Në 24 vjetorin e ngjarjeve historike në Prekaz, në mars të vitit 1998 deri sa Adem dhe Hamzë Jashari luftonin në përballjen heroike me forcat serbe, gazetari britanik, Vaughan Smith me kamerën e tij dokumentonte po aq heroikisht këtë moment kthesë të historisë sonë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se në shenjë falënderimi dhe në emër të qytetit të Prishtinës i ka dhuruar gazetarit Smith figurën e Hyjneshës në Fron.
Si videogazetar i pavarur, Vaughan ka fitu individualisht dhe si pjesëtar i ekipeve, 28 çmime lajmesh. Shumicën e këtyre i ka për filmin “Lugina”, në të cilin portreton luftën në Kosovë, e i cili mbetet njëri nga dokumentarët më të vlerësuar që të jetë shfaqë në televizionet britanike.
Sot, kur shënojmë 24 vjet nga ngjarjet historike në Prekaz, gazetari britanik Vaughan Smith, në mars të vitit 1998, ndërsa Adem e Hamzë Jashari luftonin në përballjen heroike me forcat sërbe, ai me kamerën e tij dokumentonte po aq heroikisht këtë moment kthesë të historisë sonë.
Them heroikisht, sepse edhe Vaughan vetë u vu në sprovë prej vdekjes. Snajperisti sërb e shënjestroi, dhe plumbi e goditi Vaughan-in. Por, në zallamahinë e përgjithshme dhe në përqendrimin për t’u tërheqë i sigurt drejt veturës së ndodhur me kilometra larg, Vaughan as nuk e kuptoi se ishte goditë. E mori vesh veç kur u kthye në veturë dhe nxori nga çanta e lidhur rreth brezit shaminë ku kish mbështjellë pakon e cigareve, një tufë prej 3 mijë markash gjermane dhe telefonin mobil me të cilin donte me i telefonu gruas. Telefoni ishte kthy në një deng copash metali, e plumbi kish mbetë i ngulitur në baterinë e tij. Markat gjermane e kishin të gjitha nga një vrimë të rrumbullakët mespërmes. Kur Vaughan çoi këmishën, pa një mavijosje të madhe në bark, por asgjë më shumë. Të mos e kishte çantën rreth brezit, plumbin do ta kishte në bark.
Xhirimet që i transferoi me satelit, po atë ditë i shfaqën edicionet e lajmeve në BBC të Britanisë. Filmimet ishin ato të shkëmbimeve të para të rëndësishme të zjarrit në luftën e saponisur të Kosovës. Nga pamjet shihej qartë edhe shkatërrimi sistematik, ndërsa forcat sërbe hidhnin lëndë djegëse mbi shtëpitë e Prekazit për t’ua vënë atyre flakën, e që botës ia dhanë të parat dëshmi reale se sërbët e kishin nisë një fushatë të madhe spastrimi në Kosovë. Asnjë kameraman tjetër, gjatë gjithë muajve të gjatë të luftës, nuk ia doli me iu ardhë aq afër sa Vaughan autoblindave të Sërbisë gjatë aktit të rrënimit të shtëpive shqiptare.
Si videogazetar i pavarur, Vaughan ka fitu – individualisht dhe si pjesëtar i ekipeve – 28 çmime lajmesh. Shumicën e këtyre i ka për filmin “Lugina”, në të cilin portreton luftën në Kosovë, e i cili mbetet njëri nga dokumentarët më të vlerësuar që të jetë shfaqë në televizionet britanike.
Në vitin 2010, kur unë po punoja në projekt-propozimin për konservimin e shtëpive-muze të familjes Jashari, Vaughan më dha shumë bujarisht të drejta të plota me i përdorë filmimet e tij.
Sot, në këtë përvjetor të ngjarjeve në Prekaz, në emër të qytetit të Prishtinës, zotit Vaughan Smith në shenjë falënderimi, ia dhurova figurinën e Hyjneshës në Fron, simbolin e qytetit tonë, dhe në të njejtën kohë i tregova se do të iniciojmë procedurat për ta shpallur Qytetar Nderi të Prishtinës më 11 qershor për ditën e çlirimit të qytetit tonë.