Build Skills with our trainings

Sign up now!

Krasniqi: Epokë e re me përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50 në të gjitha nivelet e vendimmarrjes

Sht 24, 2022

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ka zyrtarizuar sot vizionin dhe vendimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha nivelet e organizimit dhe vendimmarrjes.

Në shpalosjen e vizionit i cili do të përfaqësojë PDK-në në rrugëtimin përpara, Kryetari Krasniqi ka thënë se 50 % me 50 % është formula, misioni dhe qëllimi i PDK-së për të cilin nuk do të ndalen asnjëherë.

“Rrugëtimi jonë si PDK, nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë. 50 % me 50 % është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka bërë të ditur se qysh në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së, ai do t’i propozoj ndryshimet statutare që do ta mundësojnë zbatimin e këtij vizioni në praktikë.

Mes tjerash, ai ka konfirmuar se do ta bëjnë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit, të kenë ndarje të barabartë të pozitave udhëheqëse, 50/50, duke përfshirë pozitat e Kryetarëve, Nënkryetarëve dhe Sekretarëve.

“Në zgjedhje lokale, aty ku kandidati për Kryetare ose Kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër. Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30 %, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar. Qeveria e udhëhequr nga PDK, në të ardhmen, do ta reflektojë barazinë e plotë gjinore. Kjo do të bëhet normë edhe për qeveritë lokale, ku tashmë kemi dhënë dëshmi e shembuj në disa komuna”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari Krasniqi është zotuar se PDK do të arrijë përfaqësimin e barabartë gjinor, 50 % me 50 % deri në vitin 2025, por që nuk do të presin deri atëherë për të realizuar këtë objektiv.

“Nuk do të presim 3 vjet për ta realizuar këtë objektiv fisnik atëherë përnjëherë, por do të fillojmë që tani, me hapa që e ngrisin jo vetëm përqindjen e përfaqësimit si numër, por edhe cilësinë dhe meritokracinë. E përsëris, PDK duhet të jetë shtëpi e hapur për të gjitha gratë dhe vajzat që e duan një Kosovë më të mirë për vete, për familjet e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Në fund, lideri i PDK-së ka thënë se është tejkaluar koha kur partia është dashur që ta ketë një organizatë të ndarë të grave, për t’ju qasur votueseve gra. Sipas tij, sot, Gruaja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbetet në lëvozhgën e saj e segreguar, por duhet të zgjerohet organizimi i saj, potenciali i saj dhe rëndësia e saj, për t’u bërë jo vetëm pjesë e pandashme organike e partisë, por për të krijuar sinergjinë e nevojshme për përfaqësimin meritor dhe të barabartë të grave në udhëheqje dhe vendimmarrje.

“Ky nuk është vetëm vullneti im. Para së gjithash, është vullneti i grave brenda PDK-së. Është momenti për ta bërë kapërcimin që kërkohet tash e sa kohë. Dhe neve na takon që ta bëjmë të parët, për ta dhënë shembullin tonë të brendshëm nesër edhe në qeverisje, edhe në shoqëri”, ka thënë Krasniqi.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK ka ditur gjithmonë të ketë guxim për vendime të mëdha, siç është ky i sotmi sot.

“PDK ka pasur dhe ka guxim. PDK ka pasur dhe ka guxim të ndërtoj historinë dhe të projektoj të ardhmen. Në PDK nuk ekziston një tavolinë për burra dhe një tavolinë për gra. Dhe, ne, vetëm bashkë, në një tavolinë, mund të maërrim vendime të drejta të cilat do ta çojnë Kosovën në shekullin e ri”, ka thënë nënkryetarja Vlora Çitaku.

Drejtoresha e NDI, Nancy Soderberg, ka përshëndetur vizionin e ri të PDK-së, duke thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme barazia gjinore në vendimmarrje. Ajo ka thënë se me këtë vendim, PDK po vë një stanard të ri për të gjithë Kosovën.

“Kosova ka pasur mangësi në përfshirjen e grave në qeverisje. Thënë thjeshtë, suksesi i demokracisë së Kosovës varet nga pjesëmarrja e grave. Prandaj kjo konventë ka shumë rëndësi. Përfshirja e grave në politikë, për të bërë të dëgjohet i secilit qytetar, është shumë me rëndësi. Gratë dhe burrat duhet të bëjnë më shumë për të fuqizuar gruan. Nuk duhet të jetë 30 për qind, as 40 për qind, por 50 me 50 për qind. Prandaj, edhe motoja juaj, “Bashkë! 50 me 50” është kaq e rëndësishme sepse po vëni një standard të ri për të gjithë në Kosovë”, ka thënë Soderberg.

PDK, paraprakisht ka nisur zbatimin e këtij vizioni. Në zgjedhjet lokale, PDK kishte numrin më të madh të kandidateve për kryetare të komunave, të bartëseve të listave dhe të kandidateve për asambletë komunale, duke qenë të parët në përfaqësim gjinor.  Pas zgjedhjeve, me insistimin e Kryetarit Krasniqi, PDK kanë gjetur hapësirë edhe më të madhe.

Nga 9 kuvende komunale që drejton PDK, 5 nga to drejtohen nga gratë. PDK ka emëruar dy nënkryetare në dy komuna të mëdha, përfshirë kryeqytetin, për herë të parë.  PDK është partia me më së shumti asambliste dhe me më së shumti drejtoresha departamentesh nëpër komunat e Kosovës. PDK ka 77 asambliste nga gjithsej 206 sa ka PDK-ja dhe 35 drejtoresha nga 99 drejtori sa drejtojnë, thuhet në komunikatën për media PDK-së.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM