Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka qenë në qytetin e Pejës, bashkë me Kryeinspektorin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Kastriot Lajqin.
Gjatë qëndrimit në qytetin e Pejës, zëvendësministri Gashani ka takuar ekipet e Policisë së Kosovës, FSK-së dhe shërbimeve të emergjencës, po ashtu është takuar edhe nënkryetarin e Komunës së Pejës me ekipin e tij, Drejtorin e Drejtorisë së Emergjencave për Komunën e Pejës, si dhe Drejtorin Rajonal të Zjarrfikësve në Pejë dhe të gjithë së bashku e kanë vizituar lagjen Asllan Qeshme, që ishte më e prekura nga vërshimi apokaliptik dhe pastaj kanë vizituar edhe qendrën spitalore në Pejë.
Me këtë rast zëvendësministri Gashani ka vënë në dukje se si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme bashkë me Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, do të jenë në kapacitet të plotë për të ofruar ndihmë në tejkalimin e kësaj gjendjeje.
“Ne, të gjithë në MPB dhe AME, jemi në gatishmëri të plotë të ndihmojmë e punojmë së bashku e ngushtë për sanimin e gjendjes së krijuar në Pejë dhe kthimin e normalitetit në këtë qytet”, theksoi Gashani gjatë qëndrimit të tij në komunën e Pejës.
Gashani ka theksuar se Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, ka kapacitet për ndihmë në këto situata, me ekipe shpëtimi, me pajisje për pompimin e ujit e me shtretër e tenda për raste evakuimi të popullatës së prekur dhe po ashtu do të jenë në ndihmë të ekipeve të komunës së Pejës, sidomos duke qenë të njoftuar se moti nuk do të stabilizohet as sot, thuhet në komunikatën për media e MPB-së.