Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Është e rëndësishme që të adresohet e shkuara dhe transmetimi ndër-brezorë i traumës

Tet 13, 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e promovimit të librit dhe ndarjes së çmimit “Vasfije Courage Award”, në njëzetë e dy vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës. ka thënë se sot i falënderohemi për forcën e pashembullt zonjës Vasfije Krasniqi, e cila e ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunajt, si dhe zonjës Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila ka ndarë rrëfimin e saj në librin për të cilin jemi mbledhur këtu.

Ai vlerësoi si të rëndësishëm dhe të veçantë librin “Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve”, të autores Wiola Rebecka, që përmbledhë rrëfime të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës nga pjesë të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën.

Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e adresimit të së shkuarës dhe trajtimit të transmetimit ndër-brezorë të traumës. “Marrë parasysh sa pak kemi bërë për të adresuar të shkuarën e për t’u ballafaquar me të, është një lloj luksi që të merremi në këtë moment edhe me transmetimin ndër-brezorë të traumës. Nëse nuk fillojmë të merremi tash me të, do të na ndjekë dhe zë pas shumë viteve, sërish të papërgatitur,” tha ai.

Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë në krah shtetin e tyre dhe do të kenë përkrahje më të madhe, potencoi kryeministri Kurti.

 

 

Dëshiroj të filloj fjalën time duke ju falënderuar për ftesën dhe natyrshëm, Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës t’ia uroj 22 vjetorin e themelimit. Ka shumë pak organizata, qendra e entitete në Kosovë që në një formë interdisciplinare adresojnë nevojat e të mbijetuarve të torturës ashtu siç e bën Qendra juaj.

 

Puna me të mbijetuarit e torturës nuk është aspak e lehtë. Nevojitet një gamë e gjerë iniciativash të cilat gërshetohen dhe arrijnë të adresojnë një pjesë jo të madhe të problemit.

 

Në Kosovë për fat të keq këto iniciativa e ky gërshetim deri tash është bërë kryesisht nga organizatat e shoqërisë civile, me përkrahje minimale nga shteti. Me iniciativë edhe më minimale nga shteti.

 

Është e rëndësishme që të adresohet e shkuara, dhe bartësve të dëmit nuk u intereson aq se prej kujt adresohet, prapëseprapë është jetike që adresimi i të shkuarës të jetë stabil. E stabiliteti nënkupton iniciativa solide të cilat qasjen e kanë nga poshtë-lartë, por realizimin e kanë nga institucionet kompetente e adekuate të shtetit.

 

I përmend këto sepse janë me shumë rëndësi në momentin kur flasim për të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shteti ka dështuar që t’u njoh statusin e viktimave civile deri në vitin 2014. E megjithatë, falë punës së profesionistëve të fushës, këto gra e burra kanë pasur përkrahje në vazhdimësi. Sot, dëshiroj të theksoj se do të kenë përkrahje edhe më të madhe sepse tash i kanë në krah edhe institucionet e shtetit të tyre.

 

Është i rëndësishëm sa edhe i veçantë libri që po promovohet sot. Libër ky që bënë bashkë ekspertizën e autores Wiola Rebecka në psikologjinë e traumës dhe shërimit, me rrëfime nga mbarë bota e nga periudha të ndryshme kohore, të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, dhe traumave të shumëfishta e të stigmatizimit.

 

Ne nuk mundemi as të imagjinojmë tmerrin që të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës kanë përjetuar, e as vuajtjet e vazhdueshme pas luftës, traumat, izolimin dhe stigmën.

 

Prandaj sot u falënderohemi për forcën e pashembullt zonjës Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila e ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunajt, si dhe zonjën Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila ka ndarë rrëfimin e saj në librin për të cilin jemi mbledhur këtu.

 

Unë natyrisht nuk kam pasur mundësi ta lexoj librin, duke mos e pasur atë ende, megjithatë kur isha duke lexuar mbi biografinë e autores dhe përshkrimin e librit, më ra në sy diçka. Kur përshkruan veten, autorja shprehimisht thotë: “Jam gjenerata e tretë e të mbijetuarës së përdhunimit nga Holokausti e ndikuar personalisht nga trauma transgjeneracionale”.

 

Ky termi “traumë transgjeneracionale” konsideroj se është tejet i rëndësishëm, por shumë pak i hulumtuar te ne. E kuptueshme është që marrë parasysh sa pak kemi bërë për të adresuar të shkuarën e për t’u ballafaquar me të, është një lloj luksi që të merremi në këtë moment edhe me transmetimin ndër-brezorë të traumës. Nëse nuk fillojmë të merremi tash me të, do të na ndjekë dhe zë pas shumë viteve, sërish të papërgatitur.

 

Para disa viteve u pata përballë me konceptin e traumës transgjeneracionale përmes Philippe Sands dhe Jan Kizilhan, të cilët flasin për tre lloj traumash: trauma individuale – ku abuzimi ndjehet direkt nga personi, trauma kolektive – ku abuzimi shpërndahet edhe tek anëtarët e komunitetit, dhe trauma transgjeneracionale ku krimet e shkuara barten nëpër breza. Sands më kujtohet që flet pikërisht për atë që në librin që promovohet sot flet autorja Rebecka – traumën transgjeneracionale që fëmijët përjetojnë sot si rezultat i krimeve më të cilat janë përballur gjyshërit e tyre.

 

Prandaj është jashtëzakonisht e vlefshme dhe e dobishme që të përdorim platforma si kjo, që të diskutojmë mbi atë që ka ndodhur, si është adresuar, dhe cila është mënyra më e mirë që të trajtohen në afat të gjatë përjetime të tilla.

 

Vetëm duke diskutuar direkt me bartësit e dëmit, do të arrijmë që sado pak t’i afrohemi adresimit të nevojave të tyre në mënyrë gjithëpërfshirëse.

 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM