Build Skills with our trainings

Sign up now!

Qendrat për komunitetin po zënë rrënjë e po i joshin të rinjtë  

Dhj 20, 2021

Project Space 17 është një prej qendrave për komunitetin që është funksionale tash e 3 vite, një hapësirë kjo që ka dalë si ide e Fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” në nëntor të vitit 2018. Qëllimi kryesor i kësaj hapësire qysh prej fillimit ishte të jetë një hapësirë gjithëpërfshirëse që kontribuon në ngritjen e vitalitetit kulturor përmes programeve dhe të luajë rolin e një platforme gjithëpërfshirëse ku arti dhe kultura takohen me aktivizmin për të sjellë ndryshim.

Qendra (hapësira) Project Space gjendet në një nga lagjet më të vjetra të Prishtinës. Nga jashtë është e rrethuar me gilindera me ngjyrë të gjelbër dhe me disa bimë të gjelbëra që përshtaten shumë me ambientin. Bimët nuk mungojnë as brenda hapësirës, ku mbi të gjitha dominon një atmosferë që të bën të ndihesh rehat, si në shtëpi. 

Qendrat komunitare (Qendra për komunitetin) janë vende të sigurta dhe publike ku gratë, burrat, djemtë dhe vajzat me prejardhje të ndryshme mund të takohen për ngjarje sociale, rekreacion, edukim dhe programe jetese ose shkëmbim informacioni. 

Bazuar nga raporti i Club Insure, këto qendra janë të rëndësishme në të gjithë vendin, pasi që u japin njerëzve një mundësi për t’u socializuar, mësuar dhe aksesuar shërbimet kryesore. Ato mundësojnë bashkimin e një komuniteti, ku raca, mosha, gjinia dhe karakteristika të tjera nuk merren parasysh nga një qendër komunitare, ofrojnë mundësi vullnetare, ndikon pozitivisht në jetën e të rinjve, promovon jetesën e shëndetshme, nxit kreativitetin dhe kulturën, ofron mundësi arsimimi; një hapësirë ​​e sigurt për të mësuar një aftësi të re dhe për të çuar më tej edukimin e një individi.

Qendra të tilla iu ofrohen edhe qytetarëve të Kosovës. Në Prishtinë. “Hacker Space” dhe “Project Space 17,” janë dy qendra që janë hapur për të ofruar hapësirë vitale dhe kreative për komunitetin.

 “Prishtina Hackerspace” është projekt i organizatës Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK) i jetësuar në vitin 2015. Është një hapësirë eksperimentimi dhe bashkëpunimi e hapur dhe e bazuar në komunitet, e krijuar për qëllime teknologjike, arsimore, kulturore dhe shkencore. Kryesisht përdoret nga anëtarët edhe për projekte të ndryshme që ata kanë, si për ndërtimin e projekteve “Do It Yourself” në elektronikë, saldim, dhe dru. 

Ndërkohë, Project Space, është hapësirë që ofron mundësi për të rinjtë e të rejat dhe artisët për rritje personale dhe zhvillim profesional, ku gjatë mbrëmjeve bëjnë diskutime, biseda me artistë, projektim të shfaqjeve teatrale, performanca muzikore, natë të poezisë e biseda feministe.

Era Hamiti nga Prishtina Hackerspace shpalos edhe më tepër për aktivitetin e zhvilluar në këtë hapësirë, ku ndër të tjera përmend faktin se kjo hapësirë mund të përdoret edhe nga organizata të tjera jo qeveritare (OJQ).

“Hackerspace është hapësirë e hapur për pjesëmarrje për individët e të gjitha moshave dhe fushave të cilët janë të interesuar të përdorin hapësirën për projektet e tyre. Për një kosto modeste, hapësira është e hapur edhe për organizata të tjera dhe komunitetin për të organizuar trajnime dhe punëtori,” thotë ajo.

Pjesëtarë nga këto dy qendra vlerësojnë se ka interesim shumë të madh për të qenë pjesë e aktiviteteve që realizohen aty, pasi që secila hapësirë ofron mundësi të shumta rrjetëzimi dhe bashkëpunimi. 

“Mund të themi se ka interesim shumë të madh pasi që secili prej eventeve në kuadër të programit publik e ka audiencën e vet, e cila është shumë diverse. Po ashtu persona të prapavijave të ndryshme, si në aspektin gjinor, për nga mosha dhe përkatësia etnike,” shpreh Sihana Klisurica nga Project Space. 

Ndërkaq Hamiti vlerëson se është rritur interesimi shumë për të qenë pjesë e takimeve jo-formale që ata i realizojnë çdo të mërkurë në kuadër të Hackerspace. 

“Gjatë këtyre takimeve zakonisht bëhet mbledhja e anëtarëve dhe mysafirëve në Pub të Hackerspace ku bëhen diskutime të ndryshme dhe shpërndarje e njohurive dhe përvojave”.

 

Foto gjatë një trajnimi të mbajtur në Prishtina Hackerspace

Pjesë e anëtarësimit në Hackerspace, sipas tyre mund të jetë secili që ka nevojë për hapësirë bashkëpunuese dhe që mund të kontribuojë në cytjen intelektuale të hapësirës. Njëjtë edhe për Project Space 17, pjesë e tyre mund të jetë kushdo. 

Qendra Hackerspace madje ka pasur edhe përkrahje nga komuna në vitin 2019 dhe 2020. Përmes këtyre përkrahjeve ata kanë zhvilluar prezantime dhe punëtori javore si dhe kanë organizuar festivalin “Prishtina Open Source Festival” në dhjetor të 2019-ës.

Berna Qehaja që frekuenton shpesh qendrat e tilla në Kosovë i vlerëson këto të fundit si hapësira jashtëzakonisht të dobishme për shfrytëzim duke përmendur edhe faktin se janë shumë të përshtatshme qoftë edhe për të punuar e mësuar në to. 

“Ndodh shumë shpesh që ta kaloj ditën brenda këtyre hapësirave, ngaqë janë shumë praktike. Krejt çka marr me vete është laptopi dhe disa mjete, të tjerat thuajse i gjen aty. Mendoj se më mirë t’i shfrytëzojmë këto hapësira sesa kafenetë,” tha ajo për KosovaLive. 

Raporti “Hulumtimi i Hapësirave Publike Kulturore në Kosovë” i realizuar nga Ec Ma Ndryshe potencon se hapësirat publike të dedikuara për prezantime kulturore, nga 20.9% vlerësohen si hapësira që aspak nuk i plotësojnë nevojat, nga 49.5% pjesërisht i plotësojnë nevojat, 17.6% vlerësojnë se i plotësojnë nevojat, 4.4% plotësisht i plotësojnë nevojat dhe 7.7% deklarojnë që nuk i shfrytëzojnë fare hapësirat e tilla.

Sihana Klisurica e konsideron të menjëhershme nevojën për rritjen e numrit të këtyre hapësirave me bazë në komunitet.     

“Sa më shumë hapësira e iniciativa gjithëpërfshirëse, aq më shumë përfitime për komunitetin në përgjithësi”, përfundoi ajo. 

Sipas Social Work Degree Center, pesë qendrat e tilla më të bukura në botë janë: SOS Children’s Villages në Illinois, Sunset Community Centre në Kanada, Community Hall Abfaltersbach në Austri, Zamet Sports and Cultural Center në Kroaci dhe Zimmern Community Center në Gjermani.

Verona Krasniqi

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM