Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli Dalipi, takoi Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e shoqëruar nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit.
Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyer një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës.
Ndërsa, për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar.
Kryeministri shtoi që është kënaqësi të pres Cramon në takim në këto kohë të rëndësishme dhe e falënderoi atë për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian., thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.