Build Skills with our trainings

Sign up now!

Banorët e Drenasit po i “merr malli të dalin në oborr” shkaku i Ferronikelit

Dhj 13, 2021

“As bora kur bie nuk është e bardhë” – thonë qytetarët e Drenasit të cilët jetojnë në afërsi të fabrikës së Ferronikelit. Ata tregojnë se vit pas viti shtëpitë e tyre i mbulon një shtresë e zezë pluhuri, një shtresë që drejtpërsëdrejti rrezikon shëndetin e banorëve të kësaj komune. 

 Dhjetra banorë në Drenas janë diagnostikuar me sëmundje të rënda në mushkëri. Mjekët e  zonës shprehen se shkaktari kryesor është ndotja e lartë e ajrit që vjen nga Fabrika e Ferronikelit . Edhe pse kjo fabrikë është e pajisur me leje mjedisore, sipas raporteve ndotja që e shkakton në ajër dhe në tokë, prej disa vitesh, është shumë më e lartë  se normat e lejuara. KosovaLive ka mësuar se prej disa kohësh kjo fabrikë po i depoziton  skorjet pranë një vendburimi i cili furnizon tri fshatra. Ekspertët mjedisore deklarojnë se këto mbetje, janë një kërcenim i madh për jetën e banorëve, pasi rrezikojnë të kontaminojnë ujin nga ku furnizohen këto fshatra.

Etrit Qorri nga komuna e Drenasit thotë se problemet e të jetuarit pranë Fabrikës së Ferronikelit janë të shumta. Ndotjen e ajrit, ujit e tokës nga kjo fabrikë, ai e dëshmon me fotot që ka realizuar në një ditë të zakonshme për të e qytetarët tjerë që jetojnë në afërsi të kësaj fabrike.

“Ajri i ndotur nga fabrika më së shumti vërtetohet në stinën e dimrit kur bie borë, kur pas një apo dy ditësh vërehet se bora ka marrë ngjyrë të zezë, e gjatë verës sipërfaqet e ndotura nga këto grimca mund të dallohen lehtë, ku të gjitha kulturat bujqësore, përfshirë pemët dhe perimet që rriten në ambiente të jashtme janë të mbuluara me këtë shtresë”, thotë ai për KosovaLive. 

Qorri shprehet i shqetësuar se si nga kjo ndotje e ambientit po rrezikohet shëndeti i qytetarëve të kësaj komune.

“Unë kam probleme me mushkëri, kam bërë kontrolle të shumta te specialistë pulmologë dhe pothuajse dy herë në javë marr inhalator. Të njëjtin problem me kollitje dhe probleme në mushkëri e kanë pothuajse të gjithë banorët që jetojnë shume afër fabrikës”, thotë ai.

Për rrezikun e ndotjes nga kjo fabrikë brengoset edhe banorja e lagjes së Ferronikelit, Mimoza Bajraktari.

“Kjo ndotje ka qenë një ndër shkaqet e ardhjes deri tek sëmundja e disa të afërmve të cilët kanë përfunduar më sëmundje të mushkërive”, rrëfen ajo.

Sipas Arbesa Qorrit, nga po e njëjta lagje, problemet me të cilat po përballen shpesh herë janë të papërballueshme. E për këtë situatë, ajo është shprehur se kanë bërë edhe ankesa shumë herë por që nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.

 “Përderisa fabrika është një ndotës i madh i ambientit që na rrethon ne jemi në kontakt të pandërprerë me tym e grimca të tjera të gazeve. Normalisht kjo ka bërë që shumë banorëve dita-ditës të shfaqin probleme me frymëmarrje”, thotë ajo.

Se Fabrika e Ferronikelit po ndikon në ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës vërtetojnë raporte të shumta të realizuara deri tani.

Problemit të ndotjes, i shtohet hedhja e skorjes në afërsi të banimeve dhe burimeve të ujit. Skorja  po shkala e fabrikës, siç e quajnë banorët është një produkt i procesit të shkrirjes së xehes i cili hidhet në fshatin Cikatovë e vjetër, në deponinë e quajtur Dushkaj, e cila është vendosur me anë të lejes së Integruar Mjedisore të lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2017. 

Xhavit Drenorit, kryetar i Iniciativës Qytetare “Green për Drenas” thotë se transportimi i skorjes është i pambuluar, derisa në deponinë ku hidhet ajo, kanë qasje të vazhdueshme të gjithë qytetarët.

Sipas tij, Ministria e Mjedisit nuk ka inspektuar cilësinë e ajrit në kohën kur i ka lëshuar leje mjedisore fabrikës së Ferronikelit.

Ndërsa, ai është shprehur se pjesa më e dëmshme e kësaj deponie është hedhja e saj në një burim të ujit i cili gjendet afër deponisë, burim i cili përdoret nga qytetarët.

“Ky burim është ndërmjet tri fshatrave, Çikatovë e vjetër, Gllanasellë dhe Dobroshevc, burim prej të cilit shumë bunarë të ujit të pijes do të helmohen nga ajo deponi. Dëmi që ju ka shkaktuar qytetarëve nga kjo skorje sipas ekspertëve të mjedisit është një shekullorë, aq sa ka jetëgjatësi kjo skorje dhe si e tillë nëse vjen në kontakte me njeriun dhe gjallesat, shkakton sëmundje të cilat janë të pashërueshme”, thekson ai për KosovaLive.

Drenori thotë se kanë bërë edhe kallëzim penal ndaj kësaj fabrike, por që nuk është ndërmarrë asnjë veprim deri tani.

Lidhur me akuzat ndaj fabrikës së Ferronikelit për ndotje të ajrit, ujit e tokës, KosovaLive ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga kjo fabrikë, por përkundër insistimit, pyetjet e dërguara kanë mbetur pa përgjigje.

Ç’është e vërteta, kjo fabrikë edhe në të kaluarë nuk ka qenë shumë e qasshme për media.

Njohësi i çështjeve të ambientit, Ilir Morina thotë se Ministria e Ambientit do të duhej të bënte kontrolle të rrepta ndaj kësaj fabrike, dhe se kjo fabrikë do të duhej t’i përmbahet asaj që është zotuar kur i është dhënë licenca.

 “Fabrika e Ferronikelit veçse është pajisur me leje mjedisore, kështu që i mbetet vetëm kontrolli i rreptë i ministrisë dhe inspektoratit që t’i përmbahet atyre që i ka nënshkruar dhe është zotuar dhe që i ka në licencë. Fabrika gjithashtu e bënë edhe vetë monitorimin që raporton ndotjet”, shprehet Morina.

Përveç monitorimit të obliguar të punës së kësaj fabrike nga ana e Ministrisë së Mjedisit, një gjë të tillë e ka planifikuar edhe komuna përmes planit zhvillimor të miratuar nga Kuvendi Komunal i Drenasit.

“Pasi që Ferronikeli është një ndër ndotësit kryesor të ajrit, ujit dhe tokës ndikimi në mjedis do të monitorohet përmes matjeve të vazhdueshme të përqendrimit SO2, CO, NO2, O3 dhe përqendrimit të pluhurit në qendër të qytetit dhe vendbanimet afër Ferronikelit. Matjet do të bëhen në mënyrë periodike (min 1 herë në muaj) me stacione mobile rreth e rrotull Ferronikelit dhe deponive në Çikatovë të Vjetër dhe të bëhet vendosja e filtrave”, thuhet në planin komunal.

Ndërsa, sipas monitorimit javorë përmes Institutit Hidormeterologjik të Kosovës cilësia e ajrit në Drenas thuajsë në të gjitha ditët është e ulët.

Derisa mos të bëhet një zgjidhje për ruajtjen e ambientit e përmirësimin e cilësisë së ajrit, banorët e komunës së Drenasit vlerësohet se do të jenë të ekspozuar ndaj sëmundjeve të ndryshme.

Pulmologu Flamur Marku thotë se ndotja e ajrit është shumë e dëmshme për shëndetin e qytetarëve, sidomos atyre me sëmundje të mushkërive. Sipas tij, gjatë ekspozimit të madh ndaj grimcave që lirohen në ajër, te qytetarët do të shfaqen sëmundje kronike të mushkërive, bronkiti, asma e sëmundje tjera.                                                                                           

 “Ndotja e ajrit që krijohet si pasojë e lëndë djegëse të ndryshme të cilat lirohen në ambientë ato janë shumë të dëmshme për shëndetin e pacientëve sidomos të atyre që janë me sëmundje të mushkërive, sepse gjatë ekspozimit të madh për një kohë të gjatë ndaj këtyre grimcave do të shfaqen edhe sëmundje kronike të mushkërive, bronkiti, asma, e sëmundje të tjera”, shprehet ai.

Për të gjitha problemet të cilat u’a shkakton kjo fabrikë, banorët e Drenasit në muajin maj të këtij viti kanë mbajtur një protestë para objektit të Ministrisë së Mjedisit.

Me pankartat në duar “Në Drenas bartja e maskës është e domosdoshme edhe pa qenë pandemi”, “Më ka marr malli me dal në oborr”, qytetarët kërkuan që të merren masa ndaj kësaj fabrike.

Rinesa Qorri

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM