Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bashkëpunon me UN-Habitat në Kosovë për integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithpërfshirës të qëndrueshëm dhe të gjelbërt
Integrimi i trashëgimisë kulturore në kuadër të dokumenteve të planifikimit hapësinor është parakusht për të siguruar një mbrojtje efikase të vlerave të trashëgimisë kulturore.
Në veçanti mbrojtja, zhvillimi, menaxhimi dhe promovimi i zonave të mbrojtura dhe qendrave historike mund të sigurohet nëse arrihet një bilancë ndërmjet mbrojtjes dhe zhvillimit të kontrolluar.
Për të punuar në këtë drejtim, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi me UN-Habitat në Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshje bashkëpunimi për tri vitet e ardhshme, parashihet zbatimi i zhvillimit të programit të konservimit të integruar, përmes qasjes gjithëpërfshirëse. Në kuadër të këtij programi parashihet zhvillimi i projekteve nga fusha e konservimit të integruar, ku përfshihen zhvillimi i udhëzuesit për bazat e konservimit të integruar, studimet e fizibilitietit për zonat e mbrojtura dhe qendra historike, dhe hartimi i planeve të konservimit dhe zhvillimit për zonat e mbrojtura dhe qendrat historike të Kosovës.
Ministri, Hajrulla Çeku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucione dhe partnerët strategjik, në fushën e planifikimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si një komponentë thelbësore e zhvillimit hapësinor: “Përfshirja e trashëgimisë kulturore në dokumentet e planifikimit hapësinor, është hap i detyrueshëm në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje efektive, menaxhim dhe zhvillim i kontrolluar i trashëgimisë kulturore në relacion me zhvillimet në nivel të planifikimit hapësinor. Ky proces kompleks kërkon angazhim dhe koordinim maksimal nga të gjitha institucionet dhe akterët që veprojnë në këtë fushë. Në këtë drejtim, jemi të kënaqur që sot po i vëmë hapat drejt bashkëpunimit, duke e vendosur komponentën e konservimit të integruar, në kuadër të agjendës së planifikimit hapësinor.”
Kreu i UN-Habitat në Kosovë, Omar Siddique, theksoi se “Kultura është një element kyç për humanizimin e komunave dhe mishëron aspektin njerëzor të zhvillimit të qëndrueshëm në nivel lokal. Strategjitë hapësinore të fuqizuara nga kultura kontribuojnë në modelet e qeverisjes lokale që kanë në qendër njerëzit me qasje nga poshtë-lart, përmes planifikimit me pjesëmarrje. Partneriteti i nisur sot ndërmjet UN-Habitat Kosova dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është hapi i parë për kulturën si një proces dinamik për rishpikjen e komunave të Kosovës si më gjithëpërfshirëse, të gjelbërta dhe vende më të jetueshme”
Në ceremoninë e lansimit të këtij programi, mori pjesë edhe Ambasadorja e Suedisë, znj. Karin Hernmarck, si shtet i cili e mbështet Programin për Zhvillim Gjithëpërfshirës të UN-Habitatit në Kosovë, gjithashtu drejtori i Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Servet Spahiu, në kuadër të MMPHI. Ambasadorja Hernmarck tha se përfshirja e Ambasadës së Suedisë në këtë bashkëpunim mes MKRS-së dhe UN Habitatit në programin për zhvillim gjithëpërfshirës që e financon Qeveria e Suedisë është një hap i nevojshëm dhe i duhur në integrimin e trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor që synon ta implementojë Republika e Kosovës.
Implementimi është paraparë nga viti 2021 deri 2024 me bashkëfinancim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe UN-Habitat Kosova, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.