Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gjuhët e shteteve fqinje bashkojnë njerëzit, dhe jo shtetet

Gus 9, 2021

Studimi i gjuhës së huaj ka të bëjë me të mësuarit se si të komunikoni dhe të lidheni me të vërtetë me të tjerët , një aftësi tepër e rëndësishme jetësore që mund të kultivohet vetëm duke ndërvepruar me njerëzit.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë përmbledh se Kosova mbetet një shoqëri e ndarë në vija gjuhësore dhe se për gati njëzet vjet, fëmijët e komuniteteve shqiptare dhe serbe të Kosovës nuk janë arsimuar në të dy gjuhët zyrtare, ata vazhdojnë të arsimohen ndaras. Komunitetet shqiptare dhe serbe të Kosovës, gjithashtu, pranojnë kujdes mjekësor dhe shërbime komunale të ndara. Si rrjedhojë, gjeneratat e reja njohin dhe flasin vetëm njërën prej gjuhëve zyrtare dhe nuk mund të komunikojnë ndërmjet njëri tjetrit.

Në prill të vitit 2012 është themeluar Zyra e Komisionerit për Gjuhët, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bazë të Rregullores 07: “Ligji për përdorimin e gjuhëve obligon të gjitha institucionet publike dhe ofruesit e shërbimeve që të sigurojnë përdorimin dhe statusin e barabartë të dy gjuhëve zyrtare, gjuhës shqipe dhe gjuhës serbe si dhe gjuhëve zyrtare në nivel komunal dhe gjuhëve në përdorim zyrtar në nivel komunal.”

Përmes miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në mars të vitit 2007, Kuvendi i Kosovës harmonizoi legjislacionin ekzistues mbi përdorimin e gjuhëve dhe riafirmoi përkushtimin për të siguruar përdorimin e barabartë të gjuhëve zyrtare, gjuhës shqipe dhe serbe. Ligjvënësi gjithashtu përcaktoi kushtet përmes së cilave gjuhët e komuniteteve të tjera mund të njihen dhe përdoren në komunat, ku komuniteti i përfshirë gjuhësor përbën në pesë përqind të popullatës, apo ku gjuha e tyre flitet tradicionalisht.

Sipas regjistrimit të popullsisë, Kosova ka një popullatë prej gjithsej mbi 1.73 milionë banorësh, shumica shqiptarë përbën mbi  90% të popullatës, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga komunitetet jo-shumicë: serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, goranë, malazezë dhe kroatë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se pjesa e komunitetit serb në pozitë të komunitetit jo-shumicë në Kosovë është rreth 1.5% të popullatës nga rregjistrimi i popullsisë në vitin 2011.

Në hulumtimin e vitit 2018 e projektit “Mbështetje për përfshirjen sociale të komuniteteve pakicë”, nga Ambasada Britanike në Prishtinë, të cilin e zbaton Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për Gjuhët pranë Zyrës së Kryeministrit është tentuar të gjenden arsyet, perspektivat dhe pikëpamjet e përgjithshme të qytetarëve për çështjet më të rëndësishme të gjuhës, komunikimit dhe perceptimit të të drejtave gjuhësore në Kosovë. Përfundimi kryesor i këtij hulumtimi ishte se ka nevojë për të bërë përpjekje shtesë në bashkëpunim me institucionet për t’i çuar në një nivel më të lartë të drejtat gjuhësore dhe zbatimin e ligjit, por në të njëjtën kohë që duhet të punohet në sensibilizimin e shoqërisë dhe vendosjen e lidhjeve ndërmjet njerëzve.

Ligji i Kosovës mbi Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2006, thotë se shqipja dhe serbishtja janë gjuhët zyrtare të Kosovës dhe për këtë arsye të gjitha institucionet dhe ofruesit e shërbimeve publike janë të detyruara të sigurojnë përdorimin e tyre të barabartë në sistemin gjyqësor, institucionet shtetërore dhe komunale, ndërmarrjet publike, në media, arsim, shërbime sociale dhe në sektorin privat.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve trajton gjuhën shqipe dhe serbe si gjuhë të barabarta dhe zyrtare në nivel qendror e lokal, duke e bërë të obligueshme për institucionet ofrimin e shërbimeve në gjuhët zyrtare. Neni dy i ligjit thotë  se “gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe kanë status të barabartë në institucionet e Kosovës” dhe se të gjithë personat kanë të drejta të barabarta në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare në institucionet e Kosovës.

Bojan Stamenkovic në pozicionin e nënkryetarit në komunën e Kamenicës që nga marsi i vitit 2018, më parë 14 vjet në doganat e Kosovës dhe për një vit si nëndrejtor i Qendrës Rinore në Kamenicë, përveç serbishtes, flet rrjedhshëm shqip dhe anglisht. Si nënkryetar i Komunës, ai punon për të gjitha komunitetet në Kamenicë, si për komunitetet pakicë ashtu edhe për ato me shumicë shqiptare.

Sipas tij, mosmësimi i gjuhës së njëri-tjetrit është pengesë gjuhësore që duhet prishur për arsye që të punojmë dhe të sjellim bashkësitë së bashku, dhe se të mësosh një gjuhë që në moshë të vogël do të ishte e dobishme për të dy komunitetet. Po ashtu është shumë e rëndësishme të kuptohet gjuha e fqinjëve  në mënyrë që të ndërtohen ura miqësie dhe t’i ndihmohet vetes dhe të tjerëve në jetën e përditshme.

“Opsioni i vetëm që u mbetet atyre është anglishtja, e periudha e pasluftës ndikoi në krijimin e këtij vakumi midis komuniteteve, veçanërisht midis brezave të rinj,” shprehet për KosovaLive Bojan Stamenkovic.

Ardita Lahu e cila ka studiuar gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”  konsideron se mësimi i gjuhëve shqipe dhe serbe është i rëndësishëm dhe në favor për dy komunitetet, për arsye të shkëmbimit të kulturave.

“Para pak ditësh u takova  me një vajzë në parking, unë kisha lënë veturën afër saj dhe ajo nuk mund të dilte, filluam të flisnim anglisht por asnjëra nuk dinim mirë, dhe e kuptova që ishte nga komuniteti serb, u kuptuam më mire në gjuhën serbe. Këtu kuptova qe mësimi i çdo gjuhe është në  dobi tonë” shprehet ajo për KosovaLive.

Dëshira për mësimin e gjuhëve zyrtare tek të rinjtë ekziston, mundësia mungon

Në hulumtimin e opinionit publik të OJQ Qendra për Iniciativa Sociale, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, konstatohet se serbët në Kosovë pothuajse nuk flasin shqip. Sipas vetë-vlerësimit të të anketuarve mbi 16 vjeç, me mostër përfaqësuese prej 418 qytetarëve, shqip flasin 5%, pjesërisht e kuptojnë 31% dhe nuk flasin 64%. Shqiptarët në përqindje më të lartë flasin gjuhën serbe – 18% e flasin, 49% e kuptojnë pjesërisht e 31% e të anketuarve nuk e flasin. Ka një tendencë të dukshme të përkeqësimit të situatës në mesin e të rinjve, veçanërisht në mesin e të rinjve shqiptarë 96% e të cilëve thonë se nuk flasin dhe vetëm 4% e kuptojnë pjesërisht gjuhën serbe.

Can Muharremi nga Prishtina, është duke studiuar shkencat politike tregon se sa është i interesuar për të mësuar gjuhën serbe e po ashtu ai ka tre shokë të komunitetit serb e që bashkë komunikojnë gjuhën turke.

“Do të doja të mësoja gjuhën serbe, jam person që pëlqej të udhëtoj në vende të ndryshme dhe jam i interesuar të mësoj gjuhë. Përveç gjuhës time amtare shqip, gjuhët që unë mund të flas rrjedhshëm janë anglisht dhe turqisht. Unë kam udhëtuar në Serbi 3 herë dhe kam mundësinë të analizoj ndryshimet kulturore dhe ngjashmëritë atje. Unë kam 3 shoke të ngushtë serbë me të cilët flas shpesh, dhe do doja të dija gjuhën e tyre dhe ata gjuhën time.” 

Mila Mihajlovic nga komuniteti serb që jeton në Rubofc, autore libri, aktiviste për të drejtat e grave dhe pjesë e shoqërisë civile prej disa vite, shprehet se duhet të mësohet gjuha e njëri-tjetrit dhe tregon se është  duke e mësuar gjuhën shqipe. Sipas saj është e detyrueshme të kesh njohuri të kësaj gjuhe, të krijosh lidhje dhe të ndërtosh të ardhme dhe sukses të mëtejshëm me njerëzit e tjerë.

“Në Kosovë, bashkëpunimi midis komuniteteve ekziston në një shkallë shumë të ulët për shkak të mungesës së njohurive të gjuhëve të komuniteteve. Në këtë rast, serbishtja duhet të mësohet në shkollat ​​që janë duke punuar në sistemin dhe kurrikulën e Kosovës, njëlloj si shqipja duhet të mësohet në shkollat ​​që ndjekin sistemin arsimor serb, dhe kjo është zgjidhja që ne duhet të kërkojmë me iniciativën tonë si civile shoqërisë, sepse kjo do të na ndihmonte për të hequr pengesën gjuhësore që ka qenë e pranishme në Kosovë gjatë gjithë kohës pas konfliktit dhe luftës në territorin e saj. Jo vetëm kaq, kjo lloj zgjidhje do të ndihmonte qytetarët normalë të veprojnë në një mënyrë më të lehtë në baza ditore”,  thotë Mila Mihajlovic në intervistë për KosovaLive.

Vera Milic e cila  jeton në Kosovë në Prelluzhë, por tani për shkak të mësimeve si studente ne Universitetin e Gjuhëve në Beograd banon në Serbi, tregon dëshirën e saj për gjuhë të ndryshme duke shtuar se dëshiron të mësoj gjuhën shqipe sepse mendon që është mjaftë e dobishme pasi që banon aty me familje.

“Po ashtu pasi që unë jam duke studiuar gjuhët, dhe sa më shumë gjuhë të dijë aq më mirë për mua,” konsideron Vera Milic në një intervistë për KosovaLive.

Mila Mihajlovic shprehet se është shumë e rrallë të gjesh një person me njohuritë e gjuhës serbe, shërbimi i përkthimit është i nevojshëm nuk ofrohet dhe me ligj është deklaruar të kesh një përkthyes në institucione.

“Në fakt, meqenëse komuniteti serb është deklaruar zyrtarisht si një komunitet pakicë në Kosovë, ne nuk kemi të drejtë të kemi më shumë se 10% të zyrtarëve tanë në institucionet qeveritare ”, shton Mihajlovic në intervistë për KosovaLive.

Rast për të rikujtuar fjalët e  revolucionarit, shtetarit dhe aktivistit anti-apartheid të Afrikës së Jugut, i cili shërbeu si President i Afrikës së Jugut, Nelson Rolihlahla Mandela: “Nëse flisni me dikë në një gjuhë që ata e kuptojnë, kjo i shkon në kokë. Nëse i flisni dikujt në gjuhën e tij amtare, kjo hyn në zemrën e tij ”.

Aurora Zeqiri

Gazetaria e Paqes në mes të Rinjve Kosovar mbështetet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), e financuar nga USAID dhe implementuar nga Rinia Aktive e Graçanicës dhe KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

“C*kli m*nstrual”

“C*kli m*nstrual”

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës...

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM