Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kryeministri Kurti: Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës mbi baza gjinore

Nën 29, 2022

Në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapje të tryezës së organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Nismat dhe ndryshimet ligjore nga Qeveria, në adresimin e dhunës në baza gjinore, dhe trajtimin e këtyre rasteve nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, u diskutuan me policë, mbrojtës të viktimave, përfaqësues të strehimoreve dhe qendrave për punë sociale.
Qeveria jonë, ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në dritë të luftimit të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, duke kuptuar pasojat fatkeqe të këtyre dukurive në shoqërinë tonë, tha Kryeministri Kurti.
Kemi krijuar mekanizma që ndjekin krimin dhe llogarisim në sistemin gjyqësor të pavarur e efikas që të bëjë detyrën e tij. Përmes aktivizmit shoqëror ne e kemi obligim të parandalojmë dhunën në familje dhe dhunën me baza gjinore’, u shpreh kryeministri Kurti, derisa e bëri të qartë se si shtet, përmes prokurorisë efikase e gjyqësorit të urtë e të palëkundur në vendimmarrje, duhet të dërgojmë mesazhin që dhuna persekutohet, gjykohet e dënohet në mënyrën më të fuqishme.
Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës mbi baza gjinore, atë të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave si një nga 5 objektivat strategjike, ndër të cilat është edhe harmonizimi i legjislacionit vendor me Konventën e Stambollit, theksoi Kryeministri.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri kërkoi që si shoqëri, si institucione, si qytetarë nuk duhet të lejojmë as edhe një viktimë më shumë në betejën tonë kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. ‘’As edhe një më shumë’’, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë organizim të rëndësishëm, në kuadër të fushatës globale kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Këtë vit, për herë të parë, institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Drejtësisë, po organizojnë “16 ditët e aktivizmit”.
Të nderuar pjesëmarrës,
Qeveria jonë ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në dritë të luftimit të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, duke kuptuar pasojat fatkeqe të këtyre dukurive në shoqërinë tonë. Pra viktimë janë viktimat, viktimë është e gjithë shoqëria jonë që i ka viktimat.
Pikërisht në ditën e hapjes së fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore”, një grua, një mësimdhënëse, u vra barbarisht nga bashkëshorti i saj brenda mureve të shtëpisë, në vendin ku ajo do duhej të ndjehej e sigurt, të mos kishte frikë nga asgjë.
Nuk mund të lejojmë që dhuna e këtillë, brenda familjes, të përsëritet. Kemi krijuar mekanizma që ndjekin krimin dhe llogarisim në sistemin gjyqësor të pavarur e efikas që të bëjë detyrën e tij.
Përmes aktivizmit shoqëror ne e kemi obligim të parandalojmë dhunën në familje dhe dhunën me baza gjinore.
Por, si shtet, përmes prokurorisë efikase e gjyqësorit të urtë e të palëkundur në vendimmarrje, duhet të dërgojmë mesazhin që dhuna persekutohet, gjykohet e dënohet në mënyrën më të fuqishme.
Në këtë rast më duhet ta adresoj edhe mungesën e paarsyetuar të gjyqtarëve e prokurorëve sot, të cilët luajnë rol kyç në luftimin e dhunës.
Në mëngjes kam takuar raportuesin special të Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, reparacioneve dhe garancisë së mos përseritjes, z.Fabian Salvioli.Prej atij takimit, unë erdha këtu drejt në Pejë sot.
Diskutimi ynë mbi aspektet e drejtësisë tranzicionale dhe progresit që Republika e Kosovës shënon duke u bërë edhe shembull për adresimin e nevojave përmes qasjes që ka në qendër viktimën, prekën edhe rëndësinë e punës së Prokurorisë Speciale në ndjekjen e krimeve të luftës. Njoftimi i z. Salvioli për mua në takim, se te prokuroria për ndjekjen e krimeve të luftës nuk ka hasur mirëkuptimin që ta takojnë, pra kanë refuzuar ta takojnë, për shkaqe të panjohura siç tha ai, nuk i bën nder as prokurorëve aty, e as sistemit gjyqësor në tërësi, e për më tepër as përpjekjeve që bëhen në emër të shtetit të Kosovës.
Nuk ka gjë që mund të arsyetojë mos veprimin kur vjen puna deri te organet e sistemit të drejtësisë, që paguhen për këtë punë. Interesi shtetëror dhe përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk duhet minuar nga vetë institucionet shtetërore.
Në përpjekjet tona për të avancuar vendin tonë, ne jemi një. Pakënaqësitë eventuale të brendshme nuk duhet të jenë pasqyra jonë në botë. Këtë besoj e kuptojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Kosovës. Mu për këtë, veprimet e tilla, apo thënë më mirë mosveprimet e tilla, duhet të jenë shkak për të rivlerësuar qasjen, që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial kanë vendosur të mbajnë në raport me Qeverinë dhe kjo Qeveri jo veç se qeverisë mirë, por edhe sipas World Justice Project,  një organizatë prestigjioze ndërkombëtare, është viti i dytë që dalim të parët në Ballkanin Perëndimor, sa i përket sundimit të ligjit dhe jemi të dytët në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit.
Janë tetë karakteristika, një pas një, në bazë të të cilave vlerësohet një shtet sa i përket sundimit të ligjit dhe nga 14 shtetet e Evropës Lindore, që nuk është në Bashkimin Evropian, vetëm Gjeorgjia është para neve. Prej 14 shteteve, ne jemi të dytët. Prej 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, ne jemi të parët, e në krejt botën, jemi të dytët për përmirësimin nga viti në vit dhe jemi të parët në Ballkanin Perëndimor për herë të dytë sivjet.
Ta zëmë, nga tetë karakteristika sa i përket sundimit të ligjit, vetëm në njërën prej tyre, fqinji ynë verior është para neve. Në shtatë të tjerat Kosova është para Serbisë pra jo vetëm në këtë rast, pra jo vetëm që jemi vend më demokratik por njëkohësisht edhe me sundim të ligjit, të shtetit të së drejtës ne jemi përpara të tjerëve. Prandaj kjo nuk duhet të dëmtohet, përkundrazi duhet të motivohet e të avancohet.
Të nderuar të pranishëm,
Gratë dhe vajzat janë shpesh të ekspozuara ndaj dhunës, përfshirë dhunës në familje, ngacmimit seksual, dhunimit, martesës së detyruar, andaj edhe në luftimin e parandalimin e këtyre dukurive nevojitet ndërhyrja e koordinuar institucionale. Bashkëpunimi në temat e rëndësisë së këtillë është esencial, prandaj dua të ftoj të gjitha institucionet përgjegjëse për parandalimin dhe dënimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave që të jenë pjesë e iniciativave të Ministrisë së Drejtësisë për bashkërendim në drejtim të hartimit të politikave adekuate kundër dhunës.
Qeveria ka prioritizuar luftën kundër dhunës mbi baza gjinore, atë të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave si një nga 5 objektivat strategjike, ndër të cilat është edhe harmonizimi i legjislacionit vendor me Konventën e Stambollit.
Këtu, përveç Qeverisë dhe Ministrive përkatëse, rol të rëndësishëm ka Policia e Kosovës, e cila në të shumtën e rasteve është kontakti i parë për viktimën; viktimës numri i parë i telefonit që i shkon ndërmend ta thërras është ai i Policisë, prandaj edhe ky kontakti i parë është tejet i rëndësishëm që të jetë jo vetëm i qasshëm e cilësor por në të njëjtën kohë edhe efikas për atë çka pason në vijim.
Inspektorati i Policisë, ka  rol special në ndihmën ndaj viktimave të dhunës; pastaj e kemi Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila takohet me viktimat menjëherë pas reagimit të policisë ndaj një rasti të lajmëruar të dhunës; Prokurori i Shtetit, gjykatat, komunat dhe drejtoratet për shëndetësi dhe mirëqenie sociale si bartëse të pushtetit lokal të cilat janë të mandatuara që të bëjnë menaxhimin e shërbimeve sociale në komunë; qendrat për punë sociale, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, zyrat regjionale të Avokatit të Popullit,  por edhe autoritetet e tjera respektive, të cilat i shërbejnë këtij qëllimi është e domosdoshme që të jetë secila në nivel të detyrës dhe që të gjitha të jenë të koordinuara me njëra tjetrën.
Siç kam thënë edhe në fillim, mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore janë themeluar dhe po funksionojnë. Atë që e  kemi për obligim profesional dhe moral, është që të bëjmë përpjekje maksimale në kuadër të institucioneve tona që të adresojmë problemin, por edhe të qëndrojmë gjithmonë në kontakt me institucionet relevante që të koordinojmë përpjekjet e veprimet tona në luftë kundër dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore.
Nuk mund të lejojmë që të përsëriten rastet e dhunës që na tronditin të gjithëve si shoqëri dhe kanë pasoja prej fëmijëve deri te pleqtë.
Në qoftë se nuk e kuptojmë seriozisht obligimin tonë dhe i qasemi në mënyrë të strukturuar rrezikojmë të ballafaqohemi me lajme të këtilla dhe mandej vazhdimisht bëjmë pyetjen e njëjtë e të vjetër a thua se çka na ndodhi?
Nuk kemi nevojë për raste të tjera për të kuptuar që këtë dukuri duhet të luftohet në mënyrë efikase tërë kohën, nga të gjithë, kudo.
Të gjithë kemi përgjegjësi pa marrë parasysh pozitën, pa marrë parasysh sa e duam punën që kemi apo me çfarë probleme ballafaqohemi. Ndonjë zyrtar mund të mos e ketë ndonjë ditë të mirë të punës por ne duhet t’ju shërbejmë qytetarëve, ajo nuk duhet të reflektohet në punën që bëjmë e në shërbimin që japim.
Ne e dimë që në jetën tonë të përditshme është vështirë me i gjet dy ditë identike. Disa ditë njeriu është më i zellshëm se sa në disa ditë të tjera, mirëpo pavarësisht prej gjendjes shpirtërore, emocionale, mendore që do ta ketë secili zyrtar në secilën ditë të javës e javë të muajit, e muaj të vitit, kurrqysh kjo nuk bën të reflektohet në punën që e bëjmë për shtetin dhe në shërbimin të cilin po i japim qytetarit.
Për funksionet dhe detyrat të cilat i kemi pranuar tani duhet të dëshmojmë me përgjegjësi të plotë profesionale. Si shoqëri, si institucione, si qytetarë nuk duhet të lejojmë as edhe një viktimë më shumë në betejën tonë kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. As edhe një më shumë.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM