Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e albumit “Përvjetori i 40-të i pranverës, 1981 – 2021”, me autorë Sylë Mujaj dhe Hydajet Hyseni.
Kur e shënojmë 40 vjetorin e pranverës ‘81, padyshim se aq sa duhet t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes atë vit të lavdishëm, në të njëjtën kohë kemi për detyrë që me këso botimesh sikurse ky që po promovojmë sot, t’ua bartim një trashëgimi të vlefshme edhe atyre që kanë lindur shumë më pas, por ndonëse nuk i kanë ato sfida të asaj kohe, nuk është se nuk i kanë disa rreziqe, që nuk janë aq të reja, tha kryeministri Kurti në ceremoninë e organizuar në Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, në Prishtinë.
Prandaj kur rreziqet nuk mplaken, nuk do të duhej që as qëndresa, rezistenca dhe organizimi ynë të mplaket, shtoi ai, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Kryeministrit.