MBPZHR edhe këtë vit kalendarik ka planifikuar t’i përkrah me subvencione fermerët prodhues të misrit. Jemi në periudhën e mbjelljeve pranverore për kultura te ndryshme bujqësore, një ndër këto kultura është Misri.
Departamenti i Shërbimeve Këshilluese dhe Teknike ju sugjeron t’u përmbaheni këshillave profesionale dhe të kontaktoni me Qendrat Informative Këshilluese Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, për të marrë edhe informata shtesë për zgjedhjen e hibrideve, si dhe imputeve tjera të nevojshme për mbjelljen dhe kultivimin e misrit.
Misri është ndër kulturat lavërtare më të rëndësishme ekonomike dhe strategjike për vendin, andaj edhe kultivimit të kësaj kulture duhet kushtuar rëndësi e veçantë.
Qëllimi kryesor në prodhimtarinë intensive është rritja e rendimentit për njësi të sipërfaqes, duke ruajtur cilësinë e prodhimit. Duke marr parasysh rëndësinë e kësaj kulture.
Kultura e misrit me vlerat e larta ushqyese të saj, ka ndikim direkt në zhvillimin e blegtorisë, dhe industrisë ushqimore.
Masat agroteknike për mbjellje.
Përgatitja e mirë e tokës, lëvrimi i thellë, plehërimi, cilësia e farës dhe mbjellja në afatin optimal, kanë rëndësi të shumëfishtë në arritjen e rendimenteve të larta.
Misri ka kërkesa të mëdha për materie ushqyese. Një mënyrë ideale do ishte përdorimi i plehut organik i cili do të shpërndahej në vjeshtë para lëvrimit thellë jo me pak se 30 t/ha, ku do të futej në tokë dhe do t’i rriste vlerat ushqyese të tokës.
Në pranverë qiten rreth 2/3 pleh themelor NPK, para lëvrimit të cekët dhe 1/3 e plehut gjatë mbjelljes. Sasitë orientuese të plehut NPK janë rreth 500 kg/ha, kurse një sasi e azotit jepet gjatë vegjetacionit përmes riplehërimit, në fazën 5-6 gjethe rekomandohet sasi orientuese 200 kg/ha NAG- 27%, sipas nevojës mund të aplikohet edhe riplehërimi i dytë me 150 kg/ha.
Kushtet agroekologjike në Kosovë e lejojnë kultivimin e llojeve të ndryshme të varieteteve dhe hibrideve të misrit me gjatësi të ndryshme të vegjetacionit;
Në Rrafshin e Kosovës përdorni hibridet e hershme dhe të mesme 85-105 ditë dhe 106-120 ditë.
Në Rrafshin e Dukagjinit përdorni hibride të vonshme prej 121-140 ditë.
Zgjedhja e farës së misrit për mbjellje është element i rëndësishëm në prodhimtarinë e misrit e cila duhet t’i përshtatet kushteve klimatike tokësore dhe pjekjes së kokrrës me kohë. Veç këtyre kushteve për prodhimtari intensive që arsyeton investimin, toka duhet të jetë nën ujitje.
Afati optimal për mbjelljen e misrit është prej 15-25 prill atëherë kur temperatura në tokë arrin 10-12 gradë celsius. Megjithatë, edhe afati varet nga kushtet atmosferike që mbizotërojnë në këtë periudhë kohore.
Pasi që jemi në periudhën optimale, shfrytëzojeni kushtet klimatike për mbjellje cilësore të kulturës së misrit. Mbjella me kohë mundëson sigurimin e mbirjeve optimale që ka ndikim në shëndetin e bimës dhe në rendimetin final, thuhet në postimin në Facebook të MBPZhR-së.
Për informata shtesë mund të drejtoheni edhe në:
Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, MBPZHR
Rr. “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish – Ramiz Sadikut, Nr. 120 Kati III, Prishtinë – Kosovë
Tel. 383- (0)3820038426