Build Skills with our trainings

Sign up now!

Nurboja: Po vazhdon të rritet numri i bizneseve me pronare gra

Pri 26, 2023

Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bashkim Nurboja, ka thënë se kreditimi bankar vazhdon të jetë një burim shumë i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit të sektorit privat në Kosovë, përfshirë edhe ato që udhëhiqen nga gratë.

Me rastin e ceremonisë së lancimit të dy dritareve të reja garantuese për “gratë në biznes” dhe “start up”, nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, Guvernatori Nurboja theksoi se këto dritare janë një mundësi e mirë për promovimin e barazisë gjinore, pasi barazia e mundësive ekonomike për gratë dhe burrat është një element kyç i një ekonomie tregu moderne, mirëfunksionale dhe është thelbësore për rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

U.D i Guvernatorit të BQK-së, Nurboja, ka thënë se në Kosovë deri në vitin 2016, përkundër kontributit të sektorit bankar dhe institucioneve tjera kredidhënëse në zhvillimin ekonomik dhe financimin e ekonomisë, qasja në financa ishte ende e ulët. Një pjesë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, posaçërisht në sektorin e bujqësisë, ndërmarrjet e reja dhe ato me pronare gra kishin vështirësi në financimin e aktiviteteve të tyre. Ky kufizim zakonisht ishte rezultat i kostos së lartë të interesit dhe kostove administrative që lidhen më kredidhënien në shuma të ulëta, rrezikun e lartë të perceptuar kreditor, si dhe mungesën e kolateralit që këto ndërmarrje posedojnë.

Tutje para të pranishmëve, U.D i Guvernatorit, Nurboja, ka deklaruar se kreditimi bankar vazhdon të jetë një burim shumë i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit të sektorit privat në Kosovë. Vlera e kredive të sektorit bankar deri në muajin shkurt 2023 ka arritur në 4.38 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.1%.

“Numri i llogarive të bizneseve me pronare gra në sektorin bankar është 21,247 krahasuar me 104,461 me pronarë burra, apo 17 përqind të gjithsej llogarive, vlera e depozitave të bizneseve me pronare gra është 112 milionë euro apo 7 përqind e gjithsej depozitave të bizneseve nga 1.7 miliardë euro. Numri i kredive të bizneseve me pronare gra është 8,185 apo 25 përqind e numrit të kredive të bizneseve, krahasuar me numrin e kredive prej 24,546 apo 74 përqind të bizneseve me pronarë burra. Ndërkohë që vlera e kredive të bizneseve me pronare gra është 643 milionë euro apo 29 përqind të totalit të kredive të bizneseve prej 2,2 miliardë euro. Sa i përket përfaqësimit të gjinisë në sektorin bankar, përfshirë edhe BQK-në, mesatarja e pjesëmarrjes së të punësuarave gra në raport me burrat është 56-44 përqind në favor të grave”, ka thënë Nurboja.

Megjithëse ekziston një trend i kënaqshëm i rritjes së kreditimit në vend, ai ka deklaruar se shkalla e ndërmjetësimit financiar në Kosovë duhet të rritet edhe më tej, dhe se në raport me madhësinë e ekonomisë, ekziston hapësirë e mëtejmë për zgjerim të aktivitetit të kredidhënies.

“Dritarja e re garantuese për gratë në biznes përveç se është lajm i mirë për bizneset e reja dhe ekonominë e vendit në përgjithësi, është e një rëndësie të veçantë që përveç fuqizimit ekonomik të grave, do të ndikoj edhe në përfshirjen e tyre në ekonominë e vendit dhe në fusha tjera të jetës. BQK-ja e sheh dritaren e re garantuese për gratë në biznes si një mundësi të mirë për promovimin e barazisë gjinore dhe beson se barazia e mundësive ekonomike për gratë dhe burrat është një element kyç i një ekonomie tregu moderne, mirë funksionale dhe është thelbësore për rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Andaj, këto dy dritare garantuese për gratë në biznes dhe start up do të ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin e bizneseve, duke kontribuar në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit”.

U.D i Guvernatorit, Bashkim Nurboja, ka deklaruar se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdon të mbështesë dhe të shtyjë sektorin financiar në rritjen e mbështetjes ndaj ekonomisë së vendit, thuhet në komunikatën për media e BQK-së.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM