Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri përmes një konference për media ka ngritur shqetësimet për tendencën e rritjes së çmimit të energjisë nga ana e Qeverisë Kurti.
Tahiri ka thënë se kjo është e papranueshme sepse do të rëndoj jashtëzakonisht shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve dhe familjeve kosovare.
“Sot GP i PDK-së duke parë gjendjen që po rëndohet çdo ditë e më shumë me energji elektrtike, dhe në anën tjetër duke parë papërgjegjësinë e kryeministrit dhe qeverisë, kërkuam që të mbajmë një debat në lidhje me këtë situatë. Në mënyrë që qytetarët të kalojnë sa më lehtë këtë dimër, kërkojmë që në asnjë rrethanë të mos ngritet çmimi i energjisë. Kjo është e papërballueshme për qytetarët dhe nuk guxon të ndodhë“, ka thënë ai.
Tahiri ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mospërkrahje të mocionit të PDK-së, duke thënë se Kosova është vendi i fundit që po diskuton për ndërmarrjen e masave lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Si po shkon puna, Kosova do të jetë një nga 10 vendet që do të paguaj më së shtrenjti energjinë elektrike në Evropë. Është duke u manipuluar me të madhe në lidhje me shifrat dhe statistikat për furnizim nga ana e qeverisë. Si opozitë, ne nuk do të ndalemi. Do të punojmë dhe do të përdorim të gjitha instrumentet për të ftuar në seancë të jashtëzakonshme kryeministrin Kurti që të mos lejojmë ngritjen e çmimit të energjisë. Secila familje kosovare, sado e vogël të jetë ajo, do të kaloj 600 kwh energji elektrike brenda muajit dhe do të preken nga rritja e çmimit të energjisë. Pagat nuk janë rritur, prandaj, pagat e qytetarëve tanë, mësuesve, policëve, të sektorit privat, nuk do të mund ta përballojnë rritjen e çmimit të energjisë”, ka theksuar Tahiri.
Tahiri ka paralajmëruar se PDK do kundërshtoj vazhdimisht këtë tendencë, duke paralajmëruar edhe një seancë të jashtëzakonshme ku do të iniciohet një rezolutë e cila parandalon ngritjen e çmimit të energjisë, thuhet në komunikatën për media e PDK-së.
“Ne kemi qenë kundër, do të jemi kundër dhe nuk do të ndalemi në kundërshtimin e këtij vendimi të qeverisë. Qytetarët tanë nuk e meritojnë këtë abuzim. Një debat parlamentar për rritjen e çmimit të energjisë është shumë i domosdoshëm. Miratimi i një rezolute e cila i kërkon ZRRE-së që të mos lejoj ngritjen e çmimit të energjisë është e pashmangshme. Si Grup Parlamentar, për ne, më e rëndësishmja sot është parandalimi i ngritjes së çmimit të energjisë. Është e paparanueshme që të paguajmë rrymën më së shtrenjti në Evropë. E ftojmë kryeministrin që të jetë më i përgjegjshëm karshi kësaj situate sepse sot për sot nuk ka brengë më të madhe për qytetarët sesa furnizimi me energji.”, ka përfunduar ai.