Qendra e Studentëve është themeluar për nevojat ekskluzive të banimit/ushqimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, prandaj mos na mohoni të drejtën për të shfrytëzuar diçka që na takon neve, mos i lëni në rrugë mijëra studentë.
Nga ana e mediave kemi marrur informacione që Qendra e Studentëve pritet të shndërrohet në kamp të refugjatëve afganë, të cilët janë duke ardhur në Kosovë. Nuk e kemi pranuar as edhe një informacion nga institucionet përkatëse për këtë gjë dhe kjo nuk është hera e parë që organi më i lartë i studentëve po anashkalohet.
Ne jemi absolutisht për pranimin e refugjatëve afganë në Republikën e Kosovës, pasi që ashtu siç e kemi traditën e kulturën, asnjëherë nuk i kthejmë mbrapa njerëzit në nevojë. Madje, vet historia na rikujton që edhe ne ishim në lëkurën e tyre gjatë Luftës së Kosovës.
Por, të merren vendime në prag të fillimi të vitit të ri akademik, tani kur kanë mbetur gati 30 ditë para fillimit të rregullt të vitit akademik, që studentët të përjashtohen nga mundësia e qëndrimit në konvikte, kjo është e papranueshme. Mbi 4.000 studentë vendosën në ato konvikte, e nëqoftëse vendosen me masa të 1 studenti për 1 dhomë, atëherë rreth 1.400 studentë do të mbeten pa qëndrim në Prishtinë.
Parlamenti Studentor kundërshton kategorikisht vendosjen e refugjatëve në konviktet e studentëve, ka vende të mjaftueshme ku ata mund të vendosen dhe të krijohen kampe. Ne i bëjmë thirrje MASHTI-t që të anulojë këtë iniciativë, përndryshe do të ketë reagime legjitime studentore, për të mbrojtur studentët tanë, thuhet në postimin në Facebook të Parlamentit studentori UP-së.