Build Skills with our trainings

Sign up now!

Saga e “shpëtimit” të lumenjve të Deçanit nga betonimi vazhdon

Dhj 13, 2021

Edhe ato kapacitete të pakta ujore në Kosovë, po rrezikohen nga tentativat e vazhduara të faktorit njeri për t’i shndërruar ato në hidrocentrale.

Kjo dukuri, u shpërfaq së fundmi në një zonë të rrafshit të Dukagjinit, në Deçan.

Banorët e Deçanit, tash e disa vite po ballafaqohen me projeksionet e “varrimit” të lumenjve nga disa kompani, në emër të fitimit të energjisë.

Për ta parandaluar këtë gjë aktivistja, Shpresa Loshaj dhe disa qytetarë të Deçanit kishin bërë ankesë në Gjykatën Supreme, derisa kjo e fundit e ka pranuar kërkesën e tyre për masë sigurie dhe i ka pezulluar lejet për ndërtimin e hidrocentraleve deri në një gjykimin përfundimtar.

“Fatkeqësisht, Ministria dhe ZRrE jo vetëm që lëshuan leje kundërligjshëm, por edhe vendosën të ankohen kundër vendimit të Gjykatës. Ky vendim shkoi deri në Gjykatë Supreme ku edhe aty u vendos që lejet të mbesin të pezulluara. Pra, sipas Ligjit, tre hidrocentralet e ‘Kelkos Energy’ në Deçan nuk duhet të operojnë deri të vendosë Gjykata përfundimisht”, ka thënë Loshaj.

Sipas saj, ky vendim i marrë nga organet e drejtësisë është një sinjal i rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, pasi që siç thotë ajo, po qe se do të vazhdohej me ndërtimin e hidrocentraleve, çdo ditë do të shihej teksa shkatërrohej mjedisi.

E përkundër vendimit të organeve të drejtësisë, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, shprehet se duhen plotësuar kritere me qëllim që projekti i shndërrimit të lumenjve në hidrocentrale të jetësohet.  

“Unë jam dakord me hidrocentralet, nëse përmbushen katër kriteret që janë: liqeni akumulues, respektimi i minimumit biologjik, rivitalizimi i Grykës së Deçanit dhe po ashtu komuna duhet të jetë subjekt i përfitimit nga këto hidrocentrale”, ka thënë ai për KosovaLive. 

I pyetur se në cilën fazë është ndërtimi i këtyre hidrocentraleve, Ramosaj ka theksuar se procesi ka stagnuar. Aktivisti i Grupit për mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit, Ardian Nrecaj thotë çfarëdo që është punuar rreth hidrocentraleve në Deçan ka qenë jo e duhur.

Ligji për Ujërat e potencon shumë qartë që hidrocentralet duhet me qenë koncesion, derisa secili subvencion që është dhënë, është dhënë me leje ujore. Shteti është pronari i ujit, shteti vendos se për kënd duhet ta jep ujin në përdorim. Por, Ligji e thotë se prioritet primar për përdorim të ujit është bujqësia, derisa në fund është përdorimi komercial. Do të thotë, me i dhënë dikujt, që ai me përfitua”, u shpreh Nrecaj për Kosova Live. 

Sipas Nrecajt, ajo që ka ndodhur deri tani, nga të gjitha qeveritë, është se subvencionet së pari i janë dhënë përdoruesve komercial, e pastaj banorëve.

Ai, tutje ka theksuar se investitori për ndërtim të hidrocentraleve është dashtë të konsultohet me banorët, dhe kjo sipas tij nuk ka ndodhur.

“Ka qenë një fillim i mirë nga qeveria aktuale, ku është bërë një raport nga Ministria e Mjedisit me ekspertë, i cili ka marr hidrocentralet një nga një dhe i kanë rishikuar procedurat, çka ka ndodhë, e si janë dhënë lejet. Ka qenë hap shumë i mirë nga ana e qeverisë, pasi janë bërë disa identifikime të hidrocentraleve”, ka thënë ai.

Nrecaj thotë se problemi është te hidrocentralet e vogla, ndërsa në Kosovë thekson ai, nuk ka asnjë hidrocentral të identifikuar si të madh. Sipas tij, hidrocentralet e vogla më shumë bëjnë dëme në natyrë, sesa që prodhojnë energji.

Ai potencoi se “në momentin kur largohet uji, nuk ndikohen vetëm gjallesat që janë brenda në ujë, rendimenti, peshku, por, është një zingjir i gjerë në ndikimin biologjik në natyrë”.

Si u ndalua “Keklos Energy” nga “varrosja” e lumenjve?

Në një nga vendimet e ZRrE-së thuhet se “Kelkos Energy” dështoi që në afatin e paraparë të pajisej me leje mjedisore.

“Për shkak se ndërmarrja “Kelkos Energy” nuk ka arritur të sigurojë lejen nga Ministria e Ambientit siç është kushtëzuar me vendimet e licensave të përkohshme, Bordi ka konstatuar se licencave ju ka skaduar afati dhe hidrocentralet në fjalë nuk iu lejohet të operojnë më tutje”, thuhet në vendimin e ZRrE-së të datës 14 tetor, 2020.

Pajisja me leje mjedisore ka qenë kusht që ZRrE-ja e kishte vendosur për licencat e përkohshme me të cilat kanë operuar viteve të fundit tri hidrocentralet në Deçan.

Pas vendimit të ZRrE-së, përmes një njoftimi “Kelkos Energy” kanë thënë se ka ndaluar vullnetarisht operimin, duke respektuar periudhën e përkohshme të licencimit e përcaktuar nga ZRrE-ja dhe se procesin e pajisjes me lejet e nevojshme e ka penguar pandemia COVID-19.

“Kushtet e lejes për dy HEC-et e tjera Belaje dhe Deçan konsiderohen të plotësuara dhe ‘Kelkos Energy’ pret nga Ministria e Mjedisit lëshimin e menjëhershëm të lejeve përkatëse”, thuhet në njoftimin e “Kelkos Energy”.

“Qeveria duhet të vendosë se a po dëshiron të krijoj hidrocentrale të vogla apo jo”, shprehet Nrecaj, duke theksuar dëmtimin e mjedisit që ky proces shkakton.  

Ai tutje tha se për t’u ndërtuar hidrocentralet duhet shpallur konkurs publik për një pikë të caktuar se ku duhet ndërtuar një hidrocentral dhe pastaj duhet kontaktuar kompanitë që ia mësyjnë këtij procesi.

Atëherë sipas tij, investitorët e bëjnë ofertën për atë pozitën, derisa shteti e vendos ofertën më profitabile.

“Pastaj, vazhdojnë procedurat. Jepet pëlqimi mjedisor, jepet leja mjedisore”, ka thënë tutje ai.

E për t’i hetuar keqpërdorimet e bërë gjatë viteve të fundit në Kosovë, në shtator të vitit 2020, Kuvendi i Kosovës i pati dhënë ‘dritën e gjelbër’,  formimit të Komisionit Hetimor mbi Procesin e Licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Iniciuesi i komisionit hetimor, Haxhi Avdyli pati deklaruar se me anë të këtij komisioni do të hetohen keqpërdorimet e mundshme për lejet e hidrocentraleve.

Ish anëtari i këtij komisioni, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, për KosovaLive, ka thënë se uji po përdorej për qëllime komerciale. 

“Përdorimi i ujit për qëllime komerciale, në këtë rast hidrocentralet apo mini-hidrocentralet private duhet të bëhen me koncesion. Të shpallet një ankand ku pranohen ofertat më të leverdishme për shtetin. Për atë arsye, këta nuk e kanë marr lejen me koncesion, por i janë dhënë hidrocentaleve të caktuara”, ka thënë ai, duke e vërë theksin tek rasti i Deçanit. 

Abrashi, tutje ka thënë se Kompania “Kelkos Energy” ka punuar një kohë të gjatë pa leje ndërtimi, derisa thekson faktin se në atë pjesën ku kjo kompani ka punuar është dëmtuar shumë mjedisi.

“Nëse duhet në Kosovë me operu hidrocentralet private, duhet të shkohet sipas rregullës të përcaktuar me ligj”, ka thënë ai. 

Ndërkaq, sipas aktivistes Loshaj, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit duhet të bëjë pjesën e vet, duke ndërmarrë hapa konkret në bashkëpunim me qytetarët, komunitetin dhe ekspert e mjedisit të pavarur.

“Kosova ka një shoqëri civile mjaft të zëshme për këtë çështje dhe nuk do të lejon që të bëhen marrëveshje prapa dyerve të mbyllura. Ato ndoshta edhe mund të bëhen, siç i kanë bërë qeveritë e kaluara, por prapë do të shkojnë në Gjykatë sikur edhe këto lejet e tanishme”, ka thënë Loshaj.

Loshaj ka shtuar se në një farë mënyre duan t’i fuqizojnë institucionet sepse sipas saj nuk duhet që aktivistët të jenë zëri i vetëm në mbrojtje të mjedisit.

Po ashtu, aktivistët në Komunën e Deçanit nuk besojnë se rrjedha e Lumëbardhit, mund të ketë pamjen që ka pasur dikur.

Ata thonë se ndërtimi i tri hidrocentraleve ka shkaktuar dëme të pariparueshme në ambientin përreth.

Në atë që njihet si Gryka e Deçanit operojnë tri hidrocentrale: “Lumëbardhi II”, “Deçani” dhe “Beleja”, që të gjitha në pronësi të kompanisë “Kelkos Energy” sh.p.k.

A ka Kosova resurse të mjaftueshme ujore?

Republika e Kosovës ka resurse të mjaftueshme ujore, të cilat burojnë brenda territorit të Kosovës.

Sipas një publikimi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, lidhur me ujërat në Kosovë, thuhet se rreth 70 për qind e popullatës furnizohet me ujë nëpërmjet sistemeve publike, kurse rreth 29 për qind furnizohen nga sistemet vetanake. Ndërkaq, 0.7 për qind e qytetarëve nuk kanë në dispozicion shërbime të ujësjellësit.

Në publikim thuhet se shumica e resurseve ujore të Kosovës burojnë brenda vendit, me përjashtim të pjesës së sipërme të lumit Ibër, i cili buron në Mal të Zi dhe rrjedh në Liqenin e Ujmanit.

Në raport thuhet se shumica e resurseve ujore të Kosovës burojnë brenda vendit, me përjashtim të pjesës së sipërme të lumit Ibër, i cili buron në Mal të Zi dhe rrjedh në Liqenin e Ujmanit.

Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës, që llogaritet të jenë mbi 1.8 milionë banorë, ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm apo edhe me reduktime të herëpashershme të ujit.

Yllka Ramadani

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM