Agim Zhuti, drejtor i organizatës joqeveritare “Peja Rock School”, pohon se pas tri aplikimeve radhazi, sivjet kishte përfituar subvencion nga komuna. Ndonëse nuk kishte marrë të gjithë shumën për të cilën kishte bërë aplikimin, ai përsëri është ndarë i kënaqur.
Ai vlerëson qasjen e mirë dhe ambientin komfort të bashkëpunimit që i ka ofruar Komuna e Pejës si dhe për kushtet e ofruara për të vazhduar punën: hapësirën, ndihmën me pajisjet dhe izolimin e hapësirës. Veprimtaria e kësaj organizate, që ka dy bende rezidente, është edukimi joformal në muzikë i cili organizohet në tre kurse.
“Do ishte më mirë që procedurat për dhënien e subvencioneve të mos merrnin kaq shumë kohë, e po ashtu të rritet edhe bashkëpunimi mes neve si organizata që promovojmë fushën e artit dhe kulturës”, është shpehur ai.
Qyteti i Pejës dallohet shpesh me kontributin e tij në sferën e kulturës dhe njihet me organizim dhe jetë kulturore shumë të gjallë. Kjo laramani aktivitetesh arrihet nga bashkëpunimi i një numri të madh akterësh si organet lokale, organizatat e ndryshme dhe individë të pavarur, të cilët bashkëdyzojnë forcat dhe japin performanca për kontinuitetin e aktiviteteve kulturore.
Në faqen zyrtare të Komunës së Pejës, figurojnë një varg institucionesh të cilat kanë nën përgjegjësinë e tyre aktivitetet kulturore: Teatri profesional “Istref Begolli”, Bibloteka ndër-komunale “Azem Shkreli”, Shtëpia e Kulturës, Galeria e Arteve, Muzeu etnologjik, Kino-Teatri “Jusuf Gërvalla”, si dhe plot shtëpi të kulturës dhe qendra kulturore e sportive.
Januz Hajzeraj, zyrtar i rinisë në Drejtoratin për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë, e cila duhet të përkujdeset për përgatitjen, funksionalizimin dhe mbarëvajtjen e punëve në institucione kulturore, rinore e sportive, të bashkëpunojë me OJQ-të dhe organizatat e tjera tregon se kjo drejtori me të gjitha mjetet që ka në posedim mundohet t’i ngjallë të rinjtë e këtij qyteti, si dhe t’i ndihmojë organizatat e ndryshme, duke i subvencionuar çdo vit me një shumë të konsiderueshme të hollash. Edhe pse vitin e kaluar ishte pandemia dhe situata për zhvillimin e aktiviteteve kulturore nuk ishte e lehtë, drejtoresha dhe zyrtarë nga ky sektor u përkujdesën që të mos lihen anash aktivitet kulturore.
“Fuqizimi i rinisë, nxitja e të rinjve për pjesëmarrje në debate, nxitja e aktiviteteve nga të rinjtë e komuniteteve që jetojnë në Pejë, janë disa nga synimet që ne si drejtorat i rinisë mundohemi t’i arrijmë. Jemi të hapur për çdo iniciativë dhe ide të re, të cilën do mund të e mbështesim”, potencon Hajzeraj.
Ky sektor jap subvencione për organizatat të cilat plotësojnë kriteret e kërkuara, ndërkohë që aplikimet kalojnë nëpër Komisionin Vlerësues, të përbërë nga një anëtar i shoqërisë civile, një anëtar nga komunitetet, një anëtar nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa dhe dy anëtarë të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
“Përfituese të subvencioneve për vitin 2021 kanë qenë dikur rreth 8 organizata. Këto në vartësi të veprimtarisë që bëjnë marrin edhe shuma të ndryshme të ndara nga subvencionet. ‘Youth Innovation Center Peja’, ‘Peja Rock School’, ‘Era Group’, ‘Këshilli i Veprimit Rinor Lokal’ janë disa nga organizatat që kanë plotësuar kriteret e nevojshme dhe janë përfituese”, shton ai.
Hajzeraj tregon se problemi tek organet lokale qëndron tek buxheti i ulët i përcaktuar për këtë sektor, kurse pjesa tjetër mbetet tek qytetarët.
“Organet lokale duhet të ngrisin vlerën e buxhetit që ndahet për Drejtorinë e Rinisë në mënyrë që përfitues të subvencioneve të jenë një numër më i madh i organizatave, mirëpo duhet të ngritet poashtu edhe vullneti i të rinjve për aktivitete të tilla të cilat do sillni ndryshim”, shtoi Hajzeraj.
Nga ana tjetër, Aver Husaj, shefi për Kulturë nga Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë tregon se çdo vit shpallin konkursin për subvencione. Ndërkohë që me ligj shuma e cila shkon për subvencione duhet ndarë vetëm një herë në vit, ata ndihmojnë vazhdimisht gjatë tërë vitit në anën logjistike duke i furnizuar organizatat me derivate, apo edhe duke u dhënë në shfrytëzim automjetet. Pos kësaj, ndajnë edhe një shumë të konsiderueshme të hollash për kërkesat e veçanta organizimet apo edhe botime të librave.
“Buxheti për këtë vit ka qenë rreth 35.000 euro. Nga gjithsej 23 aplikantë që kanë qenë për subvencione, 14 prej tyre kanë përfituar me shumë duke filluar nga 300 euro deri në 5000 euro. Këto janë ndarë për ‘Takimet Azem Shkreli’, organizatën ‘Anibar’, për ‘Monoaktin’, për festivalet dhe takimet në Rugovë, e shumë të tjera”.
Organet lokale, sipas tij, kanë qenë të gatshme t’i dalin në ndihmë çdo organizate apo individi i cili u është drejtuar. Ai është i vetëdijshëm që jo të gjithë janë të kënaqur…
“Problemi qëndron tek ajo se disa organizata nuk aplikojnë fare, disa mendojnë se për aq sa aplikojnë aq edhe duhet të marrin. Këto aplikime të gjitha vlerësohen nga Komisioni Vlerësues i cili përbëhet nga disa anëtarë. Gjithashtu, kemi edhe Komisionin e ankesave ku deri më tash nuk ka pasur asnjë ankesë as nga personat fizik e as nga ata juridik”, shton ai.
Blinera Ethemi, kryetare e organizatës rinore (jokulturore) “Këshilli për Veprim Rinor Lokal”, me veprimtarinë e ndarë në tre kategori programore “edukim, “qytetari aktive” dhe “avokim” tregon për bashkëpunimin që kanë me organet lokale.
“Qëllimi ynë është fuqizimi i rolit të të rinjve në shoqëri, promovimi i qytetarisë aktive dhe vullnetarizmit. KVRL u shërben më shumë se 300 të rinjve gjatë gjithë vitit, të cilët angazhohen në shumë aktivitete. Këtë vit kemi qenë përfitues të subvencioneve nga organet lokale, por ka hapësirë për përmirësime”, thotë Ethemi në një bisedë për KosovaLive.
Ajo thotë se këto subvencione lënë shumë për të dëshiruar për faktin se shuma e të hollave që i dhurohet nuk është e mjaftueshme për aktivitetet që këta zhvillojnë. Sipas saj, duhet gjetur forma të tjera për ngritjen e subvencioneve edhe nga linjat e tjera buxhetore siç është zyra e kryetarit, linja për mallra dhe shërbime…
“Subvencionet që jepen nga organet lokale janë qesharake dhe me to mezi mund të organizosh edhe tryeza të rrumbullakëta e lërë më projekte më të mëdha. Mendoj që organet lokale duhet të krijojnë fonde të pavarura kulturore e rinore, që këto fonde do të ndahen në harmoni me organizatat që punojnë në kauza të tilla, e hibridizuar me institucionet e pushtetit lokal”, shton ajo.
Krenare Lika
Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.