Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se kanë përuruar Rrjetin e Shtigjeve të Gërmisë, me theks në Kioskën Malore ku është vendosur Harta dhe informacioni i duhur për Gërminë. Së shpejti lansohet edhe Faqja Zyrtare e Gërmisë ku do të mund ta shkarkoni edhe hartën digjitale, përfshirë rrjetin e shtigjeve aktive por edhe info për aktivitetet tjera sportive, kulturore dhe bota e gjallë. Shtigjet dhe pasuria e Gërmisë do të publikohet edhe në rrjetet ndërkombëtare konform parametrave të sigurisë dhe sinjalistikës (në shenja janë të vendosura edhe numrat e emërgjencës dhe Kërkim-Shpëtimit malor)
Rama në postimin e tij në Facebook ka thënë se Klubi Alpin Prishtina e realizoi ndërsa Drejtoria e Hapësirave Publike dhe Parqeve dhe ProCredit Bank e përkrahën dhe mbikëqyrën çdo komponentë të projektit, duke vënë standard të punës, cilësi, komunikim dhe transparencë. Nëpërmes këtij realizimi Komuna e Prishtinës qëndron afër qytetarëve dhe nevojave të tyre, duke nxitur kështu aktivitetete në natyrë, gjithnjë duke u mbështetur në shtigje të sigurta malore dhe të ardhme rekreative/turistike.
Parku dhe Mali i Gërmisë është vlerë e çmuar për gjithë vendin, ndërsa subjektet e vrapimit, çiklizmit dhe ecësit të cilët kanë aktivitete të rregullta në park na japin shembuj konkret të raportit njeri – natyrë, në dobi të shëndetit, ambientit dhe mirëqenies.
Projekti përmban:
60 km gjatësi të ndara në 11 shtigje të veçanta:
- Shtegu i Shëndetit
- Shtegu Familjar
- Shtegu i Ariut
- Shtegu Rrezja
- Shtegu i Liqenit
- Shtegu i Çiklizmit
- Qasja në Mramor
- Shtegu i Sofalisë
- Shtegu i Lugmirit
- Shtegu Artan Venhari
- Shtegu Erida Kurshumlija
Gjithashtu janë të vendosura edhe Kioskat Malore dhe Sinjalistika nëpër gjithë rrjetin duke e bërë të qasshëm dhe të sigurt për vizitorët. Duhet theksuar kujdesi i jashtëzakonshëm i Drejtorisë së Hapësirave Publike dhe Parqeve për Zonën e Mbrojtur dhe vet Masivin e Gërmisë; prandaj për çdo veprim apo aktivitet duhet kontaktuar stafin e kësaj Drejtorie.
Pavarësisht përurimit ne jemi duke vazhduar me përmirësim dhe shënim të rrjetit, gjithnjë me ndihmën e shumë miqve të sportit, natyrës dhe qytetit të Prishtinës.