Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka takuar kryetarët e Komunave dhe kryetarët e sapo zgjedhur në veri të vendit.
Kurti ka thënë se takimet koordinuese në mes të nivelit qendror dhe atij lokal janë takimet ku ka më së shumti përfaqësues të qytetarëve, e rrjedhimisht edhe temat, të cilat trajtohen janë më të dobishmet dhe kanë fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
“Mirë se po takohemi në mbledhjen e katër të këtij formati, e në të pestin në qoftë se llogarisim edhe takimin tematik për efiçiencën e energjisë, të cilin e mbajtëm së fundmi, me 6 prill të këtij viti.
Një mirëseardhje e veçantë për kryetarët e sapo zgjedhur të komunave në veri të vendit, të cilët po na bashkëngjiten për herë të parë”.
Krahas bashkëpunimit në fushën e mjedisit, në kuadër të “Kartës së Komunën së gjelbër dhe të qëndrueshme” dhe atë të efiçiencës së energjisë, në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike, është lajm i mirë për të gjithë kandidimi i vendit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Një ngjarje e tillë, përveç se mundësi e mirë për të përmirësuar infrastrukturën publike, ajo paraqet një platformë ideale për afirmim të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm një projekt i sektorit të sportit. Ato duhet të shikohen si projekt zhvillimor shtetëror dhe mobilitet për rininë tonë.
Koncepti i organizimit të këtyre lojërave në Kosovë, parasheh shtrirjen e organizimit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë investimin dhe mobilizimin në shumë komuna, e me theks të veçantë në shtatë komunat më të mëdha në vend.
Ditëve në vazhdim, ekipi koordinues i kandidaturës së Kosovës, do t’ju kontaktoj dhe do t’ju informojë më shumë për konceptin dhe për detajet e tjera të ndërlidhura me projektin“, tha Kurti.
Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisjeje se sa asaj të mëparshme. Që do të thotë se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat, që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi mes të gjithë neve.
Herën e fundit u takuam për të diskutuar një temë specifike, atë të energjisë së ripërtrishme, ndërsa sot nga Asociacioni i Komunave janë listuar disa tema, të cilat janë me rëndësi për nivelin lokal; që nga tatimi në pronë, pronat e administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Agjencia e Pyjeve, e deri tek buxheti i komunave dhe procedurat e rekrutimit në shërbimin publik.
N takimin me kryetarët e Komunave ka marr pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri ie Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.




