Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë –KOMF në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, mbajti tryezën me temën “Projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, domosdoshmëri për reformën”. Ministria e Drejtësisë ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Ligjit të Ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, të cilët ishin prezent në tryezë për të diskutuar për reformën e shërbimeve sociale përmes këtij ligji.
Në panelin e diskutimit morën pjesë Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, Donjeta Kelmendi, Drejtor Ekzekutiv – KOMF, Johannes Stenbaek Madsen, Shef i Seksionit për Bashkëpunim – Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Taulant Hoxha, Drejtor Ekzekutiv – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF dhe Adile Shaqiri nga Ministria e Drejtësisë e cila edhe e udhëhoqi diskutimin.
Gjatë konferencës, eksperti ligjor i angazhuar për hartimin e Ligjit të Ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, prezantoj orientimet e ardhshme për zhvillimin e reformës së shërbimeve sociale përmes këtij ligji. Ky Ligj pritet të rregullojë zbrazëtitë juridike dhe kontradiktat që ekzistojnë në legjislacionin e fushës së shërbimeve sociale dhe familjare, si dhe të qartësojë kompetencat dhe përgjegjësitë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal. Ai po ashtu pritet të zgjerojë gamën e shërbimeve sociale dhe familjare, me theks të veçantë atyre të parandalimit dhe reintegrimit, si dhe të fuqizojë llogaridhënien institucionale.
Ligji i Ri për Shërbime Sociale dhe Familjare pritet të procedohet për miratim në Qeveri, në fund të muajit Qershor 2023.
Kjo ngjarje u mundësua përmes projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga KOMF, në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, si dhe programit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut, thuhet në komunikatën për media e KOMF-it.