Me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti kyeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkovic.
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministrit Plenkovic, iu urua mirëseardhje në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga kryeministri Kurti.
Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave, anëtarëve të kabineteve e përfaqësuesve të tjerë institucional, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe dy republikave.
U bisedua për mundësitë e potencialin që kanë dy qeveritë për bashkëpunim bilateral, që do të sigurojë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID-19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare.
U diskutuan hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të dymbëdhjetë marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve, për arsimin, shkencën, kulturën dhe ekonominë, si dhe shtatë marrëveshje të tjera, që pritet të finalizohen së shpejti.
Kryeministri i Republikës së Kosovës i ndau mirënjohje kryeministrit të Republikës së Kroacisë Plenkovic, për miqësinë, marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe mbështetjen historike të Republikës së Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.
Në takim ishin të pranishëm edhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, dhe Enver Dugolli, deputet i Kuvendit të Kosovës, Grupi i Miqësisë Kosovë – Kroaci; me anëtarët e delegacionit kroat: Danijela Barisic, Ambasadore e Kroacisë në Kosovë, Zvonko Milas, sef i Zyrës Qendrore Shtetërore për kroatët Jashtë vendit, Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete e Kuvendit të Kroacisë, dr. Josip Samardzic, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Slavonski Brod, si dhe Josip Glasnovic, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike në Rio 2016.
Për të biseduar për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik, takimit iu bashkuan edhe përfaqësuesit nga komuniteti kroat i biznesit: Gordana Kovacevic, presidente e Bordit Drejtues të Nikola Tesla Ericsson, Milan Zivkovic, drejtor për Zhvillim të Biznesit në Ericsson Nikola Tesla, Ivan Tomsic, Konçar – Elektroindustrija d.d., Boris Brestovac, Konçar – Elektroindustrija d.d., Ines Obradovic, drejtore e Sektorit për Çështje Ndërkombëtare, Oda Ekonomike Kroate, drejtuesit e ndërmarrjeve publike të Kosovës Nagip Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Burbuqe Hana, ushtruese e detyrës së Kryeshefit të Telekomit të Kosovës; si edhe Nora Hasani, drejtore ekzekutive, Shoqata e Bizneseve Gjermano-Kosovare, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.