Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kryeministri Kurti uron Ditën e Forcës: Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor

Nën 27, 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës ka marrë pjesë sot në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës. Nga kazerma ushtarake “Adem Jashari”, në fjalët e tij uruese për këtë ditë të rëndësishme duke iu drejtuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai tha se ju jeni ushtarë të një popullit historik dhe të një kombi të madh e të lavdishëm, jeni vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë vit, Kosova ka vërtetuar edhe një herë se është një partner dhe aleat i besueshëm i shteteve partnere. Hapi dyert për ushtarakët nga e gjithë bota në kuadër të ushtrimit më të madh fushor DEFENDER EUROPE 21 dhe qe një nga 27 shtetet pjesëmarrëse dhe 16 shtetet nikoqire të këtij ushtrimi. I shërbeu paqes gjatë bashkë zbarkimit të parë në Kuvajt duke demonstruar që është e aftë të shërbej krah për krah me vendet anëtare të NATO-s. U doli në ndihmë partnerëve amerikanë dhe NATO-s me evakuimin e refugjatëve afganë duke treguar gatishmërinë për të marrë përsipër obligime dhe përgjegjësi që në raste krizash kudo në botë të mbështetë paqen. Prandaj sot edhe kemi shumë arsye për të festuar dhe për të uruar 27 nëntorin, Ditën e Forcës së Republikës së Kosovë, ditën e ushtrisë së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti.

Karshi rëndësisë dhe sukseseve të Forcës së Sigurisë, dhe si përgjigje ndaj sfidave me të cilat përballet Forca jonë, kryeministri Kurti, në fjalën e tij, tha se si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi menduar domosdoshmërinë e buxhetit dhe ligjeve për mbarëvajtjen e funksionimit të FSK-së. Prandaj për vitin e ardhshëm kemi ndarë një buxhet prej mbi 100 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes apo 1.3% të Bruto Produktit Vendor duke synuar që së afërmi të mbërrijmë edhe standardin prej 2% të BPV-së që parasheh një ushtri e NATO-s. “Ushtria është detyrë dhe projekti ynë madhor. Nuk kemi nevojë ta themi se është prioritet, sepse mbrojtja e Republikës është prioritet që nuk ka nevojë të thuhet”, deklaroi kryeministri Kurti në fund të fjalës së tij.

Kryeministri Kurti po ashtu falënderoi partnerët, vendet mike e aleatë për përkrahjen e tyre në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së. Ai tha se Kosova dhe FSK-ja rritet me këshillat e tyre dhe ndihmën që ofrojnë dhe se në zhvillimin e Forcës jemi bashkë dhe të pandarë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, Komandanti i Forcës së Sigurisë, Gjenerallejtnant Rrahman Rama dhe Zëvendës Komandanti, Gjeneral Cakiqi, përfaqësues të korit diplomatik të shteteve mike, deputetë të Republikës së Kosovës dhe oficerë, zyrtarë të lartë dhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Ju jeni ushtarët e një populli historik. Dhe madhështia e një kombi matet me historinë tonë. Eh pra, Kombi ynë është i madh. Është një komb i lavdishëm dhe me histori. Por, miqtë e mi, po përpiqem t’ju them më mirë e më shtruar se ç’jeni ju në sytë e mi dhe të trupës së qeverisë. Po të shprehem sërish shkurt, atëherë do të thoja: Ju jeni vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne jemi të qartë se çdo shtet e ka kusht të domosdoshëm ndërtimin e ushtrisë së vet. Por, për të qenë shtet modern dhe i virtytshëm ai duhet të shohë tërësinë e ushtarit të vet, sepse tërësinë e asaj që ne e ndërtojmë në jetët tona, në çdo funksion e rol në jetën tonë, krejt jetën, punën dhe veprën tonë e mbron pikërisht ushtria.

 

Në zemrën e ushtarit tonë është dashuria për njerëzit, që ju e keni dëshmuar në Kosovë, në misionet për fatkeqësitë natyrore në Republikën bashkëkombase të Shqipërisë, por edhe në misionet që keni marrë përsipër në territoret e largëta.

 

Në dijen e ushtarit është historia e popullit. Secili prej jush është rritur me emrat e ndritur që me vullnetin e tyre e kanë krijuar ushtrinë pa patur ndihmë institucionesh, e kanë nxjerrë ushtrinë nga gjiri i këtij dheu. Tashmë ju jeni ushtria e një shteti të këtij kombi, andaj dhe qeveria do të mbështesë më së pari lulëzimin e ushtrisë së vet. Ne nuk guxojmë të veprojmë ndryshe.

 

Në vetëdijen e ushtarit është qenësia e qytetarit më sublim të Republikës.

 

Në jetën e ushtarit është historia e familjes, fisit, është pjekuria që vjen prej ngjarjeve. Secili prej jush, afër ose larg, e ka një dëshmor në fis. Nuk ka më të ndritur se një ushtri shtetërore ku shpirtrat e dëshmorëve vijnë përmes trupave dhe jetëve të reja të ushtarëve. Ushtria jonë është e re, por faktet e betejës mbulojnë shekuj. Andaj nëse ushtria jonë është e re, ushtarët tanë kanë natyrshëm moshën e luftës për lirinë e kombit. Ju jeni pra vërtet të rinj, por unë jam i kthjellët mbi pjekurinë tuaj të thellë.

 

Ju jeni ushtria që lidh historinë e Kosovës me shtetin e Kosovës. Pra, bashkë me të qenit ushtri, ju jeni një prej themeleve më të thellë të Republikës.

 

Në trupin dhe mendjen tuaj është korrektësia e disiplinës dhe e kolektivit, e hierarkisë dhe strategjisë. Ju duhet të jeni shembulli i shkëlqyer i jetës së përgjegjshme dhe me vlerë.

 

Urime Dita e Forcës së Republikës së Kosovës! Sot kemi shumë arsye për të festuar. Forca e Sigurisë së Kosovës edhe njëherë ka dëshmuar që është Forcë profesionale, e përkushtuar të marr detyra të reja në shërbim të vendit dhe të paqes kudo në botë.

 

Këtë vit, Kosova prapë ka vërtetuar që është partner dhe aleat i besueshëm i shteteve partnere. Ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe ketë vit na kanë bërë krenarë dhe e kanë lartësuar vendin tonë. Sivjet, Kosova ka hap dyer për ushtarakët nga e gjitha bota për ushtrim më të madh fushor DEFENDER EUROPE 21, nga 27 shtete, ku ne ishim në mesin e 16 shteteve nikoqire me pjesëmarrjen e 330 ushtarakëve tonë. Dhe, Kosova ka dërguar ushtarak t’i shërbej paqes në bashkë zbarkimin e parë në Kuvajt dhe kështu ka demonstruar që është e aftë të shërbej krah për krah me vendet anëtarët të NATO-s.

 

Kosova këtë vit i ka dal në ndihmë NATO-s dhe miqve dhe parterëve tanë amerikanë me evakuimin e refugjatëve Afganë. Kjo tregon që në raste krizash kudo në botë, ne marrim obligime dhe përgjegjësi për ta ndihmuar NATO-n dhe vendet mike dhe për ta mbështetur paqen, sepse kështu e shohim bashkëpunimin me shtete me të cilat ndajmë vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe paqes.

 

Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi menduar domosdoshmërinë e buxhetit si dhe ligjeve për mbarëvajtjen e funksionimit tuaj, vëmendjen buxhetore për armatimin më të specializuar, sepse ne e duam ushtrinë tonë të specializuar. Një shtet gjenerohet që prej pastrimit të tij prej korrupsionit e deri te mbrojtja e tij ushtarake.

 

Ne kemi vendosur si qëllim rekrutimin. Por kjo nuk është thjesht një rritje në numër. Më e rëndësishme se numri është shtrirja e ndjenjës së përgjegjësisë së ushtrisë sonë mbi një masë të madhe të rinisë. Dhe jo më kot ne kemi buxhetuar rritjen e një rinie të shëndetshme. E kemi planifikuar që me çerdhet e deri në arsimin e lartë. Por duhet ditur se një nga format më të mira të edukimit, mënyrat më afatgjata dhe më të qëndrueshme të njeriut është edukimi ushtarak. Në edukimin ushtarak, i riu dhe qytetari në përgjithësi ndeshin dhe gjallojnë konkretisht virtytin. Kjo është arsyeja shtesë pse uniforma është shumë e respektuar. Ajo është uniforma e një njeriu që e ka vënë trupin e mendjen në shërbim të kolektivit të një populli. Nëse policia i shërben kolektivit të shoqërisë, ushtria i shërben kolektivit të popullit.

 

 

E di që kemi shumë çështje e sfida si për shembull puna për motivimin e ushtarëve sepse disa po largohen, e duhet riparë edhe struktura e FSK-së; mundësia e gradimit brenda njësisë; rregullimi i pagave dhe mëditjeve (rrezikshmëria në punë) për pjesëtarët aktivë të FSK-së, si dhe të ketë vija të transportit në të gjithë qytetet kryesore të Kosovës; njësitë operacionale të pajisen edhe me armë të shkurtra meqë ka pengesa që shkakton arma e gjatë në punët profesionale e të specializura; t’u jepet përparësi njësive operacionale, e për këtë kërkoj angazhim në rritje të ministrit, e të tjera, e të tjera. Por bashkë, një nga një e të gjitha këto e shumë të tjera do t’i trajtojmë e do t’i zgjidhim.

 

Si qeveri ne i vlerësojmë të gjithë funksionet e shtetit të ndërlidhur. Aty gjejmë kolektivin e manteleve të bardhë që i shërbejnë shëndetit publik, e që së fundi i kemi krahasuar me ushtarët, pikërisht për të shfaqur në atë lartësi që meritojnë sakrificën dhe vetëmohimin e tyre. Po aty është edhe roli i ushtrisë së mësuesve, të cilët duhet të na përgatisin suksesin e inteligjencës së ardhshme. Edhe për mësuesit, kur duam të shprehim lartësinë e misionit të tyre si trupë e madhe e edukimit, ne themi po ashtu: ushtria e mësuesve. Mendojeni pra se sa e rëndësishme është për qeverinë ushtria e ushtarakëve. Prandaj kemi ndarë një buxhet 1.3% të Bruto Produktit Vendor, që së afërmi të mbërrijmë standardin 2% të Bruto Produktit Vendor që kërkon një ushtri e NATO-s. Ne mund të vonohemi në të gjithë proceset e integrimeve të tjerë, por jo në procesin jetik dhe madhor të Ushtrisë sonë të integruar. Rekrutimet e reja, detyrimi i përgatitjes ushtarake, armatimi i sofistikuar, buxhetimi serioz, përgatitja e lartë e juaja në gjeostrategji dhe në histori politike, janë të gjitha mundësitë që duhet të shfrytëzojmë.

 

Në këtë ditë jemi falënderues edhe parterëve, vendeve mike e aleate për gjithë përkrahjen në modernizimin dhe trajnimin e FSK-së. Kosova dhe FSK-ja rritet me këshillat tuaja dhe ndihmën që ju ofroni. Në zhvillimin e Forcës jemi bashkë dhe të pandarë.

 

Në këtë nëntor, sikur edhe në çdo nëntor tjetër, e kujtojmë sakrificën e gjeneratave që ne sot të jetojmë të lirë, t’i gëzohemi të arriturave tona dhe të punojmë për vendin tonë. Nëntori është muaji i përkujtimit të qëndresës, të fuqisë dhe përkushtimit ndaj atdheut dhe lirisë. Nëntori na e rikujton sa e shtrenjtë është liria.

 

Edhe njëherë Urime 27 nëntori, Dita e Forcës, Dita e ushtrisë së Kosovës!  

 

Ushtria është detyra dhe projekti ynë madhor. Nuk kemi nevojë ta themi se është prioritet, sepse mbrojtja e Republikës është prioritet që nuk ka nevojë të thuhet.  

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM