Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kanceri i gjirit ende nuk po ka trajtim të duhur tek ne

Shk 23, 2022

Arnisa Osmani, njëherit e prekur me kancer të gjirite, njëherit edhe themeluese e Qendrës “Have Hope” për gratë , thotë se ka pasur mjaftë vështirësi për të kaluar këtë fazë të jetës së saj, që  me shumë vullnet, megjithatë e ka arritur.

“Nuk ka qenë lehtë momenti kur jeta më është ndryshuar 360 shkallë brenda 5 minutave nga momenti kur jam njoftuar se kam kancer. Nuk kam ditë as si të reagoj, as nuk e di si e kam përmbajt veten. Por nuk kam pas edhe shumë kohë për të menduar çka e tek, për arsye se kanceri ka qenë shumë agresiv dhe më është deshtë të hyjë në intervenim pa humbur kohë”, rrëfen Osmani.

Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit.

Moshat më të prekura janë 48-54 vjeç, por nuk kanë përjashtim as moshat më të reja ose më të vjetra. Disa nga simptomat janë: një masë në gji, sekrecion nga gjiri, tërheqje e thimthit (mamillës), gropëzim në gji etj.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), trajtimi i kancerit të gjirit mund të jetë shumë efektiv, veçanërisht kur sëmundja identifikohet herët.

Trajtimi i kancerit të gjirit shpesh konsiston në një kombinim të heqjes kirurgjikale, terapisë me rrezatim dhe mjekimit (terapi hormonale, kimioterapi dhe/ose terapi biologjike të synuar) për të trajtuar kancerin mikroskopik që është përhapur nga tumori i gjirit përmes gjakut. Një trajtim i tillë, i cili mund të parandalojë rritjen dhe përhapjen e kancerit, shpëton jetë.

Edhe në Kosovë sot shumë gra përballen me kancer të gjirit.

Sipas saj, kujdesi që tregohet në Kosovë për të prekurat nga kjo sëmundje është mjaftë i lartë. Gjithsesi ajo bën thirrje që të gjitha gratë të bëjnë kontrolle të rregullta dhe mos të anashkalojnë shëndetin e tyre.

“Mos pritni vetëm muajin tetor që të vetëdijesoheni. Vetëdijesimi është 365 ditë. Bëni kontrolle të rregullta, në mënyrë që të mos kaloni nëpër çka kalojnë gratë e afektuara nga kanceri i gjirit, kur ndryshohen si fizikisht ashtu edhe psiqikisht”, ka shtuar ajo.

Osmani përmend vullnetin, pozitivitetin që e ka marrë nga shoqëria, kolegët por më së shumti nga e ëma e saj. Dëshira e saj është që gratë e afektuara të mos dorëzohen asnjëherë, sepse dorëzimi sipas saj është gjëja më e lehtë për t’a bërë.

“Është sprovë e jetës, nuk duhet mu ndal dhe vetes me ia shtruar pyetjen, pse mua? Nuk ka unë, ti ose ajo. Ju lutem mos harroni se në fund të çdo tuneli shihet një dritë, ajo është shpresa. Motoja ime është – duaje jetën ashtu siç e dua unë”, thekson Osmani.

Edhe onkologu Arben Bislimi tregon se kanceri i gjirit është shkaktari i dytë i vdekjes nga kanceri në përgjithësi. Çelësi i zbulimit të sëmundjes është detektimi i hershëm. Ai renditë disa nga faktorët që ndikojnë dhe se si duhet të mbrohemi.

“Arsyet janë të shumta, duke filluar nga stili jetës, obeziteti, faktorët gjenetik por është rritur edhe shkalla e diagnostikimit dhe ndërgjegjësimit në raport me të”, thotë Bislimi.

Ai shpreh edhe nevojën për ndërgjegjësim të grave me qëllim të parandalimit.

“Derisa akoma ne ndërgjegjësimin e bazojmë në fushata të ndryshme e jo si programe kombëtare në formë skriningu, atëherë mendoj se larg jemi asaj që dëshirojmë edhe pse ka shumë përparime në këtë drejtim. Duhet që çdo ndryshim që vërejnë në gji të kërkojnë ndihmën e mjekut më të afërt duke evituar tabutë që kanë ekzistuar deri tani sepse e vetmja rrugë për shpëtim është diagnostikimi i hershëm derisa s’ka tjetër formë për  parandalim”, shton ai.

Bislimi përmend edhe kushtet që ofron Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Mendoj se klinika jonë momentalisht, pjesërisht përmbush nevojat elementare për trajtim të pacientëve, do të thotë duhet rritje e numrit të personelit sidomos atij infermieror për të përballuar fluksin e madh të pacientëve ditor që frekuentojnë në klinikë. Përditshmëria e punës e një onkologu në klinikë ka shumë vështirësi duke filluar nga qasja ndaj pacientit deri te mungesa e vazhdueshme e barnave dhe problemet me hapësira dhe asete, e cila reflekton direkt në efektivitetin e punës tonë”, thekson Bislimi.

Nafije Latifi, themeluese e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, “Jeta/Vita” tregon historinë e saj dhe arsyen që ka ndikuar në funksionimin e kësaj qendre që ka ndihmuar për gratë e prekura nga kanceri.

“Ideja për themelimin e kësaj Qendre u realizua rreth dy vite pas përballjes sime me këtë sëmundje dhe gjithë atyre problemeve. Kur u këndella pak për vete, mendova…çka bëjnë të tjerat që nuk e kanë informatën, familjen time, mundësitë materiale, miqtë e mi… T’i takoj ato gra nëpër ordinanca, ku duhej shkuar për kontrolle të vazhdueshme. Ndoshta do t’ju duket rrëfim paksa i personalizuar i një pacienteje, asokohe 54 vjeçe, gazetare në kulm të karrierës…. pas shokut, vuajtjes, trajtimeve në Gjermani, Shkup e Prishtinë… ditëve e netëve pa vullnet e përmbajtje, pa mundësi të llogaritjes së ditëve të ardhshme …Ky është realiteti”, thotë Latifi.

Sipas saj, arritja ku janë sot ka qenë mjaftë e vështirë. Synimi kryesor ka qenë vetëdijesimi i grave, pasi që në vitin 2006 kjo temë konsiderohej akoma tabu, i cili u bë realitet. E gjitha kjo ka filluar pasi që fituan grantin e parë, nga Ambasada Amerikane, ku u bë funksionalizimi i qendrës dhe realizimi i projektit për mbajtjen e 20 workshopeve nëpër komuna, hartimin e fletëpalosjeve dhe dy broshurave 40 faqesh, me udhëzime të ekspertëve mjekësorë për mënyrën e diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit, në gjuhën shqipe e serbe.

“Nga QKLKGJ JETA/VITA në vazhdimësi bëhen kërkesa në drejtim të përgjegjësve të politikave shëndetësore që nëpër QMF të komunave të sigurohet staf profesional për të bërë diagnostikim më të hershëm me ultrazë dhe mamograf. Të krijohen kushte që të mos ketë pritje të gjata për intervenim kirurgjik si dhe për trajtime onkologjike, të krijohen kushte që pacientet me kancer të gjirit të kenë mbështetje shumë të nevojshme psikosociale dhe fizioterapeutike në Institucionet ku trajtohen. Dhe te kenë pajisjet ndihmëse që pas trajtimit të mos ndjehen keq pa flokë, dhe pa proteza e gjoksore, gjë që rëndon  shumë psikikën e tyre”, shton Latifi.

Ajo thekson se për të themeluar e zhvilluar aktivitetet në një qendër të tillë nuk ishte aspak i lehtë. Kjo për shkak të ballafaqimit me raste nga më të ndryshme, që nga vajzat e reja, nënat e fëmijëve të vegjël, gratë në moshë të cilat ndihen barrë e fëmijëve të tyre. Përkushtimi për gjithsecilën kërkon forcë.

Latifi poashtu rrëfen edhe për një qëndrim të ftohtë ndaj politikave të bëra gjatë gjithë këtyre viteve.

“Pas përcjelljes 17 vjeçare të kësaj problematike, nuk mund të mos e theksoj bindjen time të thellë, se në asnjë fushë nuk janë bërë lojëra aq të shumta të politikëbërësve, siç ka ndodhur me Ministrinë e Shëndetësisë, ku për vite me radhë janë zgjedhur udhëheqës jokompetent që me veprimet e tyre jo vetëm që e kanë dëmtuar politikën shëndetësore të Kosovës, nga e cila në masë të madhe ka pësuar popullata, por gati të gjithëve iu është ndërprerë mandati dhe janë përballur me gjykata për shkak të keqpërdorimeve edhe me atë buxhet të kufizuar, i cili është ndarë për nevojat e qytetarëve. Për organizim të punëve e për thithje të donacioneve as që bëhet fjalë”, thekson ajo.

Sipas OBSH në vitin 2020, kishte 2.3 milionë gra të diagnostikuara me kancer gjiri dhe 685 mijë vdekje në mbarë botën. Kanceri i gjirit shfaqet në çdo vend të botës tek gratë në çdo moshë pas pubertetit, por me ritme në rritje në jetën e mëvonshme.

Anita Bakalli

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM