Në Ditën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bën nderim te Memoriali për të zhdukurit.
27 Prilli është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës, por gjithashtu është Dita e të Zhdukurve me dhunë në Kosovë, pra Dita e të Pagjeturve, të atyre, të cilët u rrëmbyen me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, i cili përveç se i rrëmbeu më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë, gjithashtu edhe shumë prej tyre ua rrëmbeu edhe kufomat më pas në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës, tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi se në pesë varreza masive në Serbi janë eksumuar deri më tani rreth 950 kufoma, ndërsa ende janë mbi 1600, të cilët ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit.
Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare, por edhe mobilizimi kombëtar, tha kryeministri Kurti.
Pranë memorialit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës bën homazhe edhe ministrat Albulena Haxhiu, Rozeta Hajdari, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci, ambasadorë të akredituar në Kosovë, drejtuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të të zhdukurve.
Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës së personave e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën “27 Prilli 1999 Mejë”, shoqatat familjare dhe organizatat vendore e ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur, organizojnë homazhe në Prishtinë dhe Mejë ( Komuna e Gjakovës), thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
27 Prilli është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës, por gjithashtu është Dita e të Zhdukurve me dhunë në Kosovë, pra Dita e të Pagjeturve, të atyre, të cilët u rrëmbyen me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, i cili përveç se i rrëmbeu më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë, gjithashtu edhe shumë prej tyre ua rrëmbeu edhe kufomat më pas në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës.
Në pesë varreza masive në Serbi janë eksumuar deri më tani rreth 950 kufoma dhe siç e tha edhe kryetari i Kuvendit janë mbi 1600 të cilët ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit. Kemi nevojë për drejtësi, kemi nevojë për përgjegjësi, kemi nevojë që kriminelët, fajtorët, ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja ndërkombëtare por edhe mobilizimi kombëtar.
Muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se Kuvendi i Republikës ka mundësuar përndjekjen, akuzën, gjykimin dhe dënimin në mungesë dhe nuk ka ditë më të duhur se sa 27 Prilli për t’i bërë thirrje edhe njëherë Prokurorisë Speciale që ato mijëra dëshmi, të cilat i kemi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës të shndërrohen në aktakuza për ata përgjegjës, të cilët po e ritheksoj sikurse në Kroaci edhe në Kosovë do të mund të gjykohen e të dënohen në mungesë. Nuk bëhet fjalë thjesht për historinë e popullit tonë, bëhet fjalë për jetën tonë, e cila është këputur përgjysmë meqenëse këto krimet e kryera kanë ndodhur përbrenda kohës së jetës sonë.
As nuk duhet t’i lexojmë librat e historisë dhe as t’i pyesim gjyshet e gjyshërit tanë e prindërit tanë për këto krime sepse këto krime i kemi përjetuar vetë ne. Andaj, është e paarsyeshme çfarëdo vonese në kohën kur koha nuk punon për neve sa i përket dëshmitarëve të cilët po plaken edhe po vdesin edhe sa i përket dëshmive materiale, që me shumë mund familjet por edhe institucionet vazhdojnë t’i ruajnë 24 vjet pas këtyre krimeve makabre.