Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kaçaniku, një potencial turistik ende i pashfrytëzuar tërësisht

Gus 5, 2021

Sipas raportit nga Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) zhvillimi i sektorit të turizmit në Kosovë ka marrë një kthesë serioze në vitet e fundit me produktet e reja të turizmit të zhvilluara, infrastrukturën dhe shërbimin e përmirësuar, lidhjet me operatorët turistikë ndërkombëtarë dhe promovimin e intensifikuar ndërkombëtar si një destinacion.

Kaçaniku ka resurse të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit sidomos dimëror-sportiv, turizmit transit, malor dhe veror. Këtë e mundësojnë shpatet e Sharrit, Luboteni piktoresk, dy lumenjtë, shumë monumente kulturoro-historike etj.

Gjeografi Kosovar Xhokli veçon Grykën e Kaçanikut si një atraksion turistik që lidh dy qendra të mëdha si Prishtina, Shkupi dhe ka pamje të veçantë.

“Kjo grykë është e ngushtë dhe e thellë që ndan Malet e Sharrit dhe Karadakun e Shkupit, ku mesatarja e lartësisë mbidetare është diku rreth 2000 metra. Kjo e veçon për shkak se vargmali i Sharrit dhe Karadaku i Shkupit ndan fushat e kësaj të fundit dhe Rrafshit të Kosovës”, ka thënë ai.

Xhokli shprehet se banorët e këtij qyteti historikisht janë të lidhur me këtë ngushticë.

“Sipas të dhënave historike banorët e Kaçanikut janë quajtur si „derben“. Ky term iu dha ngase i ndihmonin njerëzit nga pjesa e Shkupit që vinin prej Selanikut, Greqisë ose më larg për të kaluar në territorin e Kosovës, përmes Grykës”, tha ai.

Sipas tij, malet ishin të rrezikshme ngaqë mund të ndodhnin plaçkitjet. Thotë se këtu lidhet edhe kultura edhe sjellja e vendasve të këtij qyteti sepse nuk ishin plaçkitës, vrasës, njerëz të kurthave, po thjeshtë përcjellës të karvaneve të ndryshme të njerëzve të panjohur të cilët kalonin për shkak të vështirësive, rrezikut dhe kushteve atmosferike.

Ai tregon se njerëzit kanë nxjerrë edhe përfitime duke i shfrytëzuar hapësirat e pakta që ka në këtë pjesë për pushimore dhe hapjen e një restoranti. Ai shton se ky lokal gjendet në krahun e majtë të Grykës. Emrin e ka marrë nga kjo pjesë „Gur i Shpum“, dhe vizitohet shumë për shkak të një pamjeje të bukur.

Gjatë periudhës viteve 80-90-ta ishte planifikuar të ndërtohet Sanatoriumi për njerëzit që kanë probleme me mushkëritë, frymëmarrje e të tjera.

Shkaku i rrethanave politike gjatë kohës së regjimit, sipas tij nuk është finalizuar kurrë ashtu siç është planifikuar të ndërtohet.

Ai e cilëson këtë pjesë si një turizëm kurativ i cili mund të jetë shumë i domosdoshëm për të tjerët shkaku rrymave ajrore që kanë efektin shërues te banorët.

Pas luftës ky është shndërruar në bazë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa tani është qendër sociale. Sipas tij, në aspektin turistik ky vend do të ishte ideal për një pushimore për ata që kanë probleme shëndetësore si sëmundjet kardiovaskulare, tuberkuloz e disa të tjera.

Gjeografi rrëfen edhe për Lepenci, lumin malor që buron në Oshllak në pjesën e Maleve të Sharrit dhe ka një kapacitet të ujit prej 9 metër kub ujë për sekond, një lum përmasash mesatare që konsiderohet si ndër lumenjtë më të shpejtë në Ballkan.

Për shkak të konfiguracionit të terrenit që e përshkon, ky lum mund të jetë shumë i egër: lumi ushqehet prej të reshurave dhe në moment që tejkalohet sasia mesatare e tyre mund të jetë dëmtues. Gjeografi rikujton rastin e vitit 1979 i njohur për rritjen ekstreme dhe dëmet që i ka shkaktuar vendit.

Xhokli shprehet se nga pastërtia që e karakterizon ka vizitorë të shumtë të cilët vijnë për peshkim dhe po ashtu ka llojet të ndryshme të gjallesave si trofta e lepencit, gaforrja.

Ai shprehet se banorët e kanë shfrytëzuar në forma të ndryshme këtë hapësirë atraktive shkaku iterracave lumore, për bujqësi, ujitje, not. Sipas tij, kohëve te fundit më shumë kanë nxjerrë përfitime ekonomike – disa vendas të fshatit Sllatinë kanë krijuar një ambient të përshtatshëm për turistët ditor.

Sipas Xhoklit, qyteti nuk është zhvilluar sa duhet në aspektin turistik ndonëse kohëve të fundit vërehet një trend tjetër. Gjatë periudhës së Ramazanit ka fluks të madh të qytetarëve në qytet sidomos të rinjve të cilët dalin për relaks në shëtitoret rreth lumit Nerodime. Kjo ka nxitur ata që merren me organizime të tilla të organizojnë edhe disa mbrëmje muzikore dhe të ftojnë për të performuar këngëtarë të njohur.

Ai nuk e lë anash Kalanë e Kaçanikut e cila përpos që është antike e ka rëndësi në aspektin historik ka edhe skenografi fantastike që nuk ka nevojë të investohet shumë. Në këtë vend ai tregoi se kohëve të fundit kanë filluar të mbahen disa koncerte.

Ai përmend edhe fshatin Doganaj i cili është zgjeruar me hapjen e 10 lokaleve gastronomike ku janë punësuar diku rreth 100 persona. Shton se numri ditor i 5-6 mijë banorëve lokal që i frekuentojnë këto vende është shtuar deri në 10 mijë edhe nga qytetet e tjera. Tutje thotë se edhe fakti që ky vendbanim në zone tranzite lidh Tetovën, Brezovicën, pjesën e Shkupit dhe Prishtinës ka sjellë zhvillim në turizëm dhe ekonomi.

Xhokli shpjegon se turizmi malor në Kaçaniku ndahet në tri zona: nacionale e Parkut Kombëtar që fillon me majën e Lubotenit, pjesa e staneve që shfrytëzohet sezona e verës për sektorin e bujqësisë. Zona lokale e fshatit Strazhë, me lartësi mbidetare mbi 1000 metra vend pushimi rekreacioni kampingu si dhe zona e Karadakut të Shkupit zonë malore rreth 1000 metra që me Sharrin e ndan Gryka e Kaçanikut.

Emel Abazxhik, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thotë se kjo e fundit ka qenë në gatishmëri dhe do të jetë për bashkëpunim me nivelin lokal me synime kryesore të zhvillimit të turizmit dhe aspektit ekonomik në përgjithësi. Ai thekson se në plane të punës kanë thellimin e bashkëpunimit mes komunave por që me disa prej tyre nuk janë dhe aq të kënaqur nga mungesa e koordinimit.

“Departamenti i Turizmit është në procesin e hartimit të Strategjisë së Turizmit dhe hartimin e Planit të Veprimit për implementimin e kësaj strategjie dhe aty parashihen aktivitete konkrete dhe plane zhvillimore në sektorin e turizmit”, ka thënë ai.

Para disa ditëve Departamenti i Turizmit ka mbajtur një tryezë me të gjitha komunat e Kosovës dhe, sipas Abazxhikut, qëllimi ishte koordinimi i mirëfilltë dhe thellimi i bashkëpunimit rreth zhvillimit të planeve, aktiviteteve në sektorin e turizmit, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e Komunës së Kaçanikut.

“Pas diskutimeve të shumta nga ana e tyre është kërkuar që të dërgohen planet e projektet konkrete çka parashihen të realizohen për periudhën 3 vjeçare por edhe më gjatë, me qëllim që aktivitetet e përbashkëta të përfshihen në Planin e Veprimit të Strategjisë. Jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave nga komunat”, tha ai.

MNT është në përfundim të projektligjit që ka të bëjë me këtë fushë.

“MINT ka përgatitur edhe projektligjin për Turizëm dhe është në fazën finale ku pasi të aprovohet Ligji i ri i Turizmit dhe Udhëzimet Administrative që derivojnë nga ky ligj besojmë shumë që e rregullon në masë të madhe fushën e turizmit në përgjithësi”, deklaroi ai.

Vitin e kaluar MINT lansoi webportalin e turizmit me qëllim të promovimit të vendeve turistike qe ka Kosova përfshirë edhe këtë komunë.

Sipas Bahri Selimit, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në Komunën e Kaçanikut në fushën e turizmit në përgjithësi janë realizuar disa projekte infrastrukturore në pjesët ku zhvillohet ky sektor dhe përmend projektin e disa viteve më herët të rrugës Guri i Zi-Strazhë i mbështetur nga Ministria e Infrastrukturës.

Ai konsideron se Kaçaniku ka potencial të madh, mirëpo aktualisht nuk vizitohet shumë shkaku i mungesës së investimeve më të mëdha dhe strategjike.

Enis Mjaku, nga Shoqata Bjeshkatare Alpiniste “Kaçaniku”, thotë se ky qytet përmban karakteristika gjeografike të përshtatshme e të favorizuara për turizëm malor dhe të monumenteve të lashta natyrore e historike.

“Si urë lidhëse e njohjes dhe vizitave të këtyre vendeve, e cila po luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim gjatë viteve të fundit është Shoqata Bjeshkatare Alpiniste Kaçaniku, një shoqëri sportive, e cila funksionon në kuadër të Federatës Bjeshkatare Alpiniste së Kosovës”, tha Mjaku.

Ai shprehet se qëllimet e kësaj shoqate janë me karakter social, sportiv e kulturor, e si detyrë për t’ua përcjell brezave të ardhshëm thekson njohjen e Kaçanikut dhe vendeve të tjera përreth.

“Organizimi i takimeve bjeshkatare Kaçaniku 2019, me ç’rast ishin të pranishëm bjeshkatarë e adhurues të natyrës nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare. U mbajt në shkollën e fshatit Ivajë të Komunës tonë ku bëmë dhe kamping në mbrëmjen e së shtunës rreth 300 persona, ndërsa të dielën ngjitëm majën e Lypetenit me 500 sosh”, shtoi ai.

Mjaku thotë se aktivitetet e tilla janë shtyllë e zhvillimit të turizmit dhe ky grup synon të mirën e përgjithshme ndonëse kanë vështirësi në aspektin financiar.

“Ne si shoqëri sportive funksionojmë me vetëfinancim, me ndonjë ndihmë vjetore minimale nga komuna, që nuk i përmbush as së afërmi kërkesat e një grupi sportiv me mbi 60 aktivitete vjetore, mirëpo mbesim me shpresë që do të ngritet vetëdija e udhëheqësve tanë e të kuptohet rëndësia dhe vlera e vërtetë e klubeve sportive”, tha Mjaku.

Ai rendit vendet e bukura për t’i vizituar që ka ky vend malor.

“Kaçaniku njihet si vend që rrethohet me vargamalet e Sharrit, një prej pjesëve më të bukura të Kosovës, që fillon me majën e Lubotenit, e cila njihet si njëra nga majet më të famshme të Kosovës, e vazhdon me liqenin e Livadhit (Gjoli), liqenin e Jazhincës, majën e Bistrës, Guzhbabës, liqenin e Konjushës, Majën e Zezë e shumë të tjera, të cilat paraqesin një bukuri përrallore të vendit tonë”, thotë ai.

Mjaku përmend edhe disa nga fshatrat e kësaj komune interesante edhe për kamping.

“Në pjesën jugperëndimore kemi fshatin Ivajë dhe Strazhë, dy fshatra të bukura, në mes të të cilave gjendet edhe liqeni, i cili ka vizitorë të shumtë. Në anën lindore dhe atë juglindore, kemi fshatrat Kërbliq, ku gjenden dy ujëvara të mrekullueshme. Fshatin Gjyrgjedell dhe Llanishtë, në mes të cilave gjenden dy përrenj të freskët nën pyjet e ahut, të cilat japin një freski të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Sa i përket sektorit të turizmit, ai sugjeron të rregullohet infrastruktura, të financohen projektet të cilat kanë të bëjnë me bjeshkatari dhe ecje në natyrë, shenjëzimi i rrugëve që çojnë nëpër pikat kyçe turistike. Gjithashtu, thotë të hapen qendrat e skijimit për stinën e dimrit, ngaqë ka terrene adekuat për këtë çështje.

Sinqerta Tusha, studente e menaxhment të turizmit dhe hotelerisë thotë se gjithnjë e ka interesuar sektori i turizmit dhe se kuriozitet nuk i ka ngjallë vetëm Kaçaniku por e gjithë Kosova për shkak të bukurive natyrore që i ka.

“Vendi im i preferuar është Luboteni, një vend që mund të shfrytëzohet edhe në dimër edhe në verë ku njerëzit mund të kalojnë vikendin atje ose çfarëdolloj pushimi qoftë veror apo dimëror” tha ajo.

Tusha thotë se komuna e Kaçanikut përpiqet të investojë në këto bukuri natyrore por prapë nuk është e mjaftueshme, ndërkohë që ajo sugjeron hapjen në qytet të ndonjë zyreje për informacion turistik dh më tepër investime.

Valon Raka, përfaqësues nga Gjethi tregon se në fillim të themelimit të kësaj organizate kishin organizuar disa aktivitete me bjeshkatarët për të vizituar vendet atraktive brenda territorit të Kaçanikut.

“Disa nga pikat janë Malet e Sharrit, posaçërisht vizitat e para të organizuara për në Majën e Lubotenit, kemi shkuar disa herë në fshatin Korbuliq tek dy ujëvarat, fshatrat turistike përreth si ai i Strazhës etj “, shprehet ai.

Raka tregon se përpos vizitave në këto lokacione ata kanë realizuar edhe dy projekte konkrete të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e turizmit.

“Shenjëzimi i Shtegut për Majën e Lubotenit ku u përfshi edhe ngritja e vetëdijes dhe vendosja e ulëseve dhe informatave rreth kësaj maje të bukur”, tha ai.

Kurse projekti tjetër u realizua në një fshat i cili u financua nga Komuna e Kaçanikut.

“Projekti tjetër është edhe shenjëzimi i shtegut për në fshatin Korbuliq si dhe vendosja e ulëseve dhe shenjëzimit të këtij shtegu. Në dy ujëvarat që gjenden në këtë fshat kemi bërë vendosjen e një platforme si dhe hapjen e shtegut e rregullimit të shkallëve”, shtoi ai.

Rexhep Lika, student i diplomuar i sociologjisë, banor i fshatit Strazhë tregon se gjatë verës ka vizitorë më shumë sidomos gjatë uikendit frekuentohet nga 1000-2000 njerëz.

Si veçanti të fshatit thekson lartësinë mbidetare, pyjet me ah, pishat, ajrin, natyrën dhe potencialin për zhvillimin e turizmit. Mirëpo…

“Mungesa e infrastrukturës, nuk ka as kontinierë të mjaftueshëm për mbeturina. Pronari i një restoranti këtu e ka angazhuar një punëtor të merret me këtë çështje dhe kjo nuk është në rregull se kompania duhet të përkujdeset, as banjo publike nuk ka”, shtoi ai.

Metush Sopa nga Kaçaniku, i cili aktualisht jeton në Londër tregon se sa herë që gjen kohë kur vjen në Kosovë zgjedh Strazhën dhe Prevallën për vizitë dhe thekson se edhe ushqimi i pëlqen shumë në këtë zonë.

Sipas tij, fshati ka shumë të mira dhe „nëse do të ishte në duart e anglezëve, gjermanëve do të rregullohej e do të kënaqej secili, por këtu tek ne nuk i kushtohet rëndësi“.

Naim Teneqja, menaxheri i restorantit të lartpërmendur „Guri i Shpum“, thotë se katër vite më pare pronari Sabit Hasani, kishte vendosur të investojë në këtë lokal pikërisht për arsyen se në atë pjesë ndodhej Guri i Shpum.

Mysafirët, sipas tij,  interesohen shumë per historikun e këtij vendi dhe shton se atraktivitetin i shton edhe pamja e autostradës dhe e natyrës.

Ai shprehet se ushqimet më të kërkuara janë ushqime tradicionale por edhe ato të kuzhinës moderne, ndërkohë që në afërsi të restorantit gjendet edhe shëtitorja e cila të shpie tek Gryka e Kaçanikut, ku ishte zhvilluar lufta kundër Perandorisë Osmane.

Sahide Brati

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Administratës Publike të Malit të Zi. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se reflekton pikëpamjet e donatorëve.

Ky projekt mbështetet në kuadrin e projektit rajonal “Së pari Komunitetet: Krijimi i një qendre të shoqërisë civile për të adresuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm – nga parandalimi në ri-integrim” i zbatuar nga Forum MNE (Mali i Zi), Qendra për Iniciativa Ligjore Qytetare (Shqipëri), Shpresa dhe Shtëpitë për Fëmijët BiH (Bosnjë dhe Hercegovinë), Partnerët Kosova – Qendra për Menaxhimin e Konflikteve (Kosovë), Qendra për Tokë të Përbashkët (Maqedonia e Veriut) dhe Qendra Kulturore DamaD (Serbi) e cila financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

“C*kli m*nstrual”

“C*kli m*nstrual”

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës...

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM