Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shëndetësia kosovare nën drejtimin e burrave

Dhj 13, 2021

Rreth 65 për qind e punonjësve shëndetësorë të punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale janë gra. Ndërkaq, në krye të 37 klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës qëndrojnë vetëm 8 gra, pjesa tjetër, 29 prej tyre janë burra.

Një situatë e njëjtë është edhe në spitalet rajonale e në Qendrat e Mjekësisë Familjare në vend. Në krye të 7 spitaleve rajonale, atë të Gjilanit, Gjakovës, Ferizajt, Pejës, Prizrenit, Mitrovicës dhe Vushtrrisë, qëndrojnë 6 burra. Vetëm spitali i Mitrovicës udhëhiqet nga një grua, doktoresha Luljeta Zhubi.

Në konkurset e deritanishme të hapura nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës është parë që numri i grave që kanë kandiduar për pozitën e drejtoreshës së klinikave ka qenë më i vogël se ai i burrave. 

Një pozite vendimmarrëse ia kishte mësyrë edhe Gloria Staka, atë të drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK’së, megjithatë, ajo bashkë me infektologun Valbon Krasniqi ishin vënë në listën e atyre që nuk kanë arritur të plotësojnë kriteret për pozitën e drejtorit. 

Staka mbeti në listën e të papranuarve, derisa Krasniqi edhe pse ishte konsideruar se nuk ka plotësuar kriteret e nevojshme për këtë pozitë, ka arritur të zgjidhet drejtor i ShSKUK’së,

Lista e kandidatëve që kishin dhe nuk kishin plotësuar kriteret për drejtorë të SHSKUK’së.

Edhe pse shumica e punonjësve shëndetësorë në institucionet publike shëndetësore janë gra, ato thuhet se nuk kanë gjetur përkrahje të mjaftueshme për të udhëhequr me pozita kyçe.

Si kritere për të aplikuar në pozitën e drejtori të një klinike në QKUK janë:  arsimi i lartë universitar dhe eksperienca më shumë se 5 vite në lëminë përkatëse në QKUK, kritere që i plotësojnë shumë gra.

Dinore Hasani, e cila ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe po mbanë stazhin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka treguar se deri më tani nuk është e kënaqur me kushtet të cilat po i ofrohen atyre.

Përkundër kësaj, ajo është shprehur se po synon që të vazhdojë edhe më tej përgatitjen profesionale në mënyrë që të arrijë në një të ardhme të udhëheq me pozita më të larta, si ajo e drejtoreshës së ndonjë klinike.

Deri më tani nuk jam shumë e kënaqur me kushtet të cilat na ofrohen, por unë synoj që të vazhdojë studimet edhe më lartë, pasi që vendi ynë na ofron edhe mundësinë për edukim të vazhdueshëm, dëshiroj që të udhëheq në ndonjë klinikë, pasi që shumica janë burra dhe duhet bërë ndryshimin”, ka theksuar ajo.

Se gratë janë të zonjat dhe mund të udhëheqin me pozita vendimmarrëse konsideron edhe drejtoresha e klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajrie Ismaili.

E sipas saj, zotësia që tregojnë gratë në institucionet shëndetësore është e padiskutueshme.

 “Puna në Klinikën e Neonatologjisë është punë intensive me popullatë shumë vurnerabile-të porsalindurit, andaj secili punon me shumë empati. Si drejtuese e klinikës punën me shumë dedikim të personelit pavarësisht ndërrimeve që janë bërë në pozitat menaxheriale, e vlerësoj shumë, sepse është indikator se pacienti është në qendër dhe se kjo punë ekipore më bën të ndiej se përkrahem dhe anasjelltas. Përpjekjet tona janë të bëjmë më të mirën”, ka thënë ajo.

Ismaili ka thënë tutje se po synojnë që të ngrisin cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Drejtoresha e organizatës “Women 4 Women”, Ilirjana Jaka-Gashi ka thënë për KosovaLive se përkundër që janë të zonjat, punonjëset shëndetësore nuk po marrin mbështetje të mjaftueshme në vend.

Ajo është shprehur se për të pasur sukses, shtimi i numrit të grave në vendimmarrje dhe pozita ekzekutive është i domosdoshëm.

 “Për fat të keq edhe pse numri i grave profesioniste të cilat do të mund të ishin udhëheqëse shumë të mira të institucioneve shëndetësore publike është rritur, marrja e këtyre pozitave nuk po ndodhë. Inkurajim natyrisht që nuk ka sepse patjetër se po të kishte do ta shihnim ndryshimin. Me keqardhje e them por në politikë, e që kjo përfshinë edhe pozitat udhëheqëse në shëndetësi, nuk po e shohim një angazhim më të madh të grave që tashmë kanë pozita dhe karrierë politike në përkrahjen e grave të tjera”, ka deklaruar ajo.

Jaka-Gashi konsideron se në fushën e shëndetësisë ka nevojë për ndryshime, ndërkohë që shprehet e shqetësuar se si punonjëset shëndetësore nuk po marrin mbështetje as nga gratë politikane.

Në fushën e shëndetësisë ka shumë nevojë për ndryshime, për ndryshimin e qasjes ndaj problemeve që ekzistojnë në shëndetësi, për kyçjen e profesionistëve të dijshëm në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe për bashkëpunimin dhe vullnetin e të gjithëve që të ketë përmirësime. Si organizatë jemi angazhuar të ju ofrojmë grave politikane mundësinë të bashkëpunojnë me gratë me të cilat punojmë ne, do të ishte mundësi e mirë për politikëbërëset të mësojnë prej grave që çdo ditë ballafaqohen me sfida, se cilat janë politikat që do ta bënin më të mirë jetën e banorëve të Kosovës, por interesimi ka qenë zhgënjyes”, ka shtuar ajo.

Brenda Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Edhe sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla gratë në institucionet publike shëndetësore nuk inkurajohen sa duhet. Ai ka thënë se do të ishte më mirë që në pozitat kyçe shëndetësore t’i kemi edhe gratë e jo vetëm burrat.

Do të ishte më mirë që në pozitat kyçe shëndetësore t’i kemi gratë dhe jo vetëm burra. Politikanët thonë se do tu japin hapësirë grave, e në faktë ndodh e kundërta”, ka thënë ai.

Blerim Syla gjatë një proteste të mbajtur më 8 nëntor, ku u kërkua implementimi i Ligjit për Paga.

Njëjtë konsideron edhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Ai ka thënë se gratë nuk janë mbështetur mjaftueshëm deri tani, si dhe nuk është bërë mjaftueshëm për zgjidhjen e kësaj problematike.

 “Përkrahja e grave në shëndetësi nuk është në nivelin e duhur, ashtu edhe pozitat e tyre jo shumë të larta janë të padrejta. Kjo çështje edhe pse i takon zyrës së drejtorisë së SHSKUK-së, prapë mendoj që nuk është bërë mjaftueshëm për sqarimin dhe zgjidhjen e kësaj problematike”, ka thënë Sejdiu.

Drejtori Pleurat Sejdiu gjatë nënshkrimit të memorandum bashkëpunimit me dekanen e Fakultetit të Mjekësisë.

Ndërsa, Nadire Ymeri, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka treguar për KosovaLive se deri tani është ballafaquar me shumë sfida. 

Kam pasur shumë sfida, po ashtu shumë raste për t’i menaxhuar, por për fat të mirë kam pasur përkrahjen e të gjithëve, sidomos kohët e fundit gjatë përhapjes së pandemisë dhe shtimit të fluksit të pacientëve. Ka qenë një kohë shumë e vështirë por së bashku me stafin shëndetësor ja kemi dalur”, është shprehur ajo.

Se gratë nuk marrin mbështetje të mjaftueshme për pozitat kyçe në institucionet publike, tregon edhe një raport i publikuar nga Instituti për Politika Zhvillimore në vitin 2019.

Raporti tregon se në pozitat vendimmarrëse barazia gjinore mbetet sfidë.

Ndërsa, një raport i Qendrës Kosovare për Studime Gjinore tregon se gratë vazhdojnë të mbeten më pak të përfaqësuara në pozitat vendimmarrëse.

“Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë konsiderohet të jetë e vogël përkundër kërkesës ligjore nga Ligji Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6, pika 8”, thuhet në raport.

Derisa numri i ulët i grave në krye të institucioneve publike shëndetësore në Kosovë shihet si shqetësuese, kjo çështje nuk po ngritet në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu ka thënë për KosovaLive se kjo çështje nuk është diskutuar deri tani në takimet e këtij komisioni.

Haxhiu ka thënë se sa i përket vendimmarrjes në institucionet publike shëndetësore, gratë janë të barabarta sikur burrat.

Ndërsa, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala ka thënë se gratë duhet të luftojnë për të arritur në pozitat kyçe në spitale e QKUK.

Ai ka thënë se specialistët që plotësojnë kriteret vihen në krye të këtyre klinikave,

Ata që kanë plotësuar kushtin janë në ato pozita udhëheqëse që janë sot. Që gratë ta marrin vendin që ato meritojnë, ato duhet të luftojnë dhe të kërkojnë atë pozitë”, ka shtuar ai.

Në një raport të publikuar nga instituti GAP gjatë vitit të kaluar është thënë se pandemia COVID-19 ka rënduar edhe më shumë pozitën e grave në tregun e punës. Në raport thuhet se në tregun e punës përfaqësimi i grave mbetet në shkallë të ulët.

Rinesa Spahiu

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM