Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht ministrja e Drejtësisë dhe ministrja e Ekonomisë, nënshkruan dy letër-qëllime, me ministrat e Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës, gjegjësisht ministri i Drejtësisë, si dhe ministri i Bashkëpunimit Zhvillimor. Ky akt i hapë rrugë marrëveshjes bilaterale përmes së cilës Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës hyjnë në partneritet bashkëpunimi afatgjatë në fushën e shërbimeve të burgjeve dhe investimeve në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.
Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ofruar gatishmërinë e saj që të jep në dispozicion të Mbretërisë së Danimarkës kapacitete të burgut në Kosovë për 300 vende për të burgosurit nga Danimarka për të cilën gjë Ministria e Drejtësisë e Mbretërisë së Danimarkës është pajtuar që të paguajë një tarifë vjetore prej 15,000,000 € në vit për një periudhë fillestare pesë vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një periudhë tjetër pesë vjeçare.
Republika e Kosovës nga kjo marrëveshje përfiton 210 milion euro, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme do të dedikohen për investime kapitale, gjegjësisht për energji të ripërtritshme.
Duke pasur parasysh që kapacitetet në kuadër të Shërbimit Korrektues për të burgosurit janë në sasi të mjaftueshme, menaxhimi dhe infrastruktura e tyre e vlerësuar nga partnerët danez, bënë që një pjesë e tyre e pashfrytëzuar të jepet në shfrytëzim institucioneve korrektuese të Mbretërisë së Danimarkës, në afat prej 10 viteve.
Nga ky fond, veç të tjerash, institucionet e drejtësisë do të përfitojnë financiarisht, gjë e cila do të mundësojë ngritjen e cilësisë së efikasitetit të këtyre institucioneve.
Ky akt është një tregues që thekson gatishmërinë për rikthimin e bashkëpunimit si partnerë strategjik në mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, i rëndësishëm për të ardhmen e të dy shteteve dhe popujve tanë, thuhet në komunikatën për media e MD-së.