Ministria e Mbrojtjes së Kosovës njofton se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, ministri Armend Mehaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë, Tunç Angili.
Në këtë takim fillimisht u trajtuan çështje me rëndësi dypalëshe dhe ato ndërkombëtare si dhe u bisedua për marrëdhëniet shumë të mira në mes të të dy vendeve. Me këtë rast, Mehaj shprehu mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhënë Kosovës nga populli dhe shteti turk.
Gjithashtu, ministri Mehaj i shprehu ngushëllime ambasadorit turk për të gjitha viktimat nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë, me ç’rast ambasadori Angili falënderoi ministrin Mehaj për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga ana e FSK-së në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga ky tërmet.
Në këtë takim u bisedua për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku u theksua mundësia e shtimit të mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e arsimimit dhe trajnimeve ushtarake, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.