Në kuadër të fushatës: ”Çdo plumb e ka një shënjestër Festo me zemër, jo me armë”, Ministria e Punëve të Brendshme, mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe në bashkëpunim me komunën e Hanit të Elezit, u mbajt takimi me qytetarët të fshatit Gorancë, në shkollën Fillore “Veli Ballazhi”, për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve të kësaj pjesë që jetojnë në kufi me Republikën e Maqedonisë së Veriut, sa i përket përdorimit të armëve.
Në këtë aktivitet morën pjesë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe kryesuesi i Komisionit për Armët e Vogla dhe të Lehta(AVL), Blerim Gashani, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi dhe Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Niels Knudsen.
Me këtë rast, Koordinatori Kombëtar për AVL-të, njëherit zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, theksoi trafikimi dhe zotërimi i paligjshëm i armëve, krimet me armë edhe pse paraqiten në rënie çdo vit, ende shfaqen si kërcënim për jetën njerëzore dhe rendin e sigurinë publike në Kosovë.
Gashani vuri në dukje se, edhe qëllimi i këtij aktiviteti në fshatin Gorancë të Hanit të Elezit, fshat në Kufi me Maqedoninë e Veriut, është bërë me qëllim që të njoftohen banorët e këtyre zonave se ndërveprimi dhe bashkëpunimi mes grupeve kriminale me ato terroriste, nuk njeh kufij ndarës, prandaj edhe qasja e kësaj fushate dhe projektit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të jetë qasje ndërinstitucionale dhe ndërkufitare.
Ai tha se Policia e Republikës së Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1,500 armë ilegale të llojeve të ndryshme, ndërsa institucionet e Republikës së Kosovës janë duke u angazhuar në baza ditore që shtetin tonë ta bëjmë një vend me një mjedis të sigurt dhe me kapacitete të qëndrueshme, për të parandaluar, identifikuar, kontrolluar dhe dënuar keqpërdorimin, trafikimin dhe zotërimin e paligjshëm të armëve të zjarrit.
Në fund zëvendësministri Gashani në mesazhin për banorët e saj zone, theksoi se në festat dhe gëzimet tona, armët nuk kanë vend.
“Besoni se përdorimi i armëve nëpër ahengjet tonat familjare nuk është kurrfarë tregimi apo ekspozimi i forcës që dikush mund të besojë se po e shfaqë, apo që tenton që ta bind të tjerët duke shtënë me amë, por është një lloj primitivizmi, sepse nga një gëzim në familjet tona mund të shndërrohet në tragjedi, sepse dihet shumë mirë se çdo plumb i shkrehur lartë, pothuajse me të njëjtën shpejtësi bie poshtë”, theksoi zëvendësministri Gashani.
Ndërsa Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, theksi se si kryetar i komunës me kënaqësi i është bashkëngjitur fushatës që është duke e zhvilluar MPB dhe se komuna e Hanit të Elezit, do të jetë pjesë aktive e fushatës për të njoftuar qytetarët për rreziqet që vijën nga armët e zjarrit.
Ndërsa zëvendës-përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, z. Niels Knudsen, theksoi çdo ditë rikujtojmë se armët, krimi dhe dhuna përbëjnë kërcënim edhe në shoqëritë më paqësore. Keqpërdorimi i armëve të zjarrit dhe trafikimi i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta, si dhe i municionit, mbeten një faktor përcaktues në cenimin e paqes dhe sigurisë dhe rëndojnë thellësisht jetën e njerëzve, si dhe nxisin drejtpërdrejt incidentet e dhunës në familje ku gratë janë më së shpeshti. viktima.
“Në Kosovë, UNDP-ja ka qenë aktive në Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta (SALË) që nga viti 2008 përmes projekteve të ndryshme. Për ne, është nder që jemi partneri juaj për gati 15 vjet, duke punuar së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe akterët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit në nivel lokal dhe qendror – në ndërtimin dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për popullin e Kosovës”, theksoi Knudsen.
Fushata “Çdo plumb e ka një shënjestër-festo me zemër jo me armë”, ka filluar me 6 nëntor me një manifestim hapës që është mbajtur njëkohësisht në Prishtinë dhe Shkup. Aktivitete të tilla si ky sot njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe në Maqedoninë e Veriut në zona afër brezit kufitar, thuhet në komunikatën për media e MPB-së.