Build Skills with our trainings

Sign up now!

Vota e të rinjve – përcaktues në rezultatet e zgjedhjet lokale

Jan 20, 2022

Përcaktues të kandidatëve fitues në zgjedhjet lokale të Kosovës, po konsiderohen 41 mijë të rinjtë kosovar, të cilët iu shtuan kutive të votimit këtë vit.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së (Komisioni Qendror Zgjedhor), nga kjo shifër, 24 mijë e 697 prej tyre kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se si votues të rinj në zgjedhjet e 17 tetorit dhe në balotazh, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit.

“Numri i votuesve të cilët votuan për herë të parë në zgjedhjet e fundit është 41 mijë e 12 votues. Si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votues të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u”, ka thënë ai.

Gegë Dobruna, nga Gjakova i cili sapo ka mbushur 18 vjet, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës. Madje ai vlerëson se vota e tij, dhe e bashkëmoshatarëve të tij ishte përcaktuese në zgjedhjet lokale në vend.

“Shoqëria ime dhe unë kemi votuar, ne jemi duke jetuar në një vend demokratik dhe gëzojmë privilegje të ndryshme në po këtë vend. Më e pakta që ne duhet bërë është që të përkujdesemi për të në aspektin politik”, ka thënë ai.

Ai beson se si të rinj, përpos votimit në zgjedhje, duhet edhe kontribuar për të mirën e vendit.

“Unë jam edhe vullnetar i Roteract dhe kemi mbajtë shumë aktivitete për mbrojtje të ambientit, por duhet ditur se edhe liderët janë kryesorët në vendimmarrje të qyteteve dhe atëherë ne duhet të votojmë në mënyrë që ata të punojnë për ne. Edhe pse mendoj që vullnetarizmi nuk do të zhduket por mendoj që nga një lider përkatës vullentarizmi do të bëhet më i shpeshtë”, shtoi tutje ai.

 

Të rinjtë e dëshpëruar me politikanët

Por më pesimiste për rëndësinë e votës së saj është shprehur 18 vjeçarja, Adelina Hajdari e cila studion për dizajn.

“Të them të drejtën jam dëshpru’ shumë nga kahja që politika në Kosovë është duke marrë. Nuk mendoj që ka ndonjë lider përkatës për komunën time të Deçanit. Edhe pse jetoj në Prishtinë i kam të njëjtat mendime edhe për këtë komunë. Mendoj se ka më mirë dhe do të ketë më mirë por tani për tani personat nuk janë adekuat për udhëheqjen e komunave”, thekson ajo.

Ajo po ashtu tregon se si fushatat që i kanë bërë kandidatët kanë qenë dëshpëruese për mendimin e saj.

“Nuk e kuptoj se si kandidatët nuk kanë treguar shumë për plan programin që ata kanë për udhëheqje por më shumë kanë thumbuar njëri tjetrin. Për mendimin tim nuk është e drejtë që politikanët të sillen të papjekur, sidomos kur kërkojnë nga ne diçka të rëndësishme si vota,’’ shprehet Hajdari.

Ndërkohë Organizata OSCE në doracakun e tyre për të votimin e të rinjve tregon rëndësinë që përcjellë vota e rinisë kosovare.

“Pjesëmarrja politike dhe qytetari aktiv janë elementet më të rëndësishëm të kulturës politike demokratike në çdo shoqëri. Kjo është̈ arsyeja pse është e nevojshme të motivohen të rinjtë̈ për të marrë pjesë aktive në procesin e vendimmarrjes, duke pasur parasysh që të rinjtë si grup shoqëror kanë kërkesa dhe nevoja specifike që duhet të merren parasysh në procesin e politikëbërjes”, thuhet në doracakun e tyre.

OSCE pjesëmarrjen e të rinjve në zgjedhje e sheh si vendimtare për procesin.

“Të rinjtë në vendin tonë janë të rëndësishëm njëjtë si të gjithë faktorët e tjerë të shoqërisë, për të gjitha proceset që kontribuojnë në zhvillimin dhe ndërtimin e shoqërisë demokratike, përkatësisht pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje dhe proceset e zbatimit në të gjitha nivelet dhe për të gjitha çështjet të cilat i tangojnë ata. Kjo do të thotë se të rinjtë duhet të shprehin dhe të krijojnë mendime, të marrin pjesë dhe të kenë fuqinë për të marrë vendime për çështje dhe aspekte që janë në interes të tyre”, thekson tutje OSCE.

Rinia s’përfshihet në vendimarrje

Në një raport të publikuar nga D4D në prill të vitit 2020, theksohet se sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç përbëjnë një të pestën e popullsisë së përgjithshme.

“Shumë prej tyre janë të përfshirë në mënyrë joformale në proceset politike, si aktivizëm qytetar, por nuk janë të përfaqësuar në mënyrë formale në parlament dhe në listat e kandidatëve të partive politike. Në listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, vetëm 17% ishin të rinj deri në moshën 34 vjeçare. Në Kuvendin e Kosovës, nga 120 deputetë vetëm tre nën moshën 25 vjeçare arritën të fitojnë ulësen e deputetit”, thuhet në raport.

Sipas D4D, punësimi për të rinjtë në Kosovë është mjaftë sfidues, duke pasur parasysh se shkalla e përgjithshme e papunësisë është rreth 30%, kurse rreth gjysma e të rinjve prej moshës 16 deri 24 vjeçare janë të papunë.

“Për shumëkënd, posedimi i një libreze partiake është një vizë e rëndësishme për të gjetur një vend pune në sektorin publik. Kjo nuk duket të jetë edhe motivi për anëtarësim në parti politike në mesin e të rinjve pjesëmarrës në hulumtimin tonë. Të paktën sipas deklaratave të tyre, ka qenë programi politik arsye kryesore që i ka shtyrë për anëtarësim në parti politike, përkundër që jo të gjitha partitë politike kanë programe të shkruara”, thuhet në raport.

Nga D4D vlerësojnë se angazhimi i partive politike për të promovuar politikat që avancojnë rolin e të rinjve është thelbësor për partitë politike që jenë më atraktive për të rinjtë.

Eugent Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), deklaroi për KosovaLive se vullneti i të rinjve kosovar për të votuar është i madh, porse ata nuk përfshihen në vendimmarrje nga partitë politike.

Eugen Cakolli, KDI

“Politikanët shpeshherë e përmendin se të rinjtë janë e ardhmja… unë mendoj se të rinjtë janë e tashmja e vendit. Në hulumtimet që i kemi bërë KDI për zgjedhje e kemi vërejtur se të rinjtë kanë shumë vullnet për të votuar. Ata janë për ndryshimin e vendit, andaj ata duhen të përfshihen më shumë në vendimmarrje dhe jo vetëm në organizime që i krijojnë sa për sy e faqe”, ka theksuar ai.

 

Besimi i të rinjve në figurat e reja

Ndryshe prej partive të tjera që nuk “rrezikuan” që të kandidojnë nëpër komuna me kandidatë të rinj në moshë, Lëvizja Vetëvendosje, vendosi që në një nga komunat më të mëdha, në Gjilan për herë të parë të kandidojë me një figurë të re.

Alban Hyseni, 30 vjeç ishte figura e re që krijoi shpresë për gjilanasit. Ai në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, arriti të mund kundër kandidatin e tij Lutfi Hazirin, i cili për dekada kishte qeverisur me këtë komunë.

Alban Hyseni, 30 vjeç, kryetari më i ri në Kosovë

Madje Hyseni pas fitores u shpreh se pikërisht moshat e reja e bënë ndryshimin në Gjilan.

Bashkpartiaku i Hysenit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agon Batusha, po ashtu i ri në moshë, tha se partia e tij e vlerëson rolin e të rinjve në shoqëri, dhe u jep hapësirë figurave të reja.

“Partia në të cilën jam anëtar vlerëson shumë të rinjtë në politikë, andaj ka pasur shumë kandidatë për asamblistë që kanë qenë të rinj. Por, gjithashtu ne si parti kemi pasur edhe kandidatë të cilët kanë kandiduar për kryetarë dhe i kanë fituar zgjedhjet, si Alban Hyseni i cili është kryetari më i ri në Kosovë”, theksoi ai.

Batusha i cili ka 27 vjet, u zgjodh asamblist në komunën e Gjakovës. Ai beson se mosha e tij mund të ketë qenë faktor që ai u votua nga rinia gjakovare.

Ndërkohë në bazë të raporteve të viteve paraprake të KQZ-së pjesëmarrja e votuesve të rinj (18 deri në 29 vjeç) është në përgjithësi më e lartë sesa pjesëmarrja e përgjithshme.

Në katër parë zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja e të rinjve (18-29) ishte ose e barabartë me apo pak më e lartë sesa pjesëmarrja e përgjithshme e votuesve.

Pjesëmarrja e votuesve është në përgjithësi më e lartë në mesin e rinisë nga 18 deri në 21 vjeç në krahasim me grupmoshat e rinisë më të moshuar. Kjo vlen në përgjithësi për secilën komunë. E meshkujt e rinj kanë në përgjithësi pjesëmarrje më të lartë në votime sesa femrat e reja.

Eli Vula

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM