Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Vlerësimi pozitiv nga “Transparency International” na inkurajon në rrugën drejt luftimit të korrupsionit

Jan 26, 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fillim të mbledhjes së 56-të të Qeverisë ka thënë se edhe një zotim dhe angazhim i Qeverisë u reflektua pozitivisht në një raport kredibil ndërkombëtar.

Organizata “Transparency International” dje bëri të ditur se Kosova është ngjitur nga vendi 104 në vendin e 87 të Indeksit të Percepcionit të Korrupsionit për vitin 2021.

Vlerësimi pozitiv nga “Transparency International” na inkurajon në rrugën e vazhdueshme drejt luftimit të korrupsionit, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Përmirësimi për 17 vende i pozitës së Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar, përbën lajm shumë të mirë. Tregon se përpjekjet dhe përkushtimi ynë në luftën kundër korrupsionit institucional dhe krimit të organizuar kanë nisur të japin rezultatet e para.

 

Ky sukses besojmë se do të reflektohet pozitivisht në proceset dhe vendimet e Brukselit për Republikën e Kosovës. Por edhe në forcimin e mirëbesimit të investitorëve të jashtëm për të investuar kapitalin e tyre këtu, pa frikë nga shantazhi e haraçi i së kaluarës.

 

 Qëkur e morëm detyrën në mars të vitit 2021 dëshmuam vendosmëri për shkatërrimin e grupeve kriminale dhe luftimin e krimit në çdo pjesë të vendit, pa marrë parasysh cilit grup etnik apo grup interesi u takonin kriminelët dhe të korruptuarit.

 

Sipas Raportit vjetor të punës së Policisë së Kosovës, në periudhën janar-dhjetor 2021, janë realizuar 571 operacione policore, ndërsa janë goditur 49 grupe kriminale. Krahasuar me vitin 2020 këto shifra tregojnë ngritje për 75%, ndërkaq krahasuar me vitin 2019 ngritje për 32.4 %.

 

Në fushën e luftimit kundër krimeve ekonomike, korrupsionit dhe pasurisë janë regjistruar 339 raste, janë arrestuar 260 të dyshuar dhe janë ngritur 300 kallëzime penale ndaj 736 personave të dyshuar.

 

Vlerësimi pozitiv nga “Transparency International” na inkurajon në rrugën e vazhdueshme drejt luftimit të korrupsionit.  

 

Jemi të vetëdijshëm që kjo është rrugë e vështirë dhe e gjatë, dhe se duhet shumë punë. Por ne nuk do të ndalemi asnjëherë. Sepse ishte zotimi ynë për luftë të pakompromis ndaj së keqes shoqërore që mori besimin historik të qytetarit dhe solli ndryshimin e madh.  

 

Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit.

 

Me beteja të vogla, por të vazhdueshme do të triumfojmë në vendosjen e drejtësisë, rendit dhe ligjit saherë dhe kudo që ato mungojnë. Që Kosova sa më shpejtë të radhitet në renditjen globale të shteteve të sigurta, transparente dhe pa korrupsion.

 

Të dashur qytetarë, të nderuar zëvendëskryeministra, ministra të kabinetin qeveritar, zëvendësministra, jemi duke u përballur me një valë të re, me variantin Omicron të virusit që është jashtëzakonisht ngjitës dhe shpërndahet shumë shpejtë. Në 24 orët e fundit kemi 2007 qytetarë që kanë rezultuar pozitiv e një ditë më parë kishim 2243 raste të reja. Numër kaq të lartë të rasteve pozitive në ditë nuk kemi pasur që nga muaji gusht i vitit të kaluar kur kishim situatën shëndetësore shumë të rënduar. Madje janë tejkaluar shifrat e gushtit. 

 

Gjendja është e rënduar edhe tani. Kjo rritje e shpejtë e rasteve rritë numrin e spitalizimeve dhe ngarkesën mbi sistemin tonë shëndetësor e mund të rezultojë në më shumë vdekje. Neve po na duhet të kujdesemi si për shëndetin e popullsisë po ashtu edhe për kapacitetet e shëndetësisë. Të gjithë e dimë mirë gjendjen dhe kushtet në spitalet tona.

 

Në betejat e vazhdueshme në gati këto dy vite nga koronavirusi humbëm më të dashurit tanë, 3002 qytetarë të këtij vendi. Madje pardje, u pat shënuar edhe viktima e 3000-të.

 

U shpreh ngushëllime të përzemërta familjeve e miqve të qytetarëve tanë që nuk arritën të përballën me sukses me virusin COVID-19. Përballë kësaj gjendje qëllimi ynë kryesor është të shpëtojmë jetë. Ne duhet të kujdesemi që ta izolojmë këtë virus, ashtu që mos të izolohemi ne nga virusi. Vaksinimi dhe zbatimi i masave të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës janë të vetmet armë tona të luftimit ndaj këtij virusi.

 

Vlerësimet shkencore të profesionistëve shëndetësorë dhe të ekspertëve përkatës i paraprijnë çfarëdo vendimi politik a qeveritar. Andaj, u bëj thirrje të gjithëve që të vaksinoheni e të ftoni edhe të tjerët që të vaksinohen. Ta marrin dozën e tretë dhe atë përforcuese.

 

Duhet ta ruajmë shëndetin e jetën tonë, të njëri-tjetrit e të secilit. Në këtë ballafaqim duhet të jemi bashkë dhe do të dalim fitimtar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM