Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! tërhiqen nga kompenzimi për shpenzimet e udhëtimeve, si dhe ushtrojnë kërkesë te Kryesia e Kuvendit për rishikimin e vendimit për kompenzimin e deputetëve.
Lëvizja Vetëvendosje! prej që ekziston ka kërkuar që pagat e deputetëve të zvogëlohen pasi që nuk korrespondojnë me nivelin e përgjithshëm të pagave në vend dhe krijojnë hendek mes të përfaqësuarit dhe përfaqësuesit.
Në vitin 2010 kur jemi bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës për herë të parë kemi kërkuar që mëditjet të mos mbesin çështje e mëshirës apo përcaktimit individual por të jetë çështje e rregulluar me letra dhe formalisht. Ky propozim i yni asnjëherë nuk ka marrë mbështetje në Kryesi të Kuvendit.
Po ashtu në vitin 2018, grupi ynë parlamentar në kuadër të rishikimit të projektligjit për paga pat propozuar amandamentin numër 4 që tekstualisht thotë: “Deputetët nuk përfitojnë shtesa të tjera mbi pagën bazë”. Ky amandament nuk e pat marrë mbështetjen e deputetëve të PAN-it, dhe nuk pat kaluar.
Tash, kjo çështje është duke u rregulluar nga Kryetari i Kuvendit përmes rregullores së Kuvendit. Paga e 13-të është ndërprerë dhe nuk ekziston më, dhe mes shumë të tjerave çështje që kufizojnë shpenzimin e parasë publike është paraparë edhe kjo e shpenzimeve për udhëtim.
Shteti dhe shoqëria ndërtohen mbi bazën e rregullave dhe normave dhe jo mbi përcaktimet individuale të personave që bartin pozita. Ne besojmë në grupin tonë parlamentar dhe në synimin e tij për t’i hequr mëditjet dhe shtesat tjera që janë të tepërta e që i takojnë lakmisë së pushteteve nga e kaluara, thuhet në postimin në Facebook të LVV-së.