Build Skills with our trainings

Sign up now!

Puna jorallë po ua merr jetën punëtorëve të KEK-ut

Dhj 20, 2021

Për shkak të punës që bëjnë në kushte të rënda e të rrezikshme për shëndetin e tyre, rreth 35 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë vdekur që nga viti 2000 e deri më tani.

Ndërsa, shumë të tjerë thuhet se po ballafaqohen me sëmundje të rënda, mjekimin për të cilat po e paguajnë nga xhepi i tyre.

Ish-kryetari i Sindikatës së punëtorëve të KEK-ut, Izet Mustafa, i cili ndër vite ka ngritur zërin për përmirësimin e kushteve të punës, ka thënë për KosovaLive se që nga paslufta rreth 35 punëtorë të KEK’ut kanë vdekur për shkak se nuk kanë mundur t’u shpëtojnë sëmundjeve që kanë marrë gjatë punës.

Puna në KEK në përgjithësi është e vështirë, kërkohet profesionalizëm e përkushtim të përhershëm. Për fat të keq punohet me pajisje e teknologji kryesisht të vjetruar që shton rrezikun për punonjës në masë të madhe. Këto janë edhe arsyet që në KEK kemi numër të madh të punëtorëve të lënduar e diku rreth 35 raste nga paslufta që nga viti 2000 e deri me tani të vdekjes në vende të punës”, ka theksuar ai.

Izet Mustafa në takim me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj

Ndërsa, derisa bëjnë punë të rënda, e rrezikojnë shëndetin e tyre, punëtorëve të KEK-ut, nuk u paguhet “haku”.

Mustafa ka thënë se nëse krahasohen me punëtorët e sektorëve tjerë, pagat e punëtorëve të KEK’ut janë më të ulëtat, andaj ai edhe ka kërkuar që qeveria të marrë masa me urgjencë për të përmirësuar gjendjen e punonjësve në sektorin energjetik.

Se punojnë në kushte të rrezikshme të punës, e ka pohuar edhe nënkryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica.

Punëtorët edhe përkundër përdorimit të pajisjeve personale mbrojtëse, nuk mund t’i ikin rrezikut të shëndetit për arsye se vendet e punës në KEK janë të tilla ku ka: gazra, pluhur, dridhje dhe gjatë procesit të punës në vazhdimësi ka ndotje të tilla dhe pothuajse e pamundur t’i ikin këtyre sëmundjeve”, ka deklaruar ai.

Llumnica thotë se punëtorët e sëmurë nuk janë ndihmuar asnjëherë financiarisht nga qeveria dhe KEK’u, derisa ka thënë se kjo e fundit duhet t’i njoh sëmundjet profesionale sipas Ligjit të Punës, pasi këto sëmundje janë profesionale dhe nuk njihen si të tilla.

Nexhat Llumnica gjatë punës në KEK

 Në një raport të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës thuhet se i punësuari obligohet t’i përmbahet rregullave për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë, në mënyrë që të mos rrezikojë shëndetin dhe sigurinë e vet dhe të punëtorëve të tjerë. Në detyrat e punës në të cilat ekziston rreziku i shtuar i lëndimit, sëmundjes profesionale ose i sëmundjeve tjera, mund të caktohet i punësuari, i cili i plotëson kushtet e veçanta për punë, e kjo bëhet duke u bazuar në aftësitë shëndetësore, kualifikimin profesional, përvojës së fituar në punë dhe moshës.

Ndërsa, në një studim për shëndetin dhe sigurinë në punë, thuhet se çdo punëdhënës është i detyruar të ngarkojë një ose më shumë të punësuar, për të kryer aktivitete nga siguria dhe shëndeti në punë, nëse nuk është përcaktuar ndryshe me këtë ligj.

Për rrezikun që i kanoset punëtorëve të KEK’ut gjatë punës ka folur edhe pulmologu Flamur Marku.

“Ekspozimi për një kohë të gjatë në ambientin ku ajri është i ndotur rrit rrezikun për keqësimin e sëmundjeve kronike por edhe në shfaqjen e sëmundjes tek personat që më herët kanë qenë jo të sëmurë me sëmundje të mushkërive”, ka thënë ai.

Marku renditë sëmundjet më të shpeshta me të cilët diagnostikohen qytetarët për shkak të ajrit të ndotur.

Shfaqja e sëmundjeve: bronkitit kronik, emfizemes por edhe sëmundjeve tjera e në veçanti të kancerit të mushkërive shumë studime e lidhin ngushtë me ndotjen e ajrit sidomos kur ka ekspozim të lartë apo edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.

Sipas tij, punëtorët duhet të bartin edhe maska gjatë punës për t’u mbrojtur nga ndotja e ajrit.

KosovaLive për këtë çështje i është drejtuar edhe KEK’ut. Megjithëse kanë thënë se i kanë pranuar pyetjet dhe i kanë proceduar ato ata nuk i janë përgjigjur atyre.

Se puna po u kushton me jetë punëtorëve në Kosovë, e tregojnë edhe statistikat e Inspektoratit të Punës.

Kryeinspektori i Punës, Agim Millaku ka treguar për KosovaLive se gjatë këtij viti 6 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës. Ndërsa, 5 punëtorë tjerë kanë përfunduar me fatalitet, por nuk kanë vdekur duke zhvilluar aktivitet të punës.

Në këtë vit në vendet e tyre të punës 6 punëtor kanë pësuar aksident me fatalitet- kanë humbur jetën si pasojë e ushtrimit të veprimtarisë së punës dhe 5 të tjerë kanë përfunduar me fatalitet por nuk kanë pësuar duke zhvilluar aktivitet të punës (1 i ri në Gjakovë vdes nga rënia prej lartësie nga një objekt në të cilin nuk janë zhvilluar punime, 1 i ri –  i pronarit ne një betonjerkë në Lipjan, 2 nga arresti kardiak dhe 1 punëtor i vetë angazhuar shtetas shqiptar i cili ka qenë duke punuar ne demolimin e një shtëpie që rrënohej për t’i lëshuar vendin për ndërtim të lartë”, ka thënë ai.

Për shkak të mosplotësimit të kushteve të punës, Millaku tregon se gjatë këtij viti Inspektorati i Punës ka shqiptuar 170 gjoba ndaj subjekteve punuese.

Në një raporti të Iniciativës Kosovare për Stabilitet thuhet se në vitin 2017 në Kosovë kanë humbur jetën në vendin e punës 21 persona, 16 si pasojë e aksidenteve me fatalitet kurse 5 si pasojë e vdekjes natyrore. Ndërsa, sipas raportit, nga janari deri në fund të muajit nëntor 2018, në Kosovë kanë humbur jetën 20 punëtorë në vendet e tyre të punës. Prej tyre dhjetë punëtorë kanë qenë duke punuar në sektorin e ndërtimtarisë, një punëtor në punë private, tre në sektorin energjetik, dy në fushën e prodhimtarisë, një në fushën e shërbimeve publike, një në sektorin e IT-së dhe dy në sektorë të tjerë.

Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë thotë se duhet të ndërmerren masa parandaluese që kanë synim përmirësimin e kushteve të punës, mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve, përmirësimin e ambientit të punës, mbrojtjen fizike dhe psikike të punësuarëve dhe të tjerëve që marrin pjesë në procesin e punës.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli thotë se shumica e ankesave të punëtorëve që lidhen me kushtet e punës janë të arsyeshme.

Ai është shprehur se ka shumë raste kur punëtorët nuk janë të njoftuar as me të drejtat e tyre në punë, andaj edhe nuk i hetojnë shkeljet e tyre.

Shumica e ankesave që dalin nga punëtorët përkitazi me kushtet e punës si në sektorin publik po edhe në atë privat janë të arsyeshme. Ka shumë raste kur punëtorët nuk janë të njoftuar për të drejtat e tyre dhe nuk janë në gjendje të hetojnë shkeljet e të drejtave që u takojnë me ligjet në fuqi, e që kryesisht ndërlidhen me orarin dhe pagën e sidomos edhe me mbrojtjen në punë”, ka thënë ai.

Atdhe Hykolli në takim me përfaqësues të sindikatës së zjarrfikësve.

Hykolli thekson se qeveria ka mekanizmat e saj për përcjelljen dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe se kjo është e rregulluar edhe me ligjet përkatëse, por që sipas tij, ato nuk zbatohen në të shumtën e rasteve.

Sipas tij, BSPK është në bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë në mënyrë që të përkrahen punëtorët.

“BSPK vazhdueshëm përcjell gjendjen e punëtorëve/punonjësve sindikalistë dhe vepron me mekanizmat ligjor duke i adresuar këto çështje me partnerët socialë e sidomos me Qeverinë në favor të krijimit të kushteve më të mira për të gjithë punëtorët/punonjësit sindikalistë”, thotë ai.

Në një artikull nga Qendra për Politika dhe Avokim thuhet se në Kosovë nuk zbatohet Ligji për Siguri në Punë.

Ndërsa, në një raport të publikuar nga Ministria e Arsimit thuhet se mosha minimale për punësim në Kosovë është mosha 15 vjeçare. Në raport thuhet se adoleshentët, si punëtorë të moshës së re, ka më shumë gjasë të jenë pa përvojë dhe pa informacion për shumë detyra që priten prej tyre. 

Siguria në punë është zakonisht gjëja e fundit për të cilën ata brengosen. Shumë nga tiparet më pozitive të të rinjëve-energjia, entuziazmi dhe nevoja për përgjegjësi dhe sfida gjithnjë e më të mëdha- mund të ndikojnë që ata të marrin përsipër obligime të cilat nuk janë të përgatitur që t’ i përmbushin në mënyrë të sigurtë”, konkludon raporti.

Rinesa Spahiu

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM