Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se miratimi i Raportit i Parlamentit Evropian për Kosovën, ka evidentuar suksese dhe mesazhe pozitive për Kosovën, përfshirë edhe në fushën e arsimit.
Raporti përshëndet lansimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026, e cila për herë të parë përfshin përdorimin e teknologjisë dixhitale për përmirësimin e shërbimeve dhe cilësisë në arsim si një nga pesë objektivat e saj strategjike dhe bën thirrje për zbatimin efektiv të saj.
Gjithashtu, ky raport mirëpret faktin që MASHTI tash e dy vite me radhë ka ndarë bursa për studentët e fushave STEM, me theks të veçantë tek vajzat duke vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në tregun e punës në përgjithësi dhe profilet STEM në veçanti.
Raporti po ashtu mirëpret marrëveshjet e fundit në kuadër të Procesit të Berlinit për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për mjekët, dentistët dhe arkitektët, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.






