Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kthehen në Kosovë eshtrat e shtatë viktimave të masakrës së Rezallës të gjetura në Serbi

Sht 30, 2021

Zbulimi i eshtrave të dy viktimave në dy varreza të ndryshme është dëshmi e mizorisë së shtetit shovenist serb, që kthehej në vendin e krimit për t’i vrarë për së dyti viktimat e veta, duke ua zhvarrosur trupat e duke ua shkapërderdhur eshtrat nëpër varreza masive në Serbi.  Kjo këtu sot, është e vërteta që është përpjekur të mbulohet në varreza masive, me heshtje mbi dy dekada, tha kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti në homazhet për viktimat e masakrës së Rezallës.

Së bashku me familjarët e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe Kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, z. Andin Hoti, Kryeministri Kurti ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule mbi arkivolet e nëntë viktimave të masakrës së fshatit Rezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë, e që sot u kthyen në Kosovë.

Sipas raporteve të identifikimit, eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja nga masakra e Rezallës si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

Riatdhesimi i mbetjeve mortore të viktimave u realizua në bashkëpunim dhe me përkrahjen e familjeve të viktimave, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, thuhet n​ë komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.

 

 

Të nderuar familjarë, qytetarë të Rezallës,

I nderuari z. Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur,

I nderuari kryetar i Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari,

Mungesa e përgjigjes për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve tuaj të zhdukur dhunshëm, rëndoi gjatë në jetën tuaj.

 

8215 ditë.

 

Askush nuk mund ta dijë a kuptojë peshën e rëndë të mungesës që koha ka shtuar mbi plagët  e shpirtit tuaj.

 

E madhe është dhimbja e kësaj dite.

 

I dhimbshëm e i ftohtë ky ritakim i familjeve, që sot po u kthen të dashurit e tyre.

 

E dhimbshme është dita për mijëra familjarë të tjerë, për të cilët ankthi i pritjes nuk ka fund.

 

Fëmijë, tani të rritur bashkë me pritjen për një përgjigje. Pleq, që nuk dinë për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre.

Të dashur familjarë,

 

Nuk ka fjalë që mund të plotësojë boshllëkun e mungesës së të dashurve tuaj.

 

E ndonëse janë shumë të vogla përballë dhimbjes për të dashurit tuaj, fjalët tona duhet përsëritur e thënë me zë të lartë. Që të dëgjohemi, më shumë se ata që e mohojnë gjenocidin. 

 

Masakra e Rezallës, është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

 

Më 5 prill të vitit 1999, Serbia, me forcat e saj të sigurisë, pushkatoi pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë. Pastaj i rrëmbeu edhe kufomat, dhe u përpoq që ta varros të vërtetën.

 

Sot, pas 22 vitesh, 5 muajsh e 25 ditësh pritje, na u kthyen: Shefqet Zabeli, Sadri Zabeli, Dibran Rukolli, Jonuz Rukolli, Hetem Deliu, Nezir Deliu dhe Nazif Hoti, që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë.

 

Bashkë me ta, nga varreza masive në Kizhevak, u kthyen edhe eshtrat e mbetur të Vesel Deliut dhe Behram Rukollit, një pjesë e eshtrave të të cilëve u patën gjetur vite më parë në varrezën masive, në Rudnicë të Rashkës.

 

Zbulimi i eshtrave të këtyre dy viktimave në dy varreza të ndryshme është dëshmi e mizorisë së shtetit shovenist serb, që kthehej në vendin e krimit për t’i vrarë për së dyti viktimat e veta, duke ua zhvarrosur trupat e duke ua shkapërderdhur eshtrat nëpër varreza masive në Serbi. 

 

Kjo këtu sot, është e vërteta që është përpjekur të mbulohet në varreza masive, me heshtje mbi dy dekada.

 

Tërë këto vite, ishit ju, familjarë, që thyet heshtjen dhe nuk lejuat harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.

 

Sot kujtojmë me nderim, guximin dhe fuqinë e familjeve që qëndruan e qëndrojnë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. 

 

Kujtojmë sot edhe nënat e baballarët që ndërruan jetë para se të mund t’i vënë për të pushuar, përjetësisht, eshtrat e fëmijëve të tyre. Nuk mund të ndalemi, derisa t’ua sjellim fëmijët në vendlindje dhe drejtësi për ta.

 

Ne e kemi për detyrë të këmbëngulim tek Serbia si përgjegjës për zhdukjen e tyre, që sa më shpejt të zbardhet fati i të zhdukurve me dhunë.

 

Për këtë arsye të zhdukurit janë çështja e parë në raportet e Kosovës me Serbinë. Për këtë arsye kemi insistuar në çdo takim për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për varrezat e tjera masive në Serbi.

 

Përgjegjësit për krimet e luftës vazhdojnë të cilësohen si heronj në Serbi dhe të mbajnë role publike, nga të cilat vazhdojnë të promovojnë politikat e njëjta që sollën kaq shumë shkatërrim e vuajtje, e humbje për ne dhe për rajonin.

 

Si mund të harrojmë, kur qëndrojmë e ecim mbi një tokë plot memoriale e varre, e edhe varre të zbrazëta.

 

Është detyrë e jona, për kujtimin dhe respektin ndaj viktimave dhe juve, familjeve të tyre, por edhe ndaj botës mbarë, që t´i adresojmë krimet e luftës. Prandaj qeveria jonë është duke ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm për ballafaqimin me të shkuarën, e për drejtësi për viktimat e që në të ardhmen të mos përsëriten kurrë më këso krimesh.

 

Përulem me nderim para dëshmorëve e martirëve.

 

Para juve, për forcën dhe durimin e palëkundshëm.

 

I përjetshëm qoftë kujtimi për familjarët tuaj.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM