Në Kuvendin e Kosovës sot pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe me mbështetje të deputetëve opozitar është formuar Komisioni hetimor për krizën energjetike.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në postimin e tij në Facebook ka thënë se sot në Kuvendin e Kosovës ka triumfuar demokracia, u ruajt kushtetutshmëria dhe e drejta themelore e opozitës për hetim parlamentar e mbikqyrje të punës së Qeverisë dhe se do të zbardhim secilin fakt, do t’i japim përgjigje secilës pyetje dhe do të kërkojmë sqarim për secilin vendim që Qeveria ka marrë muajt e fundit në menaxhimin e krizës energjetike në vend.
Sot, në Kuvendin e Kosovës triumfoi demokracia! U ruajt kushtetutshmëria dhe e drejta themelore e opozitës për hetim parlamentar e mbikqyrje të punës së Qeverisë.
Përmes themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, të nisur nga Partia Demokratike e Kosovës e me mbështetje të deputetëve opozitarë, do të zbardhim secilin fakt, do t’i japim përgjigje secilës pyetje dhe do të kërkojmë sqarim për secilin vendim që Qeveria ka marrë muajt e fundit në menaxhimin e krizës energjetike në vend.
Mbi të gjitha, qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë se pse Qeveria i detyroi të paguajnë 100 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike në emër të importit, kur Kosova prodhoi mjaftueshëm energji.
Po ashtu, do të mësojmë se ku shkuan dhe si u shpenzuan mbi 100 milionë euro të cilat u ndanë për të subvencionuar energjinë.
Qytetarët kanë kërkuar llogaridhënie dhe transparencë, ne do të sigurohemi që ata t’i kenë të dyja.






