot. Vlerat kulturore janë ruajtur por shumica janë shkatërruar nga zaptuesit romak, bizantin, sllav, dhe osman “, thotë ai.

Sipas tij, disa vlera sot gjenden si gërmadha apo pjesërisht të ruajtura. Nga trashëgimia ilire në Kaçanik janë tumat ilire, rruga romake, varrezat e latinëve, gur me mbishkrime të varrezave në kohën romake e disa të tjera.

Ai përmendi edhe Teqen e Kaçanikut të periudhës osmane që lidhet me betejën e Kosovës ku,  sipas historianëve është varrosur një patriot shqiptar, Muzaka. Ky person pohohet se kishte qenë luftëtari i parë shqiptar i cili në dyluftim, në tradhëti, ishte vrarë prej luftëtarit turk. Sipas bisedave të pavërtetuara historike thuhet se në Teqe është varrosur një ushtar turk nga beteja e Kosovës . Këtë vend në fillim e ka ruajtur një familje turke, më vonë kujdesin e ka marrë familja shqiptare, Shehu. Kjo hapësirë tashmë është e rrënuar.

Ndërsa, Nusret Mulaki, është në përfundim të masterit në degën mësimdhënie lëndore me specializim në histori thotë se secili banor i Kaçanikut, e ka të kalitur në mendjen e tij se rrjedh nga një qytet që posedon vlera të larta historike nga aspekti kontributdhënës për çështjen shqiptare. Ky këndvështrim i tyre është formësuar edhe nga gjurmët e të cilat i vërejnë lehtësisht ngado në këtë qytet.

“Natyrshëm çdonjëri prej nesh ka në vetëdijen e tij tablon që shëmbëllen qytetari aktive dhe kulturë, e që këto ndjenja manifestohen edhe me emocione krenarie “, shtoi ai.

Studenti i historisë, thekson se edhe tek të rinjtë i është vërtetuar ky konstatim.

Qasja e tyre kishte të bënte veçanarisht me lashtësinë e monumenteve që janë simbolikë e qytetit tonë, dhe pranimit të tyre si një vlerë thelbësore për identitetin tonë, mirëpo pa u zgjeruar shumë në aspektin historik dhe ndërtimor. Mirëpo bazamenti i vetëdijes mbi vlerat e jashtëzakonshme që ata mbartin përgjithësisht ekzistonte”, tregoi Mulaki.

Ai veçon disa veprime në ruajtjen e këtyre vlerave: konservimin dhe revitalizimin e monumenteve kyçe si në Kalasë së qytetit, .restaurimin e Xhamisë së qytetit, vendosjen e pllakës identifikuese në Shtëpinë e Kulturës ku është shpallur Kushtetuta, shndërrimin e shtëpisë së heroit Ismail Raka në muze….

Unë mendoj që bashkëpunimi i komunës së Kaçanikut me Ministrinë e Kulturës është jetik në ruajtjen e këtyre vlerave, ngase jemi të vetëdijshëm që fazat nga Konservimi në Revitalizim, kërkojnë ekspertizë të lartë në ruajtjen e autenticitetit, kësisoj janë punë të kushtueshme“, ka thënë ai.

Sipas tij, fokusi duhet të jetë tek Gryka e Kaçanikut, që sugjeron të vendoset një monument që do të vetëidentifikonte simbolikisht këtë vend. Pastaj, të bëhet restaurimi tërësisht i Kalasë, hapja e një shtegu për vizitë dhe ky mjedis të shndërrohet në një vatër ku promovohen vlerat kulturore e shoqërore.

Arkeologu Hajredin Ramajli konsideron se investimi i komunës për ruajtjen e kësaj pasurie kulturore është shumë i vogël shkaku i buxhetit të pamjaftueshëm.

Ai jep disa informacione shtesë rreth Xhamisë së Sinan Pashës, i cila kishte origjinë nga fshati Topojan në Lumë të Shqipërisë. Në vitin 1594 objektet me përmasa të xhamisë së Kaçanikut ishin shumë të rralla në Kosovë dhe në dekadat e para të shekullit të XVI përmenden vetëm 2 xhami në Prishtinë, 3 xhami në Prizren dhe 1 në Gjakovë që ishin të përafërta me karakteristikat dhe përmasat e xhamisë së Kaçanikut.

Falja e namazit në këtë xhami nuk ishte ndërprerë asnjëherë gjatë tërë historisë së saj deri në ditët e sotme. Falë arkitektëve dhe mjeshtërve të ndërtimit të asaj kohe, e njëjta i ka rezistuar kushteve atmosferike dhe tërmeteve që kanë ndodhur gjatë historisë pa asnjë dëmtim serioz“, tha ai.

Në vitin 1573 udhëpërshkruesi frëng Philip De Frense Kanaye në veprën e tij “Udhëtime për në lindje” për Kaçanikun e përshkruante si “Karavan Saraj shumë i bukur, por i braktisur për shkak të murtajës”. Sipas këtij përshkrimi, Kaçaniku kishte banorët e tij 21 vite para se të ndërtohej xhamia, gjithashtu ka pasur rrugë dhe rrugica me krejt infrastrukturën e një vendi urban të vogël sipas kushteve të asaj kohe

Edhe Evlia Qelebia e kishte vizituar Kaçanikun në vitin 1660 , vetëm 66 vite pas ndërtimit të xhamisë.

“Në Kaçanik jashtë kalasë janë 100 shtëpi, të gjitha me çati me tjegulla e me kopshte… “, shkruan ai.

Ramajli tha se në kohën e vizitës së Evlija Qelebis brenda kalasë së Kaçanikut gjendeshin 40 apo 50 shtëpi.

Sipas katalogut të përpiluar nga CHwB, KVRL Kaçanik, dhe Komuna, përveç vlerave të lartpërmendura disa nga trashëgimitë natyrore e kulturore janë: Kalaja Antike e Kaçanikut, Maja e Lubotenit, Oda e Familjes Luzha, bukuritë natyrore të Malit Sharr, Shtëpia e Ismajl Rakës, Sofra e Çobanëve, Kulla Shaip Hysaj, Rufki Brahës dhe e Halit Selmanit.

Ministria e Integrimit Evropian e përshkruan Kosovën me vlerat e saj të Trashëgimisë Kulturore si një vend shumë tërheqës dhe të hapur për të gjithë.  Kjo trashëgimi e pasur, gjendet në çdo pjesë të Kosovës, në parqet e qendrat arkeologjike, në parqet natyrore, në galeritë e artit, në arkivat fotografike e filmike, në kalatë dhe kullat, në monumente fetare dhe banesat popullore, në kalldërmat e rrugicat e ngushta, në shatërvanët  si edhe në të gjitha muzetë e saj. Trashëgimia materiale e Kosovës ka vlera në cilësi dhe sasi, është e njohur edhe  jashtë vendit, dhe shumë tërheqëse për vizitorët që duan të shikojnë kryeveprat e kulturës dhe artit, për t’u njohur me dëshmitë e parahistorisë, periudhës klasike, periudhës ilire etj.

“Veç muzeve të njohura, Kosova ka edhe shumë koleksione të artefakteve, jo të zakonshme, që befasojnë këdo dhe që shtrihen në çdo fushë, nga natyra tek arti, nga zejet tek etnologjia, nga arkaikja tek fetarja, nga materialja tek shpirtërorja“, tregohet tutje në këtë tekst.

Sahide Brati

 

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM