SBASHK uron që kjo datë e madhe e mësuesit dhe shkollës shqipe dhe kontributi i madh i pishtarëve të dijes nëpër vite e dekada në shërbim të kombit e atdheut të jetë shtytje shtesë për institucionet që të bëjnë angazhim konkret në plotësimin e kërkesave të tyre.
SBASHK do të vazhdojë me përkushtimin në prezantimin dhe realizimin e kërkesave të punëtorëve të arsimit bashkë me nxënësit që të vazhdojnë betejën për dije e njohuri të reja.
Këtë vit kudo në komunat e Kosovës dhe në institucionet e arsimit, kujtimi për pishtarët e dijes dhe ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve nga SBASHK për të pensionuarit u shoqërua edhe me momente të dhembjes duke përmendur në shenjë nderimi emrat e kolegeve e kolegëve tanë, që Covidi duke u bërë mik i ngushtë me vdekjen, na i rrëmbeu nga mesi ynë duke ua ndalur angazhimin në misionin e tyre të shenjtë për arsimimin e edukimin e brezave, por i përjetshëm do të jetë kujtimi për ta.
Sa herë vjen marsi mësuesit e nxënësit lartësojnë kujtimin për Epopenë e lavdishme të UÇK -së dhe për komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorët e kombit që i ndërruan kahjen historisë dhe u bën gurëthemel të lirisë së Kosovës. Kujtojmë me krenari mësuesin e dëshmorin Shaban Jashari dhe pishtarët e dijes, që nëpër dekada e shekuj mbrojtën rrezet e dritës kundër errësirës.
SBASHK edhe në këtë ditë feste kujton institucionet se vazhdojmë angazhimet që kërkesat t’i realizojmë me dialog, por po përgatitemi edhe për veprime sindikale. Bashkë në SBASHK në rrugëtimin tonë drejt arritjeve të reja.
Gëzuar dita e mësuesit dhe e shkollës shqipe, thuhet në komunikatën për media e SBASHK-ut.