Build Skills with our trainings

Sign up now!

Hovenier: Pranimi i të vërtetës së të kaluarës është vetëm hapi i parë kah drejtësia

Jan 15, 2022

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në ceremoninë e përkujtimit të Masakrës së Reçakut, tha se mohimi i masakrës së Reçakut dhe lavdërimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon përsëri në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik, thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA në Kosovë.

 

Presidente Osmani, kryeministër Kurti, kryetar i Kuvendit Konjufca, mysafirë të nderuar, të dashur miq, ndjehem i përulur që jam sot këtu, si përfaqësues i popullit amerikan, për të nderuar dhe përkujtuar ata që humbën jetën këtu në Reçak 23 vjet më parë.

 

Ju faleminderit për mundësinë për t’ju bashkuar popullit të Kosovës në këtë ngjarje solemne për të përkujtuar dhe vajtuar ata njerëz, jeta e të cilëve u ndërpre tragjikisht atë ditë.

 

Askush të mos harrojë ose mohojë se çka ndodhi këtu ose përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës.

 

E mbaj mend atë ditë mirë. Si zyrtar në misionin e SHBA-së në OSBE, përgjegjës për Kosovën, mora një thirrje nga ambasadori Uilliam Uolker, shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Kosovës, i cili sapo ishte larguar nga skena e tmerrit, tashmë i përqendruar në rekomandimet e tij për OSBE-në si përgjigje për vrasjen brutale të civilëve të pambrojtur.

 

Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit.

 

Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë që të gjithë popujt, pa dallim etnie apo feje, meritojnë dinjitetin për të jetuar në liri dhe siguri.

 

Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të kësaj masakre dhe për të minimizuar ose keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive.

 

Më lejoni të jem i qartë për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj të vërtetës. Siç ka thënë presidenti Klinton atëherë, e që e vërtetojmë sërish tani: „Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”.

 

Mohimi i këtyre ngjarjeve dhe lartësimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon prapa në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik.

 

Paqja dhe drejtësia vijnë nga pranimi i qartë i krimeve të së kaluarës. Kjo është jetike për të siguruar që krime të tilla mizore nuk ndodhin më kurrë.

 

Por, pranimi i të vërtetës së të kaluarës është vetëm hapi i parë kah drejtësia.

 

Sot, më 15 janar është përvjetori i 23-të i masakrës së Reçakut. Rastësisht, sot është edhe ditëlindja e një prej liderëve dhe avokuesve më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për drejtësi dhe pajtim – Dr. Martin Luther Kingut.

 

Mendoj se është me vend që në këtë ditë, ndërsa reflektojmë mbi tmerrin dhe tragjedinë e asaj që ndodhi këtu më 15 janar 1999, të marrim parasysh edhe fjalët dhe trashëgiminë e Dr. King – të cilin e nderojmë dhe e përkujtojmë çdo vit në këtë ditë.

 

Padrejtësia, e as humbja, nuk ishin të panjohura për Dr. Kingun. Gjatë tërë përpjekjes së tij për avancimin e të drejtave të njeriut, ai u sulmua fizikisht, u margjinalizua, u kërcënua dhe në fund u vra.

 

Megjithatë, edhe përderisa lëngonte në një burg në Alabama për protesta paqësore kundër racizmit dhe ndarjes racore, ai shkroi për drejtësinë dhe pajtimin – me qëllimin përfundimtar jo vetëm barazinë, por fatin e përbashkët.

 

Në të famshmen „Letër nga burgu i Birmingamit” ai i shkroi fjalët mbresëlënëse: „Padrejtësia diku është kërcënim për drejtësinë kudo”.

 

Dr. Kingu na bëri thirrje për veprim, duke vërtetuar se ne e kemi fuqinë për të promovuar ndryshim pozitiv duke thënë: „Përparimi i njerëzimit kurrë nuk rrokulliset në rrotat e pashmangshmërisë”.

 

Por, ai gjithashtu na bëri thirrje që të mbajmë në mend më kryesoren: jo hakmarrjen, por pajtimin. I përsëris fjalët e tij, përkujtim i fuqishëm për të gjithë ne: „Qëllimi ynë përfundimtar duhet të jetë krijimi i komunitetit të dashur”.

 

Në frymën e këtij vizioni për një komunitet të dashur, dëshiroj të citoj edhe një tekst të fuqishëm që besoj mund të shërbejë si kuadër për mënyrën se si t’i nderojmë më së miri viktimat tragjike që po i përkujtojmë sot.

 

Nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008:

 

„Të zotuar për tu përballur me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes. Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë”.

 

Le të na prijnë këto fjalë të gjithëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM