Build Skills with our trainings

Sign up now!

“Martesa e përzier nuk është për të dobëtit”: Çiftet ndëretnike në Bosnjën dhe Kosovën e pasluftës

Mar 22, 2022

Në vendet që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, si Bosnja dhe Hercegovina, ku jetojnë serbët etnikë, boshnjakët, kroatët – dhe ata që nuk deklarojnë përkatësinë etnike –, martesa e përzier shpesh shihet si një “tabu”. 

Njerëzit në ato që zakonisht përmenden si “martesa e përzier” shpesh veçohen në komunitet dhe fëmijët e rritur në këto martesa etiketohen si “fëmijë pa besim dhe identitet të qartë”.

Përqindja e martesave të përziera etnikisht në RSF Jugosllavi ishte 13%, me shifrat më të larta të evidentuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Vojvodinë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe shfaqjes së shteteve-kombe që pretendonin se përfaqësonin grupet e saj kryesore etnike, numri i martesave të përziera midis njerëzve të besimeve dhe kombësive të ndryshme u zvogëlua. Në Srebrenicë në veçanti, përqindja e paraluftës ra prej 30% në 3%.

Radomirka dhe Hariz Alić nga Srebrenica

Radomirka dhe Hariz Alić u martuan 8 vite më parë. Radomirka është nga Tesliqi dhe ajo u takua me bashkëshortin e saj, i cili është nga Srebrenica, në Qendrën Rinore lokale.

  “Unë dhe bashkëshorti im punuam në sektorin e OJQ-ve dhe unë dola vullnetare në Qendrën Rinore në Srebrenicë, ashtu si ai. U njohëm pak më mirë dhe filluam të shoqëroheshim përmes një projekti. Ishte në prill 2013. Unë kisha ardhur në Srebrenicë për të studiuar. Të gjithë e dinin që unë isha e re, por unë me të vërtetë nuk njihja askënd”, thotë Radomirka.

Radomirka dhe Hariz Alić në pastiçerinë që hapën në 2018 në Srebrenicë

E pyetur sesi njerëzit reaguan ndaj marrëdhënies së tyre dhe martesës së saj më pas me Harizin, Radomirka thotë:

“Sinqerisht, nuk mendoj se dikush ishte i interesuar për këtë, por përsëri, secili kishte mendimet e veta. Disa shprehnin pakënaqësinë e tyre përmes rrjeteve sociale, shkruanin mesazhe të ndryshme përmes Facebookut. Pavarësisht kësaj, unë vazhdova t’i përshëndes ata njerëz. 10 vjet më vonë, ata njerëz më flasin normalisht.”

Rritja e fëmijëve në një martesë të përzier

Hariz dhe Radomirka po i rrisin fëmijët e tyre (një fëmijë 3 vjeç dhe një 6 vjeç) në frymën e respektit dhe mirëkuptimit për të gjitha fetë.

  “Ne i festojmë të dyja festat, fëmijët tanë po rriten duke i njohur të dyja. Festat e festuara nga bashkëshorti im i kalojmë me familjen e tij dhe festat e festuara nga familja ime i kalojmë me të afërmit e mi të afërt dhe të gjerë. Fëmijët kalojnë një pjesë të vitit në Srebrenicë, dhe pjesa tjetër me familjen time në Tesliq. Ata jetojnë një jetë normale të fëmijëve. Ka njëfarë pasigurie dhe ankthi se si do të jetë nesër, kur të rriten, si mund të reagojnë njerëzit. Fëmijët tanë janë rritur pa ndonje paragjykim, por… Ka frikë.”

“Do të ishte e vështirë nëse fëmijët e mi do të vinin dhe do të thoshin se askush nuk donte të luante me ta sepse ishin nga një martesë e përzier”, thotë Rada Aliq.

“Dashuria fiton në raste individuale, por mezi. Kaq shumë njerëz kanë kaluar nëpër Qendrën Rinore dhe ju flisni me të gjithë, por pastaj ata shkojnë në shtëpi dhe, e dini, ju nuk jeni me ta 24 orë në ditë, 365 ditë në vit. Nëse mjedisi është i sëmurë, nëse është i infektuar me nacionalizëm, mund të bësh një hap përpara, por ai të tërheq pesë hapa prapa.”

“Disa njerëz që ishin me mua në Qendrën Rinore, me kalimin e kohës u bënë nacionalistë nën ndikimin e nacionalizmit, edhe pse mund të mos kenë qenë në të kaluarën. Megjithatë, unë dhe bashkëshorti im nuk patëm ndonjë problem të madh. E rëndësishme është që ne të kalojmë mirë dhe fëmijët tanë të rriten në një familje të madhe”, përfundon Radomirka.

 Marinko dhe Nermina Sekulić nga Srebrenica

Një shembull i një martese të suksesshme sipas kritereve të shumicës së njerëzve – veçanërisht në një shoqëri ku martesat e përziera janë bërë më pak të zakonshme – është familja e Marinko dhe Nermina Sekulić-it, e cila po ecën e fortë për më shumë se 37 vjet. Pesë fëmijët e tyre mund të jenë lehtësisht një burim krenarie për çdo prind.

Marinko thotë se edhe para luftës ka pasur paragjykime për martesat e përziera, por rrethanat sociale atëherë kanë qenë të ndryshme.

Në kohën e vëllazërisë dhe unitetit, njerëzit nuk ishin të interesuar se kush është çfarë, por ajo luftë fatkeqe bëri të veten. Është ndryshe për shumë njerëz sot, por për disa nuk është.”

“Unë jam rritur për të ndarë njerëzit në dy lloje – të mirë dhe të këqij. Nuk më intereson absolutisht emri, mbiemri, feja apo kombi, sepse njeriu kur lind nuk mund të zgjedhë babanë apo nënën, fenë apo kombin, por mund të zgjedhë llojin e personit që do të jetë. Pra, edhe fëmijët e mi nuk kanë absolutisht asnjë paragjykim.”

“Një djalë është në Gjermani, i martuar me një grua indoneziane. Ajo është muslimane, por kjo nuk ka të bëjë absolutisht me asgjë. Besoj se sot ka paragjykime, sepse edhe pse kanë kaluar gati 30 vjet, plagët e luftës janë ende të freskëta në një farë mënyre, dhe këta të ashtuquajturit politikanët tanë, e ndezin atë çdo ditë për të qëndruar në pushtet, duke mos menduar se çfarë janë duke u bërë njerëzve të zakonshëm, ata po i kthejnë në të kaluarën dhe të keqen”, thotë Marinko.

Marinko Sekulić Kokeza në shtëpinë/zyrën e tij familjare në Srebrenicë

I pyetur për rritjen e fëmijëve, Marinko kujton se si është rritur nga prindërit e tij. Ishte e pamendueshme që një fëmijë të mos përshëndeste fqinjin e tij atëherë, thotë ai. Të gjithë të moshuarit respektoheshin dhe të rinjtë dëgjonin.

“Kishte shumë më tepër respekt në mesin e njerëzve, dhe në veçanti në familje, dije se kush çfarë bënte dhe kur, kur të ishe në shtëpi dhe kohën deri në të cilën mund të rrije jashtë, ku mund të ishe, ndërsa sot është plotësisht kohë e ndryshme.

Foto e familjes Sekulić nga fillimi i viteve 2000

Sekuliç thotë se fëmijët e tij nuk janë përballur kurrë me krizë identiteti. Ata u rritën në frymën e multikulturalizmit dhe multikonfesionalizmit,

Për mua është e rëndësishme të festojmë gjërat, dhe ne kemi romako-katolikë, të krishterë ortodoksë dhe myslimanë në familjen tonë të gjerë, kështu që ne festojmë gjithçka. Gruaja ime është boshnjake, muslimane dhe është normale që ajo të festojë Bajramin. Pra, çfarë, nuk duhet të bëj Bajram, të mos ulem e të mos ha bakllava, apo jo?” thotë ai duke qeshur.

“Ose, si të mos festojmë Krishtlindjet apo ndonjë festë tjetër?! Ato festa janë atje për të mbledhur familjen dhe për të na bërë bashkë. Për shkak të rrethanave dhe Srebrenicës siç është, asnjë nga pesë fëmijët tanë nuk jeton me ne përgjithmonë; vetëm djali i vogël aktualisht bën praktikë para provimit të shtetit dhe më pas do të largohet edhe ai. Dy fëmijë janë në Gjermani, dy në Sarajevë, të gjithë kanë shkuar për të kërkuar fatin. “

 Mësimi fetar në martesat e përziera

Në shkollat ​​e Republikës Srpska, ekziston një praktikë e dërgimit të fëmijëve në klasat e fesë ortodokse që nëse prindërit janë ortodoksë ose nëse prindërit janë myslimanë, fëmija ndjek mësimin fetar islam. Marinko shpjegon se si funksionoi në shtëpinë e Sekuliqit.

“Duke qenë se mësimi fetar nuk është një lëndë e detyrueshme, fëmijët mund të zgjedhin, siç e bënë të mitë, një lëndë të quajtur Kultura e feve. Të pestë vendosën të mësojnë diçka për të gjitha fetë. Ata nuk kishin asnjë problem në lidhje me këtë … Kishte disa ne fillim kur u kthyem nga Tuzla pas lufte, dhe femijet (si femijet) flisnin se kush eshte cfare dhe pati disa perleshje, edhe djali im i madh dikur u grind me nje djale dhe sot jane te dy te rritur dhe miq. Por unë nuk i kushtova rëndësi atëherë dhe nuk kishte rëndësi për mua. Unë i rrita ata ashtu siç u rrita unë.”

Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, Marinko Sekulić ishte në Maqedoninë e Veriut. Ai ishte gazetar, siç është sot. Ai thotë se për miqtë e tij në Maqedoninë e Veriut, lufta në Bosnje ishte e pakuptimtë – ata nuk mund të shohin dallimet mes qytetarëve të saj.

Hulumtim mbi martesat e përziera në BiH

Një sondazh i PRIME Communications tregon se 15% e qytetarëve të BiH pajtohen plotësisht me deklaratën se “ata nuk duhet të përzihen me anëtarët e kombeve të tjera përmes martesave të përziera etnike”, ndërsa 23.7% në përgjithësi pajtohen, që përbën një total prej 38.7%. 28.6% janë të pavendosur. 12,8% e të anketuarve në përgjithësi nuk pajtohen me këtë deklaratë, 19,9% nuk ​​pajtohen fare, që përbën gjithsej 32,7% ose një të tretën e popullsisë së BeH.

Në Srebrenicë, rreth 3% e martesave janë të përziera. Në Bratunac kjo përqindje është shumë më e ulët, llogaritet se rreth 1% e numrit të përgjithshëm janë martesa të përziera. Sipas regjistrimit të vitit 2013, Srebrenica ka numrin më të ulët të katolikëve romakë, vetëm 17 individë, ndërsa 26 jetojnë në Bratunac. Prandaj, ka pak martesa midis katolikëve romakë dhe grupeve të tjera. Martesat mes serbëve dhe boshnjakëve janë më të zakonshme, për shkak të përqindjes më të lartë të individëve që i përkasin këtyre grupeve në popullatën e përgjithshme.

Suada dhe Rade Obradoviq

Suada dhe Rade Obradoviq nga fshati Brezak afër Bratunacit po festojnë 35 vjetorin e martesës harmonike. Ata kanë tre fëmijë, dy prej të cilëve kanë lindur para luftës. Suada dhe Rade u takuan në Lukavac afër Tuzlës dhe që atëherë nuk janë ndarë më.

Foto e familjes AnObradović nga fundi i viteve ’90

Para luftës kam punuar në një kompani fushore që shkonte nga vendi në vend – Vishegrad, Tuzla, Doboj, jugu dhe veriu i Serbisë, Priboj. Shkonim kudo. Në vitin 1985 punova në Tuzla të Lukavcit, prej nga është. Në Tuzla, unë kam dalë me njerëz dhe asnjehere nuk kam përjetuar situatë negative. Lufta na gjeti ketu. Gruaja ime ishte refugjate ne Serbi por nuk kishte asnje konflikt apo problem edhe atje”, thotë Rade.

I pyetur nëse ka dyshuar ndonjëherë në zgjedhjen e tij, Rade përgjigjet:

“Të rinjtë sot, pa dallim ane, martohen dy-tre vjet, pastaj ndahen. 35 vjet nuk është gjë e vogël, nëse do të kthehesha në moshën 22-vjeçare, do ta bëja përsëri, do ta bëja të njëjtën gjë kam bërë herën e parë”, thotë ai duke qeshur.

“Në Bratunac ka pasur shumë martesa të përziera para luftës dhe ne jemi shoqëruar normalisht dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme. “Pas luftës, kur shkuam në Federatë, nuk u kthyem pa pirë, pa u ulur, pa kaluar natën, pa qenë në panair”, tregon Rade.

Paragjykimet për martesat e përziera

Suada Obradoviq thotë se asnjëherë nuk ka hasur në komente negative apo paragjykime lidhur me martesën e tyre. E rëndësishme, thotë ajo, është që njerëzit të jenë normalë dhe të shkojnë mirë.

“Në qytetin tim nuk e di as sa vajza kanë qenë në martesa të përziera në atë kohë. Nuk kam pasur paragjykime as për luftën e as pas saj. Kam tre fëmijë, vajza ime ka mbaruar shkollën e punëve të brendshme dhe punon si police, inspektore, djali im i mesëm mbaroi shkollën e mesme të elektroteknikës dhe i vogli u regjistrua në seminar, kështu që, siç thonë ata, secili ka zgjedhjen e tij.”

“Për sa i përket faktit nëse ndonjëherë jemi kufizuar duke qenë në një martesë të përzier, jo, nuk kemi pasur ndonjë avantazh, por nuk ka pasur as pengesa. Në të vërtetë, fëmijët nuk kanë pasur probleme as në shkollë dhe askush nuk i ka kushtëzuar për këtë. Për shembull, më kujtohet kur vajza ime duhej të martohej dhe gjeti një të dashur, gjëja e parë që i tha ishte se ishte nga një martesë e përzier, në rast se e shqetësonte. Por nuk ndodhi, në të vërtetë nuk kishte fare probleme.”

Suada feston festën e Shën Nikollës me bashkëshortin e saj, por feston edhe Bajramin dhe festat e tjera.

“Ne festojmë gjithçka dhe shoqërohemi, kemi vërtet shumë miq, ne dhe fëmijët gjithashtu.”

“Jam përfshirë në aktivitete të ndryshme pajtimi. Ka qenë e vështirë gjatë luftës, jo vetëm për ne, por për të gjithë. Në vitet e pasluftës, kur u kthyem këtu… kishte raste kur nuk mund të edukonit fëmijë, jo sepse ishim në një martesë të përzier, por sepse ishte një kohë e tillë. Ndoshta kam menduar dhe jam penduar që atëherë nuk jam larguar jashtë vendit, por tani që e kemi pajisur shtëpinë dhe jetojmë nga bujqësia, mund të jetohet bukur. Nuk pendohem tani, vërtet nuk pendohem që qëndrova këtu.”

“Shpresoj se do të vijë koha, si më parë, që nuk ju intereson kush apo çfarë është dikush, por thjesht të keni dashurinë, jetën dhe pikëpamjet tuaja”, thekson Suada.

Të dhëna nga Instituti i Statistikave i Republikës Srpska dhe Zyra Statistikore e Federatës së BiH

Sipas të dhënave të Entit Statistikor të Federatës së BeH-së, në vitin 2019 në Bosnje dhe Hercegovinë janë bërë rreth 18 mijë martesa, 600 prej të cilave janë të përziera në shkallë kombëtare. Instituti i Statistikave të Republika Srpska thotë se rreth 5000 martesa u bënë gjatë të njëjtit vit, 250 prej të cilave ishin martesa të përziera.

Psikologët dhe sociologët pohojnë se çështja e martesave të përziera nuk është ekskluzivisht një “problem” i popujve ballkanikë, ndonëse është shumë i theksuar në atë popullatë – edhe kur ata gjenden në vendet e Evropës Perëndimore.

Nga ana tjetër, vitet e fundit, martesat mes femrave serbe dhe shqiptare janë bërë më të shpeshta në zonat rurale të Serbisë fqinje. Sipas të dhënave të publikuara nga Radio Evropa e Lirë, nga viti 2015 deri në vitin 2019 janë realizuar 365 martesa mes anëtarëve të këtyre dy grupeve kombëtare. Në të njëjtën periudhë, rreth 3,000 martesa u bënë midis serbëve dhe hungarezëve, dhe rreth 1,200 midis serbëve dhe kroatëve, gjë që tregon më tej se kur bëhet fjalë për zgjedhjen e partnerëve të jetës, megjithëse disa shtete anëtare të BE-së, si Kroacia, kanë mundësinë të ” përzihen” me më shumë popuj, preferohen mentalitetet e përputhshme – në këtë rast ajo ballkanike, e cila ende ushqen figurën e nënës dhe gruas.

Në Kosovë, barriera gjuhësore vazhdon të jetë një pengesë e madhe

Ndryshe nga Bosnja dhe Hercegovina, madje edhe nga pjesa tjetër e rajoneve të ish-Jugosllavisë, pengesa kryesore ndërmjet dy grupeve kryesore etnike të Kosovës – serbëve dhe shqiptarëve etnikë – është çështja e gjuhës.

Gjatë Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës flisnin serbo-kroatisht dhe serbët etnikë mësoheshin shqip në shkollë, edhe pse ishte shumë më e zakonshme që shqiptarët të flisnin serbo-kroatisht sesa anasjelltas.

“Mendoj se definitivisht mund të ketë më shumë martesa të përziera,” thotë Linda Gusia, sociologe dhe profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. “Në sociologji, martesat janë një masë e afërsisë së dy shoqërive. Duke marrë parasysh se aktualisht ka pak ose aspak martesa mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, ju mund të nxirrni përfundimet tuaja.”

Pothuajse nuk ka statistika për martesat e përziera në Kosovë, si tani ashtu edhe gjatë periudhës jugosllave. Gjatë Jugosllavisë socialiste, ata që i përkisnin martesave të përziera do të deklaroheshin si jugosllavë etnikë në regjistrim, ose do të rendisnin një prejardhje etnike të paspecifikuar ose “tjetër” – dhe madje në këto raste kishte mezi 1%

“Numri më i madh i martesave është parë në vitet 1970 dhe 1980, dhe pas kësaj me fillimin e destabiliteteve politike dhe më pas konfliktit, ne nuk i shohim më ato aq shpesh,” shpjegon Gusia.

Një martesë e përzier, në përkufizimin klasik, do të ishte gjithashtu ajo midis komunitetit turk dhe boshnjak të Kosovës, por ato priren të jenë më pak të diskutueshme dhe të përmenden më pak në diskursin publik – kryesisht sepse në Kosovë, gjuha dhe jo feja shihet si vijë ndarëse kryesore.

“Numri më i madh gjendet në mesin e komuniteteve boshnjake dhe etnike turke. Nuk ka statistika të sakta për këtë, por ajo që duhet mbajtur parasysh është se shumica e martesave të përziera janë mes kosovarëve dhe të huajve, apo jo-kosovarëve”, tha Gusia.

“Numrat dhe statistikat për martesat e komunitetit shqiptar me komunitetin serb janë relativisht të vogla, ose thuajse inekzistente, gjë që mendoj se është tregues se sa të afërt janë serbët dhe shqiptarët dhe sa kontakt kanë serbët dhe shqiptarët. Serbët në Kosovë jetojnë në qytetet e tyre dhe integrimi i serbëve dhe shqiptarëve nuk është aq i madh dhe kjo mendoj se më pas reflektohet në martesë”, përfundon ajo.

“Ne kemi shkolla njëgjuhësore. Ne nuk kemi shkolla të integruara dhe kjo krijon kufizime në faktin se shqiptarët dhe komunitetet e tjera thjesht nuk takohen aq shumë në këtë moment, kur ka kontakt dhe ndërveprim atëherë ka edhe mundësi për martesë; në kontekstin në të cilin jemi nuk ka shumë kontakte”, tha Gusia.

Hana Kaja vjen nga një martesë e përzier dhe thotë se reagimi kryesor për sfondin e saj është ai i mëdyshjes dhe habisë. Ajo është nga pjesa jugore e Kosovës, e cila tenton të jetë shumë më e larmishme – si etnike ashtu edhe fetare. Zona e Prizrenit është shtëpia e komuniteteve të rëndësishme myslimane dhe katolike shqiptare, si dhe komuniteteve serbe, boshnjake, gorane dhe maqedonase.

“Nuk është aq e pazakontë sa mendojnë disa njerëz – thjesht rritesh në dy kultura të ndryshme dhe ke privilegjin të dish më shumë se dy gjuhë kur të rritesh. Kjo ju bën më mendjehapur dhe ju ndihmon të kuptoni njerëzit dhe kulturat e tjera.”

“Njerëzit mendojnë se është shumë interesante,” thotë Hana.

Për Ilir Gashin, një profesionist i medias, i lindur dhe i rritur në Beograd, identiteti i tij profesional ka qenë më i spikatur në jetën e tij, pavarësisht nga fakti se njerëzit vazhdimisht pyesin për përkatësinë e tij etnike.

“Unë nuk kam një ndjenjë të qartë të përkatësisë etnike. Është mjaft fluide – ndonjëherë do të ndihesha më shumë si serb dhe nganjëherë do të ndihesha më shumë si një shqiptar, por shumicën e rasteve thjesht nuk ndihem sikur i përkas ndonjë komuniteti të caktuar dhe as nuk mund ta kuptoj lehtësisht ndjenjën e etnisë /përkatësisë kombëtare. Në të njëjtën kohë, unë jam krijuar disi nga të dyja dhe mund të lidhem me të dy komunitetet. Është një pozicion i çuditshëm të jesh, por e kam mësuar deri diku”, shpjegon Gashi.

“Martesat shqiptaro-serbe ishin mjaft të zakonshme në familjen time. Gjyshi im ishte shqiptar, dhe gjyshja ime ishte serbe; babai im u martua me nënën time serbe, dhe të dy vëllezërit e tij – xhaxhallarët e mi – u martuan me gra serbe (njëri më vonë do të divorcohej dhe do të rimartohej, këtë herë me një shqiptare). Pra, ndjenja e rritjes në këtë lloj familjeje ishte në të njëjtën kohë ajo e përqafimit të këtyre dallimeve si vlera pozitive, dhe nga ana tjetër, një ndjenjë shqetësimi në rritje dhe më vonë një përçarje në rritje midis dy anëve të familjes, ndërsa po bëhej gjithnjë e më e qartë se në botën e jashtme kjo shihej si shumë problematike.”

“Të gjithë pritej të mbanin anën dhe kjo reflektoi edhe në familjen time. Nuk mendoj se familja ime – apo ndonjë familje tjetër me martesë të përzier në Jugosllavi – ishte vërtet e përgatitur për atë që do të vinte, as se kishte një mënyrë për t’u përgatitur. Sigurisht që nuk isha i përgatitur”, kujton ai.

Ndryshe nga Bosnja, identiteti fetar është shumë më pak i rëndësishëm në kulturën shqiptare. Heronjtë kombëtarë, politikanët, artistët dhe intelektualët publikë kanë qenë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë dhe Shqipëria ka një nga kishat ortodokse autoqefale më të vjetra në rajon – një keqkuptim i harruar shpesh nga ata që supozojnë se konflikti shqiptaro-serb është i një natyre fetare.

Gjuha, nga ana tjetër, është ndarësi kryesor. Gjatë historisë, identifikimi me kombin shqiptar është theksuar nga gjuha, veçanërisht duke pasur parasysh se shqipja është në kontrast të plotë me gjuhët sllave në rajon dhe greqishten, gjuha që gjendet në jug të vendit.

Për Ilirin, prejardhja e tij në dukje ekzotike është në fakt më së shumti çështje perceptimesh.

“Unë mendoj se është zakonisht një përzierje shumë unike e gjërave që në masë të madhe varet nga mënyra se si personi e trajton faktin e të qenit i lindur në një martesë të përzier, në lidhje me mjedisin e tij/saj shoqëror dhe kontekstin politik, dhe se si ai/ajo reagon ndaj të gjithëve, dhe lundron nëpër të. Është një proces shumë i ndërlikuar dhe intensiv, dhe nuk arrin kurrë në një pikë kur të jesh përfundimisht i vendosur. Ju vazhdoni të zbuloni aspekte të reja dhe vazhdoni të ndryshoni gjatë gjithë kohës. Në fakt është mjaft emocionuese, ndonjëherë ndoshta edhe shumë emocionuese, por kështu është”, tha Gashi.

Ai është një gazetar dhe aktivist i shquar për të drejtat e medias në Beograd, dhe më parë ishte drejtor i fondacionit Slavko Curuvija – një organizatë për lirinë e medias e krijuar për nder të gazetarit serb të vrarë nga autoritetet në 1999 ndërsa tensionet arritën në Serbi.

Thjesht ekzistenca e Ilirit ka qenë një problem për ata që nuk janë mjaft mendjehapur në qasjen e tyre ndaj identitetit. Ai ka atë që shumë e konsiderojnë si një emër dhe mbiemër shumë shqiptar, por është një folës amtare I serbishtes.

Po, unë kam qenë i paragjykuar – është ndërtuar pak a shumë në përvojën time të të jetuarit në Beograd që kur isha fëmijë, pasi Ilir Gashi është një lloj emri që mund të tërheqë shumë vëmendje të padëshiruar”, thotë Gashi.

“Megjithatë, ndërsa rritesha, do të gjeja gjithnjë e më shumë njerëz që ishin plotësisht të lirë nga paragjykimet – ose do t’i luftonin në mënyrë aktive. Pra, në të vërtetë nuk është diçka për të cilën mendoj çdo ditë kur eci në rrugët e Beogradit – ndihem mjaft rehat duke jetuar atje – megjithëse ka gjithmonë një shans që mund të kërcejë drejt teje nga pas çdo cepi. Truku është thjesht ta injorosh atë, sepse përndryshe me siguri do të çmendeshe.”

“Është vërtet qesharake në një farë mënyre që diçka e ngjashme më ka ndodhur në Prishtinë disa muaj më parë. Unë isha në një lokal dhe ishte një djalë që kishte problem me mua duke folur serbisht me shokun tim nga Beogradi. Nuk kishte kuptim të shpjegohesha se emri im është Ilir Gashi, sepse çfarë do të ishte ndryshe nëse do të quhesha Slobodan Petrovic? A do të ishte më e pranueshme të diskriminoheshe?”

Milica Andric Rakic ​​është një gazetare dhe studiuese e cila aktualisht punon për Iniciativën e Re Sociale, një OJQ me bazë në Mitrovicën e Veriut, qyteti me shumicë serbe që konsiderohet qendra administrative e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

Shumica e aktiviteteve të NSI fokusohen në çështje të tilla si nacionalizmi, paragjykimet dhe ndikimi politik në marrëdhëniet ndërmjet grupeve etnike të Kosovës.

“Nuk mund të them se kam miq në mbarë Kosovën pasi që shumë qytete mbeten të paarritshme për mua në atë kuptim social. Jashtë zonave me shumicë serbe ka vetëm dy qytete në Kosovë ku shkoj për kënaqësi – Prizreni dhe Prishtina. Unë pata fatin të filloja punën time të parë me USAID-in në mjedise pune shumë të ndryshme etnike dhe kështu vazhdoi të ishte edhe në angazhimet e mia të fundit me sektorin e shoqërisë civile,” shpjegon Andric Rakic.

“Pra, të gjitha miqësitë e mia me njerëz me prejardhje të ndryshme etnike ishin fillimisht marrëdhënie pune që u forcuan. Megjithatë, unë jam e vequar, shumica e njerëzve nga komuniteti im punojnë në institucionet serbe në Kosovë dhe kanë mundësi të rralla për të bashkëvepruar me anëtarë jashtë komunitetit të tyre etnik.”

“Dhe sa i përket marrëdhënieve të mia të punës, ato zakonisht kthehen në miqësi për shkak të interesit të ndërsjellë për zhvillimet politike dhe kuriozitetit të fortë të përbashkët për perspektivën e tjetrit. Nëse një person është intelektualisht i drejtë dhe i hapur për të dëgjuar pozicione të ndryshme për çështje të ndjeshme pa u ofenduar, bisedat mund të bëhen mjaft interesante, plot introspeksion personal dhe vetë-realizime të rëndësishme.”

Për Milicën, fakti që shumica e serbëve të Kosovës jetojnë ose në veri të vendit ose në enklava në jug të lumit Ibër – enklava që janë me shumicë serbe dhe nuk kanë pothuajse asnjë shqiptar, dhe e kundërta vlen për vendet e tjera në Kosovë ku jetojnë shqiptarë dhe rrallë ka serb.

“Ndarja është pengesa kryesore për martesat e përziera. Pavarësisht mantrës popullore Kosova nuk është më një shoqëri multietnike, në fakt multietniciteti i Kosovës është seriozisht i rrezikuar. Në Kosovë ekzistojnë vetëm dy zona urbane vërtet multietnike – Prizreni dhe Mitrovica e Veriut, pjesa tjetër janë zona rurale. Dhe zonat urbane janë vendi ku jetojnë pjesët më liberale të shoqërive, ku kulturat bashkëjetojnë dhe ku krijohen lidhje të kohezionit social.”

“Kjo po ndodh në një nivel shumë të ulët në zonat urbane të Kosovës. Dikur jetonin 30 mijë serbë në Prishtinë, dikur jetonin 12 mijë serbë në Gjakovë e kështu me radhë në të gjitha zonat kryesore urbane, tani nuk ka dhe gjasat e kontakteve ndëretnike dhe me të gjitha lidhjet shoqërore – miqësi, martesa, etj. po aq është ulur”, thotë Andric Rakiq.

Ajo i sheh miqësitë dhe marrëdhëniet me grupet e tjera etnike si një mundësi për debate dhe diskutime interesante, si dhe për të mësuar më shumë për të tjerët – dhe për veten gjithashtu – në proces.

“Nëse i quani ata miq, kjo do të thotë se kemi arritur në pikën që mund të jemi plotësisht të hapur për çdo mendim që mund të kemi. Në fakt, çështjet e ndjeshme janë tema ime e preferuar për t’u hapur me miq nga komunitete të ndryshme, sepse ato lejojnë një nivel introspeksioni dhe madje edhe pyetje terapeutike të vetes, të cilin rrallë mund ta arrini me dikë që ndan plotësisht këndvështrimin tuaj, pavarësisht sa kritik dhe objektiv mund të jetë ai”, përfundon ajo.

Iliri, i cili ka jetuar në Beograd pjesën më të madhe të jetës së tij, por mban lidhje me miqtë dhe familjen në Kosovë, thotë se pavarësisht vështirësive me të cilat u përball, ai mbështet fuqimisht njerëzit që shpërfillin prejardhjen e dikujt kur hyjnë në marrëdhënie apo edhe martesë.

“Nëse do të martohem, nuk mund ta imagjinoj se përkatësia etnike do të luante ndonjë rol në vendosjen ndaj kujt apo me kë do të martohem. Ndonjëherë mendoj se si babai im dhe nëna ime morën një vendim vërtet të guximshëm, dhe ishte një vendim i marrë nga dashuria, dhe unë erdha në këtë botë si rezultat dhe dëshmi fizike e asaj dashurie. Do të ndihesha sikur do të tradhtoja veten dhe ata nëse do ta lija ndonjëherë që të ndërhynte në rrugën time.”

Anđelija Arsić, Blerona Zariqi dhe Vesa Avdiu

Fotot nga: Darko Perendić

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM