Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sot takoi delegacionin e Bankës Evropiane për Investime (BEI) të kryesuar nga zëvendës- presidentja Liliana Pavlova, në premisat qendrore të BEI në Luksemburg.
Ministri Murati vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen që Banka Evropiane për Investime i ka dhënë Republikës së Kosovës. Vlen të theksohet se gjatë periudhës së pandemisë, BEI ka ndihmuar Kosovën me 70 milionë euro, në funksion të rimëkëmbjes së qëndrueshme pas situatës pandemike.
Zëvendës-presidentja e BEI, Lilyana Pavlova e vlerësoi vizitën e delegacionit kosovar dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës. Synimi i përbashkët i të dy palëve është që të rritet mbështetja financiare dhe teknike duke vepruar në linjë me Agjendën e Gjelbër dhe Digjitale të Bashkimit Evropian.
Ministri Murati gjatë këtij takimi tha se “Shteti i Kosovës është fokusuar në zvogëlimin e ndikimit të pandemisë si dhe në ringjalljen ekonomike, andaj mirëpresim Planin Ekonomik dhe Investiv të BE-së i cili synon zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor”.
Si rezultat, të dy palët u zotuan të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që të konsolidojnë hapa të suksesshëm drejt agjendës së përbashkët të zhvillimit, thuhet në komunikatën për media e MFPT-së.